e diel, 7 nëntor 2010

E pat puna, bani shelnja rrush!

Shkruan Fisnik Ismaili
Të dashtun miq e dashamirë,

Kush kish me thanë se kam me e pa veten duke e shkrue nji kësi letre ndonjihere? Unë ma së paku prej tetanëve!

Fisi u rras në politikë!

Tuj qenë se kjo nuk asht gja e vogël për mue, e as për ata që më njohin pak ma mirë, po e ndiej si obligim me e nda këtë me juve nëpërmjet kësaj letre, tuj e dijtë se disave ka me ju dukë si arsyetim, disa të tjerëve si e panevojshme apo patetike, disave si thirrje për mobilizim, e do të tjerëve si ndoj gjest egoist.


S’po mërzitna për këtë gjë, sepse po, të gjithat ma naltë vlejnë, por ma së shumti vlen se po e shkruej për hir të respektit edhe dashnisë që e kam për tetanë ju që, në nji mënyrë ose tjetër, ma keni prekë jetën deri sot edhe më keni ndihmue me u ba ky njeri që jam.

I bana 37 vjet edhe s’u mbusha mend për kurrgja :), pos nji sendi: se kjo jetë ish nji luftë që s’po u kryejka kurrë. Për sherr, unë kisha qëllue nji prej atyne që kënaqen kur luftojnë, posaçërisht kur gjatë tanë jetës e kam pasë fatin me qëllue i rrethuem me miq e familje që ma kanë mbajtë krahun prej shkolle e në gyrbet, në luftë, në kthim në Kosovë, në zyre edhe për çdo gjest tjetër që e kam ba, të cilin ma kanë tolerue, e për çka kurrë s’kam me qenë boll mirënjohës.

Janë pak raste në jetë që nji njeri i përjeton, e që konsiderohen ma të mëdha se vetë jeta. Dy prej tyne janë djemtë e mi, Vigani edhe Petriti. Por jashta asaj që çdo prind e përjeton me lindjen e fëmijës së tij, unë e kam pasë nji fat të veçantë me i përjetue edhe dy raste tjera, të cilat për mue e kanë tejkalue çdo gja:  momentin kur e kemi zbulue NEWBORN me 17 shkurt 2008 edhe ditën kur kam shkue në Koshare në mars të vitit 1999.

Sot, vendimi me u futë në politikë për mue është poaq domethanës sa ato që i përmenda ma naltë, sepse kësaj “loje” nuk po i futem as për qef, e as për pare, se tuj e dijtë sa e mundimshme asht, s’ia vlen për asnjanën prej tyne. E vetmja gja që për mue ia vlen me i hy kësaj asht besimi se vërtet kam me qenë në gjendje me ndryshue diçka në këtë vend për të mirë.

Kur po i shoh sot fytyrat e njerëzve sa herë që po e kaloj pragun e derës, s’po më duhet me i pyetë për me e dijtë se kanë mbetë pa shpresë. Sa duhet nji popull i tanë me u keqpërdorë ma, për me mbetë pa asnji pikë dinjiteti sikur që ka mbetë tash?

Unë nuk kam luftue për me e përjetue nji ditë si kjo, edhe nuk e kam ndërmend me u ndalë pa luftue edhe nji herë!

Kjo asht arsyeja pse unë e kam kapë telefonin edhe i kam thirrë Shpendin e  Ilirin, e iu kam thanë që ma në fund po besoj se disa njerëz munden me u ba bashkë, për me e kfillë këtë vend edhe, për habinë time, jam pritë shumë mirë. Jam habitë, sepse 8 vjet u banë që asnji prej udhëheqësve nuk mu përgjigj sa herë tentova me e dhanë së paku ndoj sygjerim për të mirë të këtij vendi. Tek sot, pak para zgjedhjeve, të njëjtit kujtohen me aderue sa ma shumë njerëz të rinj me shkolla e përvoja, që me u dukë se po i “freskojnë” frontet e tyne, kur tetanë e dijmë se nuk ka me shkue gjatë para se t’i djegin edhe këta për interesa vetanake.  S’po flas çka ndodh me ata tjerët që dojnë me kontribue, por nuk munden pa i takue ndonjanës prej këtyne partive ose nuk u japin ndonji “incentivë” paraprakisht.

Shumë vjet po bahen që asnjanit prej udhëheqësve tanë nuk iu kujtue se njerëzit i kanë votue ata për me punue në shërbim të këtij vendi edhe për me i mbrojtë interesat e këtij vendi, por përkundrazi, kanë mbjellë frikë e terror në secilin, deri në pikën që po duhen me këqyrë prapa shpine për me guxue me e thanë nji fjalë të vetme. Kanë ba kompromise në llogari tonë edhe vazhdimisht e kanë testue se sa randë po na ban kurrizi.

Pushteti nuk është privilegj, o ju të parët e vendit tim, por detyrë ndaj atij që ta ka dhanë kokrrën, edhe nuk guxon me u keqpërdorë ma në kësi mënyre!

Unë po besoj se ka ardhë momenti me e ndalë këtë tmerr edhe unë po guxoj me i dalë ballë pikërisht atyne që ia humbën dinjitetin këtij vendi. Kosova ka shumë njerëz që dijnë edhe dojnë, por që nuk u jepet mundësia. A dojmë me pritë edhe 8 vjet, qysh na u kumtue në fytyrë para pak ditëve, apo dojmë me i dhanë fund kësaj farse nji herë e përgjithmonë? Unë e di mirë se ku qëndroj.

Poashtu e di që nuk kam përvojë politike, për të cilën disa po thojnë se është mangësi e secilit që iu ka bashkangjitë Partisë Fryma e Re, por mendohuni nji herë se sa patën përvojë ata që sot po na udhëheqin kur u futën vetë në politikë, edhe sa u përmirësuen me kohë? Së paku e di që CV-ja ime asht e mbushun me punë, edhe me punue nuk pritoj.  

Thjesht, e di që, me njerëzit që jam futë bashkë në këtë luftë, së paku kemi me ba punë ma të mirë se që është ba deri sot. Dreqi e marrtë, a nuk mjafton vetëm fakti që nuk ia marrim krejt vendit fytyrën kur kemi me thanë diçka para botës në anglisht? S’po flas me ba me ardhë puna me shkrue diçka edhe në shqip...

Prandej po, unë jam njani prej budallëve që mendojnë se kësaj here mundemi me ndryshue diçka. E nëse edhe ti mendon se duhet me ndryshue edhe do me qenë pjesë e këtij ndryshimi, hajde banu budallë bashkë me neve, se tjetërqysh nuk bahen gjanat e mëdha!  Kape telefonin, ashty qysh e kapa unë, edhe thirr, shkrueje emailin, hajde në zyre. Çka janë 45 ditë sakrifice për me e nisë atë që as lufta e as pavarësia nuk e arritën hala – nji jetë ma të mirë?

Njerëzit janë revoltue shumë me ato që po na ndodhin sot. Ka kalue koha e protestave masive edhe luftënave. Është kokrra e secilit ajo që duhet me na nxjerrë prej këtij mjerimi sivjet, sepse nëse deri dje s’ke pasë për kë me votue, sot ke, edhe vetëm nji Revolucion i Kokrrës mundet me e ndryshue vërtet këtë vend. Ku 3 stadiume njerëz ma nuk kanë me vendosë ma se kush ka me i përfaqësue interesat tona benda edhe jashtë (po, aq njerëz e kanë votue partinë që e kemi sot në pushtet).

Unë vetëm nji gja po ju premtoj: Fisi ka me mbetë po i njajti budallë që ka qenë gjithmonë. Ai që ka me punue me i mbrojtë interesat edhe dinjitetin e vendit të vetë. Ai që s’ka me e tolerue mospunën edhe padrejtësinë edhe, nëse asht nevoja, ka me e kritikue edhe të vetin për atë gja. Por, ma e randësishmja, ka me mbetë njeriu që asht sot, meritë e të cilit jeni ju, miqtë e mi.

Ma në fund, po marr frymë.

Me dashni,
Fisi

shko