Pjesëtarë të policisë së Kosovës tash e tetë ditë janë duke siguruar vendin dhe duke pritur mjekët e mjekësisë ligjore dhe komisionin për të zhdukurit apo të pagjeturit, që të bëjnë zhvarrimin e këtyre kockave dhe identifikimin e tyre. Besohet se trupi i pajetë është varrosur gjatë luftës në oborrin e kësaj xhamie, ndërkohë që dyshohet edhe për trupa të tjerë. Halit Barani, kryetar i KMDLNJ-së në Mitrovicë, ka thënë se trupi i pajetë është vetëm 40 centimetra në thellësi të tokës dhe i mbështjellë me batanije të larme.
Sipas tij, trupit të pajetë uji ia ka zbuluar vetëm eshtrat e shputave të këmbëve dhe se dihet se janë kocka, përkatësisht këmbë të njeriut. “Trupi i pajetë saktësisht dihet se është varrosur në këtë vend gjatë luftës në Kosovë 1998/99, pasi ai nuk është thellë në tokë, është pa dërrasa dhe i mbështjellë me batanije”, ka thënë Barani, duke apeluar tek të gjithë ata që dinë diçka për këtë trup, por edhe për të tjerë, të lajmërohen në zyrat e Qendrës Rajonale të KMDLNJ-së në Mitrovicë.
Në anën tjetër, Besim Hoti, zëdhënës i policisë në Mitrovicë, tha se informatën për një trup të pajetë policia e ka marrë nga një punëtor, që ishte duke punuar në atë vend. Sipas tij, dyshohet se trupi i përket kohës së luftës.
“Janë njoftuar përgjegjësit e mjekësisë ligjore dhe hetuesit e sektorit të hetimeve për krime lufte, ndërsa përgjegjësia e policisë është të bëjë vetëm sigurimin e vendit”, ka thënë Hoti.