Gazeta prestigjioze franceze, “Le Monde”, në një artikull të botuar ditë më parë, ka bërë një analizë rreth raportit të Dick Martyt, ku ai paraqet kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçin, si “bos të mafies”.
Rreth këtij raporti, është përfolur shumë ditëve të fundit, që nga publikimi i tij fillimisht nga gazeta prestigjioze londineze “The Guardian”, e më pas edhe nga pothuajse të gjitha mediet botërore.Në librin e vet, të botuar me 2008, Karla del Ponte evokonte ekzistimin e një “shtëpie të verdhë”, e cila gjendej në afërsi të Burrelit, në pjesën qendrore të vendit, e zbuluar nga një ekip i gazetarëve hulumtues. Sipas tyre, në këtë shtëpi paskëshin qenë praktikuar tortura dhe heqja e organeve.
Më 2008, këto akuza kanë pas nxitur pokështu pyetje. Përse prokuroja e Tribunalit penal ndërkombëtar, e ngarkuar që të ndjek krimet e luftës, nuk i ka vërë në pah këto fakte të supozuara?
Jacques Rupnick, specialist i Ballkanit në CERI, prerazi thotë se, është fjala këtu për një zhurmë mediale.
“Si të shpjegohet ndryshe fakti se prokuroja e rangut të saj bën akuza të tilla pa ofruar asnjë provë, përderisa pikërisht ajo duhej të ishte në gjendje t’i argumentoj ato? Madje edhe zëdhënësja e saj e dikurshme, Florence Hartmann, e kishte akuzuar se po bën akuza pa ofruar as një grimë prove”, është shprehur Rupnick.
I pyetur lidhur me këtë çështje, gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, Bernard Kouchner, i dërguari special i OKB-së, nuk e kishte fshehur skepticizmin e vet karshi tezës për njëfarë “shtëpie të verdhë”.
Mirëpo, raporti i Dick Martyt, ndonëse i autorizuar që të orvatet të nxjerr prova, është pikërisht pa prova. Këtë madje nuk e fsheh vet deputeti zviceran. Ai është mbështetur kryesisht mbi dëshmitë dhe raportet e shërbimeve sekrete perëndimore. Në mungesë të mjeteve, ai nuk ka patur mundësi të vizitojë gjashtë vendet të cilat ai i ka identifikuar si burgje të UÇK-së në Shqipëri.
Për shkaqe të sigurisë, ai nuk jap emrin e asnjë dëshmitari, disa prej të cilëve nuk kanë qenë të intervistuar nga ai por nga “përfaqësues të shërbimeve policore të vendeve të ndryshme, nga hulumtues dhe universitarë e gazetarë hulumtues të një reputacioni dhe të një besueshmërie të pranuar”.
“Ka dëshmitarë të këtyre ngjarjeve që kanë qenë të eliminuar, të tjerë të frikësuar nga vet fakti pse i kanë pyetur lidhur me këto ngjarje”, arsyetohet ai.
“Rrjetet shqiptare të krimit të organizuar duket se është më vështirë të infiltrohen se sa Mafia italiane”. Një lajtmotiv që përsëritet rregullisht. Kështu, UÇK-ja është përshkruar si një organizatë kriminale që përdorë “një imazh të bukur të një armate guerile” për t’i maskuar aktivitetet e veta ilegale”.
Më 2004, një mision i Gjyqit penal Ndërkombëtar të Hagës si dhe të UNMIK-ut, i dërguar për të hetuar lidhur me këtë “shtëpi të verdhë”, kishte gjetur injeksione, disa gjurmë të gjakut dhe epruveta të zbrazëta, por këto nuk kishin mjaftuar për të sajuar prova.
Sipas senatorit zviceran, gjithsesi, vrasjet me plumb në kokë – e menjëherë pastaj është bërë nxjerrja e organeve - nuk janë bërë në “shtëpinë e verdhë”. Ky vend ishte shumë larg nga aeroporti i Tiranës, kryeqytet i Shqipërisë, për të lejuar dërgimin e shpejt të organeve kah klinikat private perëndimore.
Dick Marty pohon se heqja e organeve është bërë në Fushë Krujë, një qytet shumë më afër Tiranës dhe i pajisur me një klinikë.
Përveç akuzave, është kalendari i publikimit të këtij raporti që zgjon dyshimin. Paraqitja e akuzave të tilla kundër Hashim Thaçit, një ditë pas fitores në zgjedhjet legjislative, e çuditë Jacques Rupnickun.
“Me një raport të tillë, bëhet një ndërhyrje e drejtpërdrejtë në lojën politike të Kosovës, duke e delegjitimuar atë që ka dalë i pari dhe që tani duhet të organizojë negociata për koalicionin”, ka thënë Rupnick.
Profesori Rupnick mendon po kështu se me këto akuza është goditur edhe dialogu midis Kosovës dhe Serbisë, ngase s’mund të merret me mend një politikan serb i cili do të pranonte të hap bisedimet me një lider të cilin Këshilli i Evropës do ta cilësonte si “kriminel”.