Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë sot se askush nuk do të udhëtojë në Hagë për të caktuar listën zgjedhore.
Kjo parti, përmes një komunikate për media, ka demantuar informatën e dhënë në media se nënkryetari i parë i AAK-së, z. Blerim Shala, do të udhëtojë në Hagë për t’ia dërguar listën e kandidatëve kryetarit Haradinaj për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 12 dhjetorit 2010.
"AAK bën të ditur se askush nga partia nuk do të udhëtojë në Hagë për t’ia dërguar kryetarit Haradinaj listën zgjedhore të AAK-së.
Kjo dezinformatë ka për qëllim të dëmtojë Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, e cila është në vlugun e përgatitjeve për t’i fituar zgjedhjet parlamentare të dhjetorit dhe, gjithashtu, synon të dëmtojë drejtpërdrejt z. Haradinaj, i cili së shpejti do të dalë në rigjykim në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës“, thuhet në komunikatën e AAK-së./rel