Fëmijëri e vështirë dhe dëshirë për të arritur suksesin. Burrat e gabuar dhe sjelljet e këqija pas kuintave. Në debutimin e saj në kinema, Christina Aguilera interpreton thuajse vetveten: “Vështirësitë më kanë bërë më të vendosur”.
Thonë se zakonisht, të intervistosh Christina Aguilera është shumë e vështirë. Sipas shumë gazetarëve, popstari amerikan, 30 vjeçe, dhe me 50 milionë disqe të shitura, është kapriçioze dhe me shumë teka, njëlloj si një divë e vërtetë. “Burlesque” ishte muzikali me të cilin ajo bëri debutimin e saj në kinematografi përballë legjendës me emrin Cher.
E sjellshme, e buzëqeshur, e vendosur, Christina është një grua që nuk do të ekspozohet shumë. Prej pak muajsh është ndarë nga bashkëshorti, producenti amerikan Jordan Bratman, dhe dhimbja për dështimin e martesës, nga e cila lindi Max, dy vjet e gjysmë më parë, nuk ka kaluar ende. Edhe pse tani, ajo ka një shok të ri, asistentin skenik Matthew Rutler, të cilin e njohu në sheshin e xhirimeve të “Burlesque”.
Në filmin e drejtuar nga Steve Antin, Aguilera është Ali, një vajzë me zërin e fuqishëm, që me shpresën për të pasur sukses, u transferua në Los Anxhelos. Aty takoi Tess (Cher) pranë një lokali në vështirësi ekonomike. Koreografia dhe një kolonë e bukur zanore e transformuan filmin në një kult të vërtetë. Me buzët flakë të kuqe dhe flokët ngjyrë platini, Christina është me të vërtetë një femër e bukur dhe për këtë, askush nuk ka dyshime.
Çfarë ju tërhoqi te “Burlesque”?
Prej vitesh, ajo botë më ka pëlqyer shumë. Kam nisur të koleksionoj libra dhe foto dhe në spektaklet e mia kam cituar shpesh disa elementë. Kur mora skenarin nuk pata dyshime.
Ky ishte debutimi juaj i parë në kinema. Çfarë vështirësish keni ndeshur?
Orët e zgjatura për të bërë prova pa fund, që gjithçka të ishte e përsosur. Pastaj duhet të arrija të shprehja shumë emocione të ndryshme.
Nuk patët frikë nga “mallkimi” i këngëtares që kërkon të bëhet aktore. Para jush shumë kanë dështuar. Edhe Madonna...
Isha e ndërgjegjshme për rreziqet dhe kërkova të mësoja gjithçka që mundja. Në sheshin e xhirimeve kam mbledhur çdo lloj sugjerimi dhe kam qenë e gatshme t’i përsëritja skenat e mia deri në perfeksion. E dija që kisha më pak përvojë mes kastit të aktorëve, ndaj u përpoqa të isha më bashkëpunuese.
E gjeni veten tek Ali, personazhi juaj?
Ashtu si unë, është një vajzë që nuk dorëzohet. Dhe ashtu si unë vjen nga një familje me probleme. Nëna i vdiq kur ishte ende shumë e re, ndaj u detyrua të rritej para kohe. Fëmijëria ime ka qenë shumë e turbullt (në moshën 6-vjeçare ika me mamanë për t’i shpëtuar babait të dhunshëm) por arrita që të kaluarën ta shndërroja në burim frymëzimi dhe të arrija atë që doja.
Edhe ju, ashtu si Ali, jeni përballur me një rivale xheloze?
Ka pasur shumë. Por kanë qenë pikërisht ata persona që më kanë bërë më të vendosur.
Ndonjë emër?
Në pjesën më të madhe vajza që frekuentonin shkollën ku shkoja edhe unë. Banoja në Pittsburgh dhe isha mjaft e njohur, isha vajza që këndoja himnin kombëtar në ngjarje sportive dhe merrja pjesë në spektaklet për promovimin e talenteve të reja në televizor. Shumë personave kjo nuk u pëlqente fare.
Me Cher ka pasur konkurrencë apo miqësi?
Në karrierën e saj, Cher është ndeshur me të gjitha situatat. Në punën tonë kritikat, uljet dhe ngritjet duhet të na shtyjnë të ecim vetëm përpara. Cher këtë gjë e ka bërë shumë kohë përpara meje. Është e pamundur të mos e admirosh dhe të mos e marrësh si model.
Nuk mendoni se e ekzagjeroni paksa me look-un në skenë?
Jemi në vitin 2011, dreqi e mori. Gratë duhet të ngjiten në skenë dhe të tregojnë pushtetin dhe sensualitetin e tyre. Jam shumë krenare për atë çka bëj.
Ju sapo keni mbushur 30 vjeç dhe jeni një grua e ndarë. Ndjeni keqardhje?
Më mirë që jam 30 se sa 20. Po jetoj një periudhë tranzicioni. Besoj se jam rritur dhe di t’u tregoj vendin të gjithëve. Sa për ndarjen, kështu është jeta. Tani i jam përkushtuar punës dhe jam e sigurt se do dalë një album shumë i mirë.
Si keni ndryshuar?
Jam një artiste me dhjetë vjet karrierë mbi shpinë, një grua që ka kaluar momente të vështira, por mbi të gjitha, një nënë. Prioriteti im është djali dhe lumturia e tij.
Po ju jeni e lumtur?
Shumë.
Meqë ra fjala, si arrini të balanconi jetën e artistit me atë të nënës?
Si të gjitha gratë, që edhe punojnë edhe kanë familje. Gjithmonë e kam ditur se edhe pse do bëhesha nënë, nuk do të hiqja dorë nga puna që dua. Mendoj se për djalin tim është një shembull i rëndësishëm dhe mendoj se kjo mund ta ndihmojë të arrijë objektivat e tij në të ardhmen.
Po për burrat çfarë mendoni?
Po ju përgjigjem me një frazë të Cher: “Të dashurit, ashtu si burrat shkojnë e vijnë. Por unë jam dhe do të mbetem gjithmonë Cher. Se kush jemi, varet nga ne dhe jo nga burrat që kemi në krah”.
Jeni e bukur e dini?
Po e di edhe që jam bionde, por ju siguroj që jam një vajzë e zgjuar.