Sipas këtij komisioni edhe komuniteti serb i kësaj komune, si dhe komunitete tjera kanë filluar të pranojnë procesin dhe të regjistrohen.
Xhafer Dema anëtar i Komisionit Komunal të Regjistrimit në Pejë tha se ky proces është mjaft me rëndësi si për Pejën po ashtu edhe për Kosovën për shumë arsye. “Edhe banorët e fshatit Gorazhdec që i përkasin etnitetit serb kanë filluar të vetëdijësohen dhe ta shohin se është për të mirën e tyre, dhe kanë filluar të regjistrohen, sikurse edhe ata të fshatrave Brestovik, dhe Sigë”, pohoj Dema. Ai më pas theksoj se me gorazhdecasit për dy ditë rresht kemi qenë në bisedime, dhe ditën e tretë kanë filluar të pranojnë regjistrimin, ku vetëm në mëngjesin e katër prillit në këtë fshat janë regjistruar 17 familje.
Ai shprehet i bindur se 15 prilli do të jetë data kur edhe do të kemi rezultatet përfundimtare. Ndërkohë që i pari i Komunës së Pejës njëherësh edhe kryetar i Komisionit Komunal të Regjistrimit të Popullsisë, ditën e martë së bashku me regjistruesit civil ka dalë në terren për të shikuar nga afër se si ecën procesi i regjistrimit të popullsisë. Ai me këtë rast është shprehur me tone shumë pozitive për këtë proces ku ndër të tjera ka thënë se procesi i regjistrimit është proces shumë i rëndësishëm, dhe po zhvillohet me sukses shumë të madh në Komunën e Pejës.
Pas vizitës së parë të bërë në familjen e Skënder Shalës, kreu i Pejës për nikoqir të dytë ka zgjedhur përfaqësuesin e komunitetit boshnjak Numan Baliq, “Dikund rreth 40 mijë veta janë regjistruar për katër ditët paraprake sipas të dhënave tona, gjë që kjo është një shifër mjaftë e kënaqshme dhe presim që data 15 prill të mbyllë me sukses këtë proces”, theksoi Berisha.
Më pas ai bën apel tek komuniteti serb që t’i përgjigjen sa më masivisht këtij procesi. Ndërsa Numan Baliq në bisedën me kryetarin të Pejës u shpreh të jetë shumë i kënaqur me procesin e regjistrimit. “Mendojmë se puna po shkojë më mirë sesa kemi parashikuar, dhe duke iu referuar vullnetit te popullatës tonë, ajo po shpreh gatishmëri për t’u regjistruar si shtetas të Kosovës” u shpreh Baliq.