e hënë, 6 shtator 2010

Topi deputetetve shqiptar 'Mos na zhgenjeni'

RAJONI: Pak orë para nisjes së sesionit të ri parlamentar ne Shqiperi , presidenti i Republikës se Shqiperise  Bamir Topi në një mesazh nga presidenca, kërkoi nga politika shqiptare që të angazhohet për gjetjen e zgjidhjeve për çështje që kanë të bëjnë me vendin. 

“Një ndjenjë keqardhje dhe zhgënjyese më shoqëroi gjatë gjithë sesionit të parë të kësaj legjislature, por edhe një shpresë se debati politik në Shqipëri do të rikthente demokracinë parlamentare pothuajse të munguar gjatë një viti, duke provuar se ajo mbetet akoma shumë e brishtë ndonëse po i afrohemi dy dekadave të pluralizmit politik. Keqardhja dhe zhgënjimi shoqëroi edhe qytetarët e vendit tonë, të cilët besuan se 28 qershori i vitit 2009, do t’i jepte fund përvojës negative të betejës politike të tejzgjatur mbi fitimtarët apo humbësit duke marrë përsipër përgjegjësitë politike të rotacionit, të qeverisjes dhe të opozitës”, tha Topi në një deklaratë të sotme për shtyp nga Presidenca. 

“Fatkeqësisht edhe partnerët ndërkombëtar vijojnë të mbeten të zhgënjyer nga pamundësia e politikës shqiptare për të gjetur një platformë të përbashkët për zgjidhjen e problemeve”, vijoi ai. 

Më tej, kreu i shtetit u shpreh se gjatë një viti funksionim të Parlamentit, nuk është miratuar asnjë ligj me vota të cilësuara, ndaj shtoi ai, demokracia duhet të funksionojë dhe politika duhet të gjejë gjuhën e përbashkët. 

"Nuk është e rastit që gjatë një viti nuk kemi qoftë edhe një ligj të miratuar me votë të cilësuar. Në kuptimin substancial demokracia funksionale nënkupton nevojën e një konsensusi bazal për të ardhmen e një vendi demokratik. Çdo mazhorancë që vjen në pushtet duhet të dijë se nuk mund të kryejë reforma të rëndësishme pa një votë të gjerë që do të thotë konsensus", theksoi Presidenti. 

“Roli i Kuvendit dhe kontributi i të zgjedhurve nuk maten me numrin e shumtë të ligjeve, por edhe duke qenë më afër qytetarëve”, u shpreh Topi. 

Topi këmbënguli se Kuvendi është tejet i rëndësishëm në këtë cast jetik për vendin ndaj kërkohet edhe konsensusi i forcave politike. Mungesa e konsensusit, tha ai, ka një cmim të lartë për vendin dhe të ardhmen e tij. 

“Anëtarësimi në NATO na ngarkoi me përgjegjësi të gjera. Reformat e thella politike që duhen zbatuar, kuadri ligjor që duhët cuar më tej, qëndrueshmëria e një reforme kërkojnë më shumë se vullnetin e një ligji”. 

Në mesazhin e tij, kreu i shtetit tha se Shqipëria ndodhet më afër Bashkimit Evropian dhe më së afërmi përmendi liberalizimin e vizave. Për këtë arsye, Topi tha se është e rëndësishme një reformim rrënjësor i administratës dhe larg emërimeve partiake. 

"Sot, ne ndodhemi më afër Bashkimin Evropian se asnjëherë tjetër, në vigjilje të reformës së rëndësishme, por të merituar, të liberalizimit të vizave Shengen, të gatshëm për t’iu përgjigjur detyrimeve tona që rrjedhin nga ky proces i rëndësishëm për qytetarët tanë", u shpreh Presidenti.

Ne fund te fjales, kreu i shtetit duke ju uruar ligjvenesve suksese dhe një fillim të mbarë, tha se "mbetem me besimin se gjatë këtij sesioni, kuvendi do të përmbushë me përgjegjësi detyrimin e tij kushtetues, ligjor, kombëtar dhe qytetar në shërbim të popullit shqiptar". 

Pas një ndërprerje njëmujore të aktivitetit parlamentar, deputetët do të ulen në sallën e rikonstruktuar të Kuvendit. Sesioni i tretë i legjislaturës së XVIII-të të Kuvendit të Shqipërisë nis zyrtarisht punimet mesditën e së hënës me seancën plenare hapëse.
shko