e diel, 12 shtator 2010

Fitorja e Turqise reflekton ne Mitrovice dhe Prizren

Në Mitrovicë, të shtunën në mbrëmje, ka pasur një përleshje midis shqiptarëve dhe serbëve. Ngjarja ka ndodhur mbi urën e Ibrit, e cila e ndanë qytetin e Mitrovicës. Shkak i këtij incidenti ka qenë dëshpërimi i serbëve, pas humbjes së Serbisë nga Turqia në gjysmëfinalen e kampionatit botëror në basketboll, i cili u zhvillua në Stamboll.




Një grup i serbëve në veri të lumit Ibër, ishte bërë gati për të festuar kalimin e Serbisë në finale të Botërorit të basketbollit, por për pak sekonda jugu i shqiptarëve ka shpërthyer në festë. Tek ura e qytetit të Mitrovicës, të rinj shqiptarë e serbë kanë shkëmbyer gurë, sharje e ofendime pas ndjekjes së gjysmëfinales së Botërorit ndërmjet Serbisë dhe Turqisë.


Katër persona janë lënduar, prej të cilëve njëri është në gjendje kritike, u kanë thënë medieve serbe, zyrtarët e Qendrës Spitalore, që ndodhet në pjesën veriore të qytetit. Sipas “Vesti Online”, ka pasur edhe të shtëna.
Policia e Kosovës, sipas medieve serbe, e ka konfirmuar incidentin në të cilin kanë marrë pjesë disa qindra njerëz nga të dyja anët. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Besim Hoti, ka deklaruar se të dyja palët janë gjuajtur me gurë nga njëra anë në tjetrën.

“Njësia speciale e EULEX-it bashkë me policinë e Kosovës ka arritur që për pak minuta ta qetësojë situatën dhe të ndajë grupet”, i ka thënë portalit Indeksonline, zëdhënësi i Policisë në Mitrovicë, Besim Hoti, duke shtuar se “nuk ka pasur kontakt të drejtëpërdrejt ndërmjet pjesëmarrësve në incident”.
Pak më shumë punë është dashur në veri, derisa serbët janë shtyrë thellë në qytet, pas dëshpërimit të madh të humbjes së Serbisë.
Edhe burimet e portialit Indeksonline kanë thënë se janë dëgjuar edhe të shtëna me armë, kurse serbët për një kohë e kanë mbajtur të ndezur alarmin në veri. Shqiptarët ndërkaq kanë festuar për disa orë me makina dhe me flamuj. Gjendja rreth mesnatës është qetësuar.



Fitorja e madhe e Turqisë ndaj Serbisë në gjysmëfinalen e Botërorit Turqia 2010, është pritur me entuziazëm të veçantë në qytetin e Prizrenit, ku jeton një numër i konsiderueshëm i minoritetit turk.




Ata bashkë me shumë shqiptarë e kanë festuar në Shatërvan kalimin në finale të Turqisë. Në këtë mes është djegur midis qyteti edhe flamuri i Serbisë. Në një lagje të Prizrenit është festuar me tupana, kurse qyteti është ndriçuar edhe nga shumë fishekzjarre dhe është ngjallur me bori të automjeteve. / telegrafi&indeksonline
shko