Madje, ndryshe nga çfarë deklaroi një ditë më parë, përpara nisjes së takimit, kryenegociatori serb, Borko Stefanovic, u kthye në selinë e Këshillit të BE-së duke u shprehur se dallimet mbi statusin e Kosovës janë lënë mënjanë, raporton Top Channel.
Teknikisht, zëvendëskryeministrja Edita Tahiri shpjegoi se u bisedua mbi regjistrin civil e kadastrën, çfarë propozoi në takim Beogradi në mbrojtje të interesave të komunitetit serb në Kosovë.
“Ne presim shumë që të zgjidhim problemet e mëdha që qendrojnë midis nesh, në të gjitha ato çështje që mbeten të hapura. Kjo do të thotë se po përpiqemi të trajtojmë tema të cilat ushtrojnë një presion ndaj njerëzve në Kosovë dhe po flasim sidomos për komunitetin serb. Ne do të përpiqemi që të lëmë pas dallimet tona të mëdha mbi statusin e Kosovës. Por, sigurisht që rregullimi i marrëdhënieve tona me Prishtinën do të rezultojë në përfundim të këtij dialogu”, ka deklaruar Stefanoviq.
Ndërsa Edita Tahiri është shprehur: “Të dyja palët përpiqen të jenë konstruktive dhe kanë sukses për këtë. Mendoj se ne po mundohemi të jemi krijues për çështjet në diskutim. Kemi nisur me tema të tilla si regjistri civil dhe kadastra dhe do bisedojmë mbi lëvizjen e lirë dhe mekanizmat e bashkëpunimit rajonal”.
“Ishte hera e parë pas shumë, shumë viteve që ne patëm shansin të negocionim ballë për ballë. E më duhet të them se kishte propozime shumë të mira e konstruktive, vecanërisht nga ana jonë, pasi ne erdhëm të mirëpërgatitur për këtë dialog dhe sigurisht presim palën tjetër që të përgjigjet mbi këto propozime”, ka shtuar Stefanoviq.
“Përsa i takon palës sonë, ne duam vërtet të jemi konstruktivë dhe t’i kontribuojmë përparimit për të zgjidhur dallimet tona në çështjet praktike. Ky është një dialog teknik e do të qendrojë i tillë”, ka vijuar ndër të tjera Tahiri.
Takimi i radhës për dialogun Prishtinë- Beograd pritet të mbahet në selinë e Këshillit të BE-së gjatë javës së fundit të muajit mars./kn