Drejtori i Drejtorisë së Arsimit kishte njoftuar zyrtarët policorë për sulmin fizik ndaj tij nga ana e të dyshuarit 41-vjeçar, përndryshe arsimtar i një shkolle fillore në fshatin Stanovc të Vushtrrisë.
Policia e Kosovës gjatë intervenimit ka arrestuar të dyshuarin të cilin e ka shoqëruar në stacionin policor për intervistim ndërsa viktima e këtij rasti të raportuar është dërguar në repartin e emergjencës në spitalin e Vushtrrisë për ndihmë mjekësore.
Sipas raportit të mjekut kujdestar, viktima ka pranuar lëndime në dorën e majtë dhe rreth qafës. Sipas raporteve të para hetimore, mësohet se i dyshuari, për motive ende të panjohura, pas një mosmarrëveshje me drejtorin e arsimit komunal, ka sulmuar të njëjtin me grushta, duke i shkaktuar lëndime trupore të natyrës së lehtë të përshkruara në raportin mjekësor.
I dyshuari është intervistuar në zyrën e hetuesisë Policore në Vushtrri ndërsa ndaj të njëjtit është iniciuar paraqitje penale për "sulm fizik ndaj personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare".