e shtunë, 18 shtator 2010

Dasmat Moderne

Janë zhdukur thuajse krejtësisht zakonet e vjetra siç tregon “Daily Mail”: nga festa e paguar prej prindërve te tullumbacet që zënë venin e orizit. Tani mendojnë agjencitë për gjithçka. Për më tepër ndryshimi i gjendjes civile azhornohet në “Facebook

Ëmbëlsirat që dikur bëheshin në shtëpi, sot nuk ekzistojnë më. Për këtë punë janë kutitë e çokollatave të firmave më të mira në treg dhe më çmime nga më të ndryshmet sipas cilësive. Po torta me shumë kate? Edhe ajo që u ndahej miqve që vinin për vizitë ka dalë nga moda. Sot ëmbëlsirat janë bërë të vogla, një për secilin të ftuar. Martesat sot bëhen sipas dëshirave dhe
mundësive, traditat e vjetra po dalin gjithmonë e më shumë jashtë mode dhe çdo çift vendos vetë sipas shijeve dhe portofolit, për atë që duhet bërë në ditën më të lumtur të jetës.
Të martohesh sot nuk të bind. Nëse ke një punë të mirë, një shtëpi, je e lirë dhe e lumtur, nuk ke pse te pretendosh për një mashkull në krahë. Pyetja që sot shumë femra i bëjnë vetes është: A ia vlen të martohesh? “Ja se ç’u ndodh grave pasi martohen. 


Shumica ndryshojnë tërësisht mënyrën e jetesës, punën, madje edhe sjelljen”, tregon shkrimtarja Elisabeth Gilbert në librin e saj bestseller “Eat, Pray, Love”. Sipas përfundimit të saj, martesa sot është më me leverdi për meshkujt sesa për femrat. Për meshkujt e martuar studimet kanë treguar se jetojnë më gjatë se beqarët, grumbullojnë më shumë pasuri, janë më të kënaqur se beqarët, u rezistojnë alkoolit dhe drogave, vuajnë më pak nga depresioni. 


Për sa u përket femrave, avantazhet janë thuajse inekzistente: gratë martohen për dashuri, duke menduar se do të jenë më të lumtura. Për më tepër vuajnë më shumë nga ankthi sesa simotrat e tyre beqare. Kanë më pak sukses në punë dhe nivele stresi shumë më të larta se të pamartuarat. Për më tepër rrezikojnë të vdesin të vetmuara, për shkak të stilit të jetës. Shkrimtarja Gilbert e cilëson si “marriage benefit imbalance”, çekuilibri i avantazheve martesore: gratë humbasin mundësitë, burrat fitojnë lotari. Një logjikë e papranueshme për vajzat e arsimuara, autonome, të mësuara që ia dalin vetë për gjithçka dhe të kenë në dorë frenat e jetës së tyre seksuale. “Dikur gratë martoheshin për t’u larguar nga babi, për të arritur prestigj dhe për t’u përmirësuar ekonomikisht. Të tria këto elemente sot nuk ekzistojnë më. Të martohesh nuk të sjell ndonjë leverdi të madhe. Sot nuk ka femra Hirushe që mezi presin princin e kaltër. Femrat gjenden në një pozicion të leverdishëm. Ka nga ato që martohen vetëm me ata meshkuj që i shtyjnë drejt aspiratave për të ecur sa më lart, në të kundërt nuk ngurrojnë dy herë për të kërkuar divorcin”, tregojnë psikologët. Në vendet e Europës jo vetëm numri i ndarjeve dhe divorceve sa vjen e rritet, por edhe shifra e atyre që vendosin të ndahen pas një periudhe të shkurtër së bashku po rritet me shpejtësi. Në Itali, në 1000 martesa 272 përfundojnë në ndarje dhe vetëm 151 në divorce. 


Ndarja nuk njeh moshë dhe meqë martesat po shtyhen gjithmonë e për më vonë edhe të divorcuarit janë kryesisht më të moshuar.Me pak fjalë një martesë sipas dëshirës shumë e sofistikuar. Ai që i ka rezistuar ndryshimit frenetik të jetesës është fustani i bardhë, por edhe atij i ka mbetur vetëm emri. Sot fustanet mund të jenë të të gjitha ngjyrave në ditën e dasmës, duke nisur nga ajo pana e deri tek i kuqi, me lloj-lloj zbukurimesh dhe modifikimesh: i shkurtër para i gjatë pas, me një krah, me lule me ngjyra me fjongo në mes. Fustani i bardhë në epokën viktoriane simbolizonte pastërtinë dhe virgjërinë, çka do të thotë se bardhësia nuk mund të përdoret në martesat e dyta. Për më tepër në kohën e dasmave moderne gjendja civile azhornohet menjëherë në “Facebook”.  “Kohë të vështira për nuset”, e ka titulluar anglezja “Daily Mail” duke publikuar një sondazh për të gjitha traditat martesore që kanë dalë ose do të dalin nga përdorimi. Kështu, ceremonia sot nuk paguhet më nga prindërit, llastiku i çorapeve nuk merret më borxh nga shoqet, po ashtu është harruar zakoni që nusja merrej në krah sapo fuste këmbën te shtëpia e burrit. Ka perënduar koha kur kaloheshin net të tëra pa gjumë duke bërë planifikime e duke u zënë me familjarët se kush duhet ftuar e kush jo, apo për vendet që u takojnë të zënë në dasma. Tani, për fat të mirë ekziston “wedding planer”, agjenci të specializuara në çdo qytet të botës që marrin përsipër të çlirojnë çiftin që do të martohet nga çdo lloj stresi dhe shqetësimi për ditën e tyre të lumtur. 


Për më tepër, rënia e numrit të martesave fetare në favor të atyre që celebrohen vetëm në bashki, bashkë me rritjen e numrit të divorceve dhe të martesave të dyta. Po ashtu sot shumë të preferuara janë martesat për t’u bërë në vende që mbajnë mbi shpinë tradita të vjetra historike dhe kulture, si parqe arkeologjike, muze etj. Sot agjencitë e specializuara mendojnë për udhëtimin e muajit të mjaltit në vendet më ekzotike, mjafton  të jesh i gatshëm të paguash atë që kërkohet. Por ndryshimi i traditave është bërë pre edhe e ritualeve që ndryshojnë: mes të cilave buqeta e luleve që sillet nga bashkëshorti, hedhja e tyre për mikeshat beqare, zakoni që nusja përgatit tashmë me të ëmën dhomën martesore ku nuk duhet të flejë për asnjë arsye me bashkëshortin e ardhshëm para ditës së martesës. Për të mos folur për orizin, që tani është zëvendësuar me tullumbacet: të vogla, të mëdha, në formë zemre, që pushtojnë qiellin në këtë ditë.
Gjërat kanë ndryshuar!
shko