e martë, 2 nëntor 2010

Kur shqiptarët s’kanë identitet

Kur shqiptarët s’kanë identitet
Juliana Dhimitri


Një i vdekur mot nuk dhemb më shumë sesa një kurorë e djegur sot. Jetojmë në kohën e paradokseve, kur shqiptarit i dhemb shpirti për një kurorë me germa greke që digjet, por nuk i dhemb më zemra për stërgjyshërit e bashkudhëtarët e vet bashkëkombës në këtë botë. Jetojmë në kohën kur mbi të vdekurit hidhet beton, hiqen eshtra nga varret dhe në kohën kur mbi ta shkelin dhe parakalojnë kurora që mbajnë germa të një tjetër gjuhe, kur mbi ta nuk ndizet një qiri, por digjet një kurorë. 



Njerëzit e çuditshëm të kësaj kohe nuk mund të ulërijnë e bërtasin kur një i vdekur përçudnohet me beton dhe heqje kockash nga varret, por janë të gatshëm të qajnë dhe të preken kur digjet një kurorë e vendosur nga fqinjët tanë grekë. Jetojmë mes paradokseve që i prekim dhe shohim çdo ditë dhe për të cilat pak flasim ose heshtim. Sot dhjetëra varre në Boboshticë, me gurë shekullorë që nuk janë harruar as nga koha, luftërat e bombardimet, vitet dhe sistemet, sot shkelen me këmbë. Këto varre në Boboshticë sot thërrasin për ndihmë më shumë se kurrë të vënë përballë dilemës së ekzistencës jo vetëm greke, por edhe të shumë servilëve, që sot bëhen më shumë grekë sesa vetë helenët. Jetojmë në një kohë kur historia mund të tjetërsohet nga çdokush. Secili prej nesh sot di historinë që i leverdis më shumë, historinë që e harrojmë kur nuk e duam dhe e kujtojmë nuk na duhet. Shumëkush pyet sot me të drejtë se çfarë do të ndodhte në rast se kjo panoramë që ofron Boboshtica sot, e masakruar, dhunuar dhe e cenuar në dinjitet dhe identitet, e përçudnuar deri dhe në varreza, do të kishte ndodhur në shtetin fqinj? Mendoni një grup shqiptarësh të drejtuar nga diplomatë që shkelin mbi varreza greke për të thënë se këtu jemi ne, janë paraardhësit tanë, mund të bëjmë festa mbi varre, mund të këndojmë himnin kombëtar. Kjo as mund të ndodhë kurrë. Greqia thuhet se ka shtet, ne thuajse e kemi humbur. Ne nuk shkelim dot mbi varret e grekëve, ata mund të shkelin mbi varret tona. Ne nuk mund të hyjmë në varrezat tona, grekët mund të festojnë mbi to. Ne përbuzemi kur themi të vërtetën, ata jetojnë e ngrenë monumente mbi gënjeshtrën tonë. Kam përjetuar shumë kundërshti gjatë profesionit tim si gazetare, por asnjëherë si sot, kur vetë shqiptarët dalin kundër njëri-tjetrit, kur fqinji përzë fqinjin nga varri i gjyshit të vet, kur një shqiptar i mohon tjetrit deri dhe të vdekurin baba, apo gjysh për një ushtar të huaj, kur historia e kombit në gojën e shqiptarit është vetëm historia e vizave dhe asaj që ai sheh sot. Ne përbuzemi çdo ditë nga të huajt, madje dhe në vendin tonë. Përbuzen njerëzit e thjeshtë, përbuzen të vdekurit, përbuzen gazetarët, historianët, mallkohemi nga vetë shqiptarët, mallkohemi nga priftërinjtë, shteti, edhe nga grekët. Sot boboshtarët nuk mbrohen nga shteti. Ata janë lënë në harresë në një javë histori me dhunim varresh, në një javë ku luftojnë me veten pa forcë, dhe as policia, as prokuroria nuk kujtohet se është dhunuar një varrezë, por shkojnë kur digjet një kurorë e vënë nga grekët.
shko