e hënë, 6 shtator 2010

Kalojne lehte SHBA dhe Rusi

SHBA - Rusi është çifti i tretë çerekfinal i botërorit të basketbollit "Turqia 2010" i përcaktuar të hënën. SHBA-ja arriti me lehtësi në këtë fazë, pasi "shkeli" Angolën (122:66), ndërkohë që Rusia u djersit pak më shumë kundër Zelandës së Re, ndonëse rezultati përfundimtar ishte bindës (78:56).
Për basketbollistët amerikanë kjo ishte vetëm edhe një fitore e radhës dhe lehtë e shënuar. Për ekipin e trajnerit Mike Krzyzewski kjo është fitorja e gjashtë rresht nga po aq ndeshje të zhvilluara. Basketbollistët e Angolës asnjëherë nuk e rrezikuan fitoren e amerikanëve, të cilët vetëm në çerekun e parë krijuan epërsi të thellë prej 15 pikësh (22:7).
Organizatori Chauncey Billups ishte më efikasi me 19 pikë të shënuara, ndërsa pikë dyshifrore tek amerikanët regjistruan edhe Kevin Durant, Eric Gordon e Rudy Gay. Të tre këta basketbollistë shënuan nga 17 pikë për kokë.
"Ka qenë mirë për ne të shënojmë një fitore të tillë. Kjo tregon se po përgatitemi për ndeshjen tjetër", ka thënë Gordon.
Për dallim nga dy ndeshjet e fundit me Iranin dhe Tunizinë, ku amerikanët patën shumë gabime, kësaj here me Angolën ata ishin bindës në çdo aspekt. Trajneri Krzyzewski me gjithë paralajmërimet
nuk bëri ndryshime në pesëshen e parë.
"Kemi respekt të madh për Angolën, sepse në Lojërat Olimpike kemi pasur telashe me ta. Kësaj here luajtëm lojë kolektive dhe kishim rreth 30 asistime. Ishim agresivë gjatë tërë ndeshjes", tha Krzyzewski.
Tek Angola më i dalluari ishte Joaquim Gomes me 21 pikë të shënuara. Pos tij pikë dyshifrore shënuan edhe Felizardo Ambrosio (12) e Roberto Fortes (11).
"Patëm përballë një ekip fantastik, me lojtarë të mëdhenj dhe trajner shumë të njohur. Amerikanët ishin shumë të fortë për ne dhe basketbollistët e mi nuk mundën të bëjnë më shumë ndaj tyre", ka thënë trajneri i Angolës, Luis Magalhaes.
Ndërkohë, Zelanda e Re i rezistoi Rusisë vetëm në dy çerekët e parë. Në të tretin nisi të dorëzohet, ndërkohë në të katërtin Rusia ishte dominuese. Më efikasi te Rusia ishte Andrey Vorontsevich me 18 pikë, kurse te ekipi humbës u dallua Kirk Penney me 21 pikë.
Dy çiftet e tjera çerekfinale të përcaktuara janë: Spanja - Serbia dhe Turqia - Sllovenia. Çifti i katërt çerekfinal do të përcaktohet të martën.
shko