e hënë, 11 tetor 2010

Medvedev dhe tendenca për t’u shkëputur nga Putini

Medvedev dhe tendenca për t’u shkëputur nga Putini


Elita politike ruse po shtrëngon gjithnjë e më shumë radhët rreth Presidentit aktual të vendit, Medvedev, duke braktisur kështu dikur shumë të fuqishmin Putin
Duket se vendimi për shkarkimin e kryebashkiakut të Moskës që prej 18 vitesh, Juri Lushkov, i ka dhënë Medvedevit pavarësinë e shumëdëshiruar prej dikur
mentorit të tij, Vladimir Putin, aktualisht Kryeministër i Rusisë. E ndërsa ndërmori një veprim që pak kohë më parë do të kishte tingëlluar si i paimagjinueshëm, Medvedev ka deklaruar se do të garojë në vitin 2012 për të rimarrë një tjetër mandat presidencial. Beteja e vërtetë mes dy të mëdhenjve të Rusisë, nuk do të jetë dhe nuk ka qenë kurrë një betejë publike. Të gjitha vendimet më të rëndësishme të vendit, veçanërisht vendimi se cilët do të jenë kandidatët presidencialë të vitit 2012, merren dhomave të errëta të Kremlinit nga njerëzit që përbëjnë rrethin e ngushtë të aleatëve të Putinit. Medvedev është një anëtar i ri i këtij rrethi njerëzish të gjithëpushtetshëm.


Por së fundi ka shenja që Medvedev kërkon ta ketë pushtetin e tij më vete dhe ajo çka duket më interesante, është se mbështetësit kryesorë dhe kyç të Putinit janë duke kaluar nga Putini te Presidenti aktual.


Shenja e parë dhe më domethënëse e një lëvizjeje pro Medvedev në elitën ruse është krijimi i një partie të re politike të quajtur Përpara Rusi, sipas një fraze të përdorur në një fjalim shumë mbresëlënës të Medvedevit një vit më parë në lidhje me nevojën urgjente të vendeve për t’u modernizuar. Kjo parti drejtohet nga një përzierje e çuditshme e ish-mbështetësve të Putinit, si ish-koloneli i KGB-së dhe deputeti i Dumës, Gennady Gudkov, dhe ish-figurat e opozitës si Vladimir Ryzhkov dhe Boris Nadezhdin (të dy ish-liderë të partive të vogla të qendrës). Politikat e kësaj partie të re janë hartuar në thirrjen e Medvedevit për fokusimin e Rusisë te të ashtuquajturat “4 I”: institucionet, infrastruktura, inovacionet dhe investimet për të shkëputur njëherë e përgjithmonë varësinë e vendit nga rezervat e jashtëzakonshme në naftë dhe në gaz. “Nëse ne do të vazhdojmë edhe në të ardhmen siç po ecim aktualisht, brenda një periudhe prej 10 vitesh Rusia mund të mos ekzistojë më si vend në kufijtë që e njohim sot”, thotë zëvendëskryetari i Partisë Përpara Rusi, Nikita Krichevskij, drejtoi i Institutit Strategjik që i referohet thënies së Medvedevit se “modernizimi i vendit ka të bëjë me çështjen supreme të ekzistencës sonë si komb”. Një konferencë e partisë së re javën e kaluar përfshiu 400 anëtarë të saj nga 56 rajone të vendit dhe deri më tani kjo parti ka mundur që të tërheqë mbështetjen e një sërë faktorësh të rëndësishëm, aviatorësh, sportistësh dhe personalitetesh televizive në vend.


Bota ruse është një botë plot çudi dhe në vazhdën e këtyre çudive është edhe ajo e krijimit të një grupi brenda partisë së themeluar dhe drejtuar nga Putini, Rusia e Bashkuar, e një grupi rival që mban të njëjtin emër si Partia e re, Përpara Rusi! Boris Gryzlov, lideri i Rusisë së Bashkuar, deklaron se askush nuk ka të drejtë që të “privatizojë” parullën e Medvedevit dhe se partia e tij e mbështet dëshirën e Presidentit për modernizim dhe ndërkohë është një mbështetëse e flaktë e vetë Presidentit. Ish-mbështetësit e Putinit, të cilët njëri pas tjetrit duket se po shfaqen pro Medvedevit, kanë krijuar idenë se Presidenti do të ketë shumë shpejt mbështetjen e gjerë të njerëzve dhe faktorëve të rëndësishëm brenda e jashtë vendit dhe mbi të gjitha mbështetjen e klasës politike dhe asaj mediatike. Ai madje ka nisur që të bëjë edhe programin e vet politik me disa shkëputje nga linjat zyrtare të Putinit. Kështu, praktikisht, Medvedev ka braktisur idenë gjysmake të hedhur më parë nga Putini për krijimin e një bashkimi doganor mes Bjellorusisë, Kazakistanit e Rusisë dhe u është rikthyer bisedimeve për anëtarësim në Organizatën Botërore të Tregtisë, bisedime të cilat Putin në kohën kur ishte President, i kishte braktisur. Medvedev duket se e mirëpret një linjë paqësore marrëdhëniesh jo vetëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe me NATO-n, ndërkohë që i ka mbështetur sanksionet e reja të Organizatës së Kombeve të Bashkuara ndaj Iranit dhe është zotuar që të mos i shesë Iranit sistemin mbrojtës antiraketë S-300, duke i dalë kundër edhe njëherë vendimeve të Putinit.


Ndërsa në nivelin lokal, ai bllokoi ndërtimin e një autostrade në veri të Moskës, një projekt i mbështetur prej shumë kohësh nga Kryeministri Putin. Dhe së fundi, shkarkimi i Lluzhkov nga kreu i Bashkisë së Moskës ishte tërësisht një iniciativë personale e Medvedevit dhe mbi të gjitha ishte një sinjal i qartë se ai nuk ka më frikë të veprojë me grusht të hekurt ndaj anëtarëve të elitës, nëse ata nuk do të denjojnë që t’i binden Kremlinit. Medvedev, megjithatë, mbetet një partner më i dobët në çiftin qeverisës të vendit, pra atë Putin-Medvedev, por me rritjen e numrit të mbështetësve mundësia e shkëputjes dhe daljes më vete nga Putini po rritet.
shko