e hënë, 6 shtator 2010

Ne kete bote ka artist qe e refuzojne Hollivudin!

Zhuljet Binosh është aktorja më e famshme, më e suksesshme dhe më e paguar në Francë. Ajo është kaq e njohur dhe popullore në këtë vend sa revistat dhe gazetat kur shkruajnë për të i referohen vetëm me mbiemër dhe nënkuptohet se bëhet fjalë për të. Binosh bëri në hap shumë të madh përpara kur u largua nga imazhi i një femre aftësia e së cilës është vetëm joshja duke u shndërruar në një aktore që kishte më shumë vlera së brendshmi. Dhe ky kalim i saj që i ndryshoi jetën është pikërisht filmi i famshëm që ka fituar edhe çmimin “Oskar”, “Pacienti Anglez”. Aty nuk luante aspak një rol seksi, por një grua me zemër dhe shumë të ndjeshme që është edhe sot e kësaj dite një nga personazhet më të spikatura të kinemasë dhe asaj vetë personalisht. Por në karrierën e saj janë edhe filma të tjerë që i kanë dhënë famë si “Lehtësia e papërballueshme e qenies” dhe “Çokollata”. Janë role që i ka ndarë me të mëdhenj të tjerë të kinematografisë. Ndërkaq, ka refuzuar role të planit të parë në filma shumë të rëndësishëm dhe të shitur si “Jurasic Park”, “Mission Impossible” dhe “Indiana Jones” me argumentin se ajo nuk do të lejonte kurrë që Hollivudi t’i futej në jetën e saj dhe t’ia ndryshonte siç ka bërë me jetët e shumë aktoreve dhe aktorëve të famshëm. Së fundi është duke përjetuar një tjetër moment shumë pozitiv të karrierës së saj për filmin e ri “Certified Copy” që i dha edhe çmimin si aktorja më e mirë në Festivalin e Filmit në Kanë këtë vit. Në këtë film ajo interpreton pronaren e një galerie arti në një fshat të vogël në Toskana të Italisë dhe rastësisht takohet me një shkrimtar anglez, i cili këtu interpretohet nga këngëtari i operave, William Shimel. Dhe spektatori do të mbetet pas këtij takimi pa frymë me 90 minutat erotike që do të pasojnë dhe që flasin për lidhjen e ngushtë që krijohet menjëherë mes këtij çifti. Binosh përdor joshjen e saj ekstreme, gjysmë misterioze, shpesh të errët dhe gjithmonë fatale. Edhe veshja e saj është shumë ekstravagante dhe e hapur e denjë për këtë rol. Por ajo çka është më interesante është se me gjithë tensionin e madh erotik që përshkon dy personazhet dhe kjo për një kohë shumë të gjatë, asgjë nuk ndodh mes tyre. “Imagjinata është gjithçka”, thotë aktorja e cila e quan madje atë “afrodiziakun” më të madh që ekziston. “Ndonjëherë t’i çosh disa gjëra përtej një kufiri do të thotë t’i përkeqësosh. Kjo vlen edhe për një lidhje mes dy njerëzish që mund të jetë eksplozive dhe erotike deri në njëfarë distance, pasi më pas mund të jetë zhgënjyese.

Ajo është një nga ato aktore që jep shumë rrallë intervista për gazeta dhe ka një dëshirë që shkon deri në obsesion për të mbajtur të fshehtë çdo detaj të jetës së saj personale. Kjo ka bërë që mistikja që e karakterizon të jetë edhe më e madhe. Por për shumë njerëz jeta e saj intime, edhe pse nga burime të pakonfirmuara është e zjarrtë, e larmishme dhe e suksesshme pak a shumë si edhe vetë karriera. Ajo ka dy fëmijë nga baballarë të ndryshëm dhe ka pasur një sërë marrëdhëniesh publike me njerëz të shquar, duke filluar nga ajo me irlandezin Daniel Day-Lewis e deri tek Oliver Martinez që më vonë u bë i dashuri i Kylie Monogue. Nuk ka vënë kurrë kurorë, por ka pasur 4 propozime martese njërin prej të cilëve sapo e ka refuzuar. “Unë thjesht nuk u përgjigjem dhe çka është e çuditshme këto propozime më kanë ardhur gjithmonë në momentin më të keq për mua, me pak fjalë kur marrëdhënia ishte në të përfunduar dhe ndërsa unë mendoja për fundin partneri mendonte për fillimin e diçkaje tjetër. Një gjë e tillë nuk mund të ndodhte. Për mua nuk ka qenë kurrë koha e duhur për të bërë një marrëdhënie të përhershme. “Kur ish-presidenti francez, Miteran, e ftoi për darkë, ajo e refuzoi, sepse Miteran kishte një qëllim të qartë që ta shndërronte atë në të dashurën e tij. Dhe Miteran nuk ka qenë i vetmi President që ka avancuar në drejtim të saj. Kur ajo ishte duke bërë një turne në Shtetet e Bashkuara pati një ftesë nga Presidenti Klinton që e ftoi të bënte një vizitë në Shtëpinë e Bardhë. Ajo nuk e pranoi ftesën, sepse ora e saj përkonte me atë të shfaqjes që ajo po jepte në Broduej. Por Klinton, këmbëngulës siç është në rastet e femrave, vendosi që të ishte ai që do të linte Shtëpinë e Bardhë për të zbarkuar në Nju Jork. Por në këtë takim nuk mund ta shkëpuste Hilarinë, e cila gjatë gjithë kohës nuk ua ndante sytë. “Unë kam nevojë për lidhje, por ka raste që kur më zgjat një lidhje shumë ndiej një klaustrofobi dhe marrje fryme. Dhe në fund të fundit për mua gjëja më e çmuar që kam është liria, fakti që kam ende shanse dhe zgjedhje për të bërë. Nuk shoh kurrë pas sepse jetoj në të tashmen dhe pse kjo gjë i bën disa njerëz që të mendojnë se unë mund të jem një qenie pa zemër, por në fakt unë kam nevojë për lirinë time që të eci përpara”

Kur e takon personalisht ajo është një grua tipike mesdhetare me linja të rrumbullakosura, me dëshirën për të nxjerrë në pah gjoksin dhe sensualitetin e pjesëve të tjera të trupit dhe e gjallë ndërsa flet dhe rrëfen për veten duke vënë në punë të gjitha gjymtyrët. Pasioni është një nga tiparet që e karakterizon gjatë gjithë kohës, është si një zjarr që digjet dhe djeg. “Po unë jam shumë pasionante. Përfshihem menjëherë në situata pasionante dhe nuk mund të ndryshoj. Zhytem e tëra në çdo gjë që jam duke bërë”. Në portretizimin e violinistes në filmin “Alice dhe Martin” ajo u zhyt për muaj me radhë në studimin e personazhit, madje nisi që të luante edhe violinën. Ndërsa kur punonte për “Dashnorët e urës” një film për lypësit e Parisit nisi që të flinte nën urë dhe nëpër rrugë.

Dhe bëhet fjalë për filma që kanë pasur shumë sukses në Francë dhe janë pritur mirë edhe nga publiku i huaj dhe kjo kryesisht për shkak të vërtetësisë së interpretimit të saj. Kur nisi punë për të interpretuar në filmin “Çokollata”, ajo shkoi që të takonte autoren e librit dhe kaloi me të një pjesë të kohës për të marrë impresionet e duhura që do ta ndihmonin të krijonte personazhin. Por sa më shumë që studiot e mëdha kinematografike kanë dashur me një mënyrë, apo tjetër që ta joshin, aq më i madh ka qenë refuzimi i Binosh për të qenë pjesë praktikave të tyre të punës, kryesisht i praktikave hollivudiane. Kështu, ajo ka lënë të zhgënjyer Spilbergun, i cili e donte për rolin kryesor në filmin “Jurasic Park” për të cilin më pas bashkëpunoi me aktoren Laura Dern. Brian De Palma e donte për filmin me Tom Cruize “Mission Impossible”. Madje atë nuk e bindën as telefonatat e bëra nga Harrison Ford i cili gati iu përgjërua për ta pasur si protagoniste në filmin “Indiana Jones”. “Unë nuk kam pishmanllëqe. Nuk është se kam pasur ndonjë gjë kundër këtyre filmave që i kam refuzuar apo qoftë edhe kundër aktorëve dhe regjisorëve që donin të punonin me mua. Ajo që unë kam refuzuar është i tërë sistemi i funksionimit të Hollivudit. Nëse do një karrierë në atë vend dhe je grua duhet që t’i bësh mirë llogaritë para se të vësh këmbën”,thotë Binosh. “Nuk kam qenë kurrë e gatshme që të jem pjesë e atij stereotipi grash që Hollivudi ka kërkuar gjithmonë që t’ia paraqesë publikut. Ato janë studio që nuk të lënë të lirë të krijosh por të shndërrojnë në një kukull. Unë nuk do të isha e lirë po të punoja aty, ndaj u kam thënë “jo” të gjitha ofertave dhe jam shumë e lumtur që e kam bërë një gjë të tillë, sepse të paktën kam bërë zgjedhjet e mia dhe atë që më ka pëlqyer pa më detyruar kush të bëj të kundërtën. Kam luajtur shumë filma të ndryshëm dhe kam marrë vendime të ndryshme, kam pozuar për “Playboy”, e të tjera, por jam e qetë se gjithçka që kam bërë e kam bërë me vendimin tim dhe jo e detyruar. Dhe nuk ka të bëjë me presionin ndaj të cilit të vë Hollivudi për të punuar në mënyrë që filmi të shesë sa më shumë bileta. Jo. Ka të bëjë me faktin se sa dëshiron të bësh gjëra që janë pro lirisë tënde. Sigurisht që refuzimet më kanë kushtuar, sepse në Hollivud bëhet para e madhe, por nuk e kam problem, thotë Binosh.

“Nëse do ta jetoja jetën time edhe njëherë nuk do të bëja asnjë ndryshim në të. Kam qenë një njeri që di të mbijetojë që në fëmijëri dhe rini, sepse prindërit e mi u divorcuan dhe edhe pse nuk më kundërshtuan kurrë për zgjedhjen time për të punuar si aktore kanë dashur sigurisht që të bëja diçka tjetër. Fillimisht për të paguar studimet kam bërë të gjitha punët që më kanë dalë përpara. Nëna ime më mbështeti financiarisht vetëm vitin e parë dhe më pas nuk mundi më. Në jetë ka shumë zhgënjime dhe refuzime, por përballja me to është pjesë e jetës”.

Javën e kaluar në Paris, ajo u sulmua nga njëri prej aktorëve më të famshëm në Francë, i mirënjohuri Gerard Depardieu. Gjatë një konference shtypi ai e quajti Binosh “Një hiç”. “Më thoni cili është sekreti i zonjushë Binosh? Unë çuditem se si ka mundësi që është respektuar për kaq shumë vjet. Çfarë ka bërë për ta merituar një respekt të tillë? Ajo është një hiç”, tha aktori. Fillimisht Binosh refuzoi që të reagonte, por më në fund, pasi u mendua tha: “Nuk e kam takuar kurrë këtë aktor, ose ndoshta mund ta kem takuar një herë të vetme. Më kujtohet vetëm që në një rast më përgëzoi për filmat e mi”.
shko