Albin Kurti, nga lëvizja Vetëvendosje tha se është e qartë se këta tre krerë partish që mendojnë se janë më të rëndësishëm se Kosova duan ta zgjedhin një njeri të parëndësishëm për kreun e shtetit., transmeton Telegrafi.
“...Qysh moti ne kemi thënë se këta politikanë po i përçajnë qytetarët ndërkohë që hesapet i bëjnë bashkë. Konsensusin e tyre partiak e bënë publik nga ndërtesa e Qeverisë së Kosovës thuajse për të na treguar që kemi të bëjmë me uzurpim konsensual të institucioneve. Nuk kemi kurrfarë tejkalimi të krizës në Kosovë me pazarin e mbrëmshëm.
Vetëm sa u akomoduan ambiciet e politikanëve që drejtojnë partitë për hir të vetes së tyre. Nuk do të rritet standardi i jetesës së qytetarëve por rehatia e kreut të PDK-së dhe LDK-së. Isa Mustafa po ia jep dy vjet e gjysmë kohë Hashim Thaçit për ta shitur PTK-në, KEK-un e Trepçën me privatizim të egër dhe për ta sajuar një shtet serb brenda shtetit të Kosovës përmes negociatave me Serbinë. Këto dy vjet e gjysmë mund t’i duken të shkurtra Isa Mustafës porse ato janë shumë të gjata për qytetarët e Kosovës”, u shpreh Kurti.
Më tej, ai tha se Atifete Jahjaga, si kandidate e këtij ekipi të ri të unitetit, nuk është e njohur për opinionin kosovar. “Duke qenë se ajo duhet ta përfaqësojë unitetin e popullit, del se uniteti arrin të përfaqësohet vetëm përmes të panjohurës. Ne nuk e dimë se çka mendon Atifete Jahjaga për privatizimet, vjedhjen e votave, Planin e Ahtisaarit apo bisedimet me Serbinë. Dhe, ne nuk e dimë se cili nga tre nënshkruesit e marrëveshjes e propozoi Atifete Jahjagën”, theksoi lideri i Vetëvendosjes.
Edhe Shpend Ahmeti, theksoi se me marrëveshjen e arritur mbrëmë u legjitimuan vjedhjet, parregullsitë e mëdha që përshkuan zgjedhjet e 12 dhjetorit. “Ata që më së shumti e ngritën zërin ndaj parregullsive dhe vjedhjeve, mbrëmë u dorëzuan. Ata që në mënyrë parimore dolën nga salla jo për shkak të kundërshtimit që kishin ndaj z. Pacolli, por ndaj procesit zgjedhor, dje nuk folën asnjë fjalë për zgjedhjet jolegjitime”, tha ai./kn
