Në një sallë të Këshillit të Europës në Strasburg, një grup akademikësh, këshilltarësh qeveritarë dhe përfaqësuesish të komunitetit rom, jane bashkë për të diskutuar hapat e ardhshëm në kuadrin e projektit paneuropian të titulluar: “Dhjetëvjeçari i integrimit të romëve 2005-2015”. Ideja e “një dhjetëvjeçari”, sipas
autorëve të programit, është “përmirësimi i statusit ekonomiko-social të romëve në Europë”. Faza e ardhshme do t’i shohë romët të përfshirë edhe në muze dhe projekte kulturore në vendet kryesore të Bashkimit Europian dhe mbi të gjitha do t’u krijojë atyre mundësi që të shpalosin dhe të flasin për kulturën dhe zakonet e tyre. Në fakt, bëhet fjalë për një nismë të profilit të ulët, me financime të pakta, por që tashmë në kuadrin e asaj që po ndodh në Francë ka marrë rëndësi dhe vëmendje të veçantë. Pikërisht, falë politikës së Sarkozisë për t’i shpërngulur romët nga Franca, çështja e tyre ndodhet në qendër të debatit europian. Po si ka ndodhur një gjë e tillë?
Romët kanë qenë në periferi të çështjeve europiane, që kur arritën në këtë kontinent nga India, rreth një mijëvjeçari më parë. Ata nuk kanë pasur kurrë pretendime territoriale dhe nuk kanë nisur kurrë luftëra dhe kanë prodhuar shumë pak figura të denja për të zënë një vend në librat e historisë. Në të shkuarën ata kryesisht kanë jetuar duke lëvizur shpesh nga një vend në tjetrin dhe duke e fituar bukën e gojës përmes tregtisë, hedhjes së fallit, tregtisë së kuajve dhe asaj të metaleve për skrap.
Ata shpesh dhe jo gjithmonë me të drejtë, mund të jenë paragjykuar si njerëz me moral të dyshimtë, të aftë për të bërë lloj-lloj rrengjesh, por në fakt, e vërteta është se ata kanë pasur dhe kanë një botë krejtësisht të tyren, ashtu sikundër ne kemi tonën me të mirat dhe të këqijat që bashkëjetojnë. Për hir të së vërtetës, krimet e tyre shkonin deri te vjedhjet e xhepave apo ndonjë vjedhje tjetër jo e rëndë.
Por befas, Presidenti i Francës Sarkozi, dhe Kryeministri i Italisë, Berluskoni, duan që të na bëjnë të besojmë se komuniteti rom është një grup njerëzish që përfaqëson rrezikshmëri të lartë për sigurinë e qytetarëve të tjerë dhe për këtë arsye, më mirë të zhvendosen nga Europa Perëndimore dhe të shkojnë në vendet e tyre të origjinës. Kjo përpjekje e turpshme e Sarkozisë të kujton ligjin kriminal të tribuve, të miratuar nga britanikët në Indi, në vitin 1871, sipas të cilit stigmatizoheshin 181 komunitete dhe fise indiane me etiketën “kriminelë të lindur”.
Një studim i fundit ka dalë në përfundimin se ky ligj ishte rezultat i një injorance dhe dashakeqësie të thellë ndaj kulturës indiane. Sot, në shekullin e 21-të, pyetja që bëjmë është: A janë duke bërë të njëjtën gjë sot edhe italianët dhe francezët? Nëse po, çfarë fshihet pas kësaj? Ishte Presidenti Sarkozi ai që solli çështjen rome në qendër të vëmendjes me veprimet e tij, por ndërkohë ishte Italia që me politikën e saj, i trajtoi ciganët si të ishin të gjithë kriminelë dhe kërkoi madje edhe shpërnguljen e tyre. Dhe paradoksalisht, për herë të parë, kjo gjë u kërkua nga një politikan i rëndësishëm i së majtës, një ish-komunist. Ciganët kanë emigruar në Itali nga Ballkani, që nga shekulli i 15. Sot, popullata rome e Italisë mendohet të kapë shifrën 180 mijë persona. Si edhe në vende të tjera, edhe në Itali, kjo popullsi ka qenë e veçuar nga shumica tjetër e popullsisë për shkak të zakoneve, gjuhës dhe kulturës së ndryshme. Ajo që ka ndryshuar 20 vitet e fundit është arritja në masë në Perëndim e një numri të madh emigrantësh nga Europa Lindore dhe Qendrore, pra edhe nga Rumania. Por ndërkohë, momenti më delikat ishte ai i hyrjes së Rumanisë në BE, në vitin 2007, çka u dha mundësi qytetarëve romë të këtij vendi që të zhvendoseshin në Perëndim. Ata erdhën sidomos në Itali dhe u vendosën në këtë vend. Ndërkohë kjo bëri që vendi, në njëfarë mënyre, të shkonte në një situatë krize. Ndërkohë Italia i mbajti të kufizuar dhe të paintegruar romët. Krahasuar me Jugosllavinë e Titos, ku romët u përfshinë në jetën e vendit, kjo sjellje e Italisë mund të konsiderohet shumë primitive dhe aspak produktive. Dhe mbi të gjitha, në Perëndim romët u përballën me ringjallje të paragjykimeve ndaj tyre. Italianët nuk kanë informacion për sa i takon kësaj popullate, kulturës, prejardhjes dhe vlerave të saj. Mungesa e informacionit është një nga shkaqet e paragjykimit. Italianët menduan se të qenit nomadë është karakteristikë e kësaj popullate, pra ata u nuk u përfshinë në programe integruese si refugjatët e tjerë dhe u lanë që të grupoheshin në kampe me çadra dhe tenda. Si rezultat u krijuan ngujime të tipit të getove. Ndërkohë, çështja e romëve dhe e emigrantëve është kthyer në një çështje të mirëfilltë votash në Itali dhe në Francë, në një tentativë të Sarkozisë gjithashtu për të fituar votat e ekstremit të djathtë. Por ndërkohë dhe fatkeqësisht, ata që po e pësojnë janë njerëzit e pafajshëm.
