e diel, 12 shtator 2010

Vajza e pastorit Jones ia mbushi mendjen qe te mos e djeg Kuranin

Nuk dihet nëse pastori tashmë “famëkeq” që kërkon të djegë Kuranin do ta marrë më guximin për të bërë një gjë të tillë në të ardhmen, pasi ka hequr dorë për momentin, por tashmë ai ndodhet në qendër të vëmendjes së opinionit amerikan dhe botëror. Në fakt jo ai, por fenomeni i mbrapshtë i fondamentalizmit fetar. Në një intervistë, e bija e pastorit Terry Jones rrëfen se si iu lut babait që të mos e ndërmerrte një veprim të tillë. Në lidhje me të atin ajo thotë se ai është viktimë e zhgënjimeve të tij personale.
Babai juaj donte që t’u vinte flakën qindra kuranëve në kishën e tij në Florida. Çfarë mendimi keni pasur në lidhje me këtë plan?
Jam e tronditur dhe padyshim që e dënoj këtë vendim. Kur dëgjoj atë që ka thënë nëpër intervista së fundi, mbi të gjitha në lidhje për motivet që e nxisin për një gjë të tillë, më duket sikur kam të bëj me një njeri të huaj.

A i keni kërkuar që të hiqte dorë nga kjo ide?
Po. I kam dërguar një e-mail të gjatë. I shkrova: Baba, mos e bëj. Në fakt nuk kam pasur kontakte të shumta me të që kur ai u largua nga Këlni në vitin 2008. Por duke qenë se plani i tij m’u duk i tmerrshëm, vendosa që t’i shkruaj dhe t’i kërkoja të mos e bënte një gjë të tillë dhe mbi të gjitha të merrte në konsideratë pasojat, jo vetëm ato personale, por pasojat globale të një veprimi të urryer.
A morët përgjigje?
Jo. Por, nuk mendoj se ai do ta bëjë një gjë të tillë.
Përse mendoni se babai juaj i sheh islamikët në një mënyrë kaq armiqësore?
Kjo është diçka e re. Për shumë vite ai ka jetuar në Këln dhe ka qenë fillimisht i orientuar nga Bibla, por më pas nisi të zhvillonte elementet e sektit. Pak para se të linte Këlnin në vitin 2008 dhe të kthehej në Shtetet e Bashkuara, nisi që të thoshte se islamikët ishte duke u forcuar shumë dhe se ne nuk duhej ta lejonim një gjë të tillë. Por unë vetë nuk jam rritur me një radikalizëm të tillë.
Si jeni rritur ju?
Ne jemi rritur në një shtëpi, në të cilën vlerat kristiane ishin parësore dhe kishim zakone shumë strikte. Por, nga ana tjetër, kemi qenë edhe shumë socialë. Në shtëpinë tonë vinin njerëz të ndryshëm nga e gjithë bota dhe ne kemi qenë të hapur për gjithçka.
Ish-anëtarë të kishës së babait tuaj kanë folur për dhunë
psikologjike, punë të detyruar, parregullsi financiare dhe rrahjen e fëmijëve nga njerëzit. Të gjitha pra në adresë të babait tuaj. Janë të vërteta?
Mamaja ime, Liza Jones, ndërroi jetë në vitin 1996 nga një ndalim zemre. Menjëherë më pas babai im u rimartua dhe unë e lashë kishën në moshën 17-vjeçare. Në vitin 2005 ai më ofroi një punë si llogaritare në një kompani që i përkiste kishës, e cila shiste mobilie të dhuruara në ‘ebay’. Aty arrita të kuptoja shumë gjëra, ndër të cilat edhe faktin që im atë bënte predikime dhe veprime, të cilat nuk ishin aspak në përputhje me Biblën. Ai kërkonte që njerëzit t’i bindeshin në mënyrë absolute dhe pa asnjë diskutim dhe gruaja e tij e dytë, Silvia, është e tillë. Të dy janë shumë të dhënë pas pushtetit dhe parasë. Në këto momente përjetova një zhgënjim shumë të madh nga im atë, i cili predikonte Zotin dhe vepronte në kundërshtim me moralin e tij. Veprimet e tij ishin të denja për një sekt. Ata të dy donin që të kontrollonin gjithçka që kishin përreth.
A e kundërshtuat babanë tuaj në atë kohë?
Po. Nuk kam qenë dakord me shumë gjëra që bënte ai, të cilat i kam konsideruar si shfrytëzim në kurriz të të tjerëve dhe abuzime psikologjike. Vazhdimisht ia vija në dukje pakënaqësitë që kisha. Në fund ai më thirri në zyrën e tij dhe më tha se kishte marrë një mesazh nga Zoti për mua: “Zoti do të më marrë fëmijët dhe do të më vrasë”. Kur dëgjova një gjë të tillë u çova në këmbë dhe ika. Më pas kam kontaktuar me anëtarët e kishës dhe jam përpjekur që t’u çel sytë. Dhe mund të them se në shumë raste kam qenë e suksesshme.
A është e vërtetë se kisha e Këlnit e përzuri babanë tuaj?
Po.
A u largua me të dashurën e tij nga qyteti?
Ishte një tërësi rrethanash që e bënë të largohej nga qyteti. Unë dhe të tjerë anëtarë të familjes e takuam dhe i kërkuam që të ndryshonte, të ndreqte gabimet. Por ai nuk hoqi dorë. Përkundrazi u përkushtua edhe më shumë në atë që besonte dhe bënte. Kur doli më pas edhe çështja e abuzimeve me financat e kishës, atëherë ai befas u zhduk.
A jeni ju ende e përfshirë me kishën?
Jo.
A besoni se babai juaj e kishte seriozisht kërcënimin për djegien e Kuranit?
Po. Im atë nuk është nga ata që heqin dorë kollaj kur kanë një ide në kokë. Si vajza e tij mund të shoh se thellë brenda tij ai është një njeri pozitiv, por ka nevojë për ndihmë, sepse këtë thelb e ka të veshur me shumë anë negative.
A është yt atë një njeri megaloman?
Kam frikë se po. Jam e bija dhe e kam të vështirë të flas për tim atë, por kjo është një e vërtetë.
Në kishën e tij aktuale në Florida kanë ardhur me të disa nga personat me të cilët ai ka qenë edhe në Këln. Kjo do të thotë se ka marrë me vete në Amerikë disa njerëz të tjerë, me të cilët ka qenë i lidhur në Gjermani?
Po. Disa nga ndjekësit e Gjermanisë janë tani me të edhe në Shtetet e Bashkuara.
Babai juaj ka thënë së fundi se do ta marrë në konsideratë ndryshimin e planeve të tij nëse përfaqësuesit e Shtëpisë së Bardhë do ta kontaktojnë personalisht.
Nuk jam në dijeni për një gjë të tillë dhe nuk e di se çfarë ka në mendje kur e kërkon një gjë të tillë. Mendoj se ai ka dalë mendsh. Por unë jam e bindur se ai mendon se ideja dhe plani i tij janë të mira dhe të drejta.
Ai ka thënë se vendimi përfundimtar do t’i vijë nga Zoti. Yt atë e konsideron veten si një individ që është në lidhje të vazhdueshme me Zotin dhe merr mesazhe prej tij?
Po. Ai vazhdimisht e ka krahasuar veten e tij me Moisiun.
Nëse do ta dinit se babai juaj do ta lexonte këtë intervistë, çfarë mesazhi do t’i përcillnit?
I vetmi mesazh që unë mund t’i përcjell është që të kërkojë ndihmë. Është në rrugë krejtësisht pa krye, por duhet ta dijë që pavarësisht të gjithave, ka ende njerëz që e njohin. Sinqerisht shpresoj që ai ta kuptojë dhe të vijë në vete.
shko