e hënë, 11 tetor 2010

Lakmia eshte vazhdimesi e krizes ekonomike

Lakmia eshte vazhdimesi e krizes ekonomike


Bankat e investimeve të të gjitha llojeve kanë nisur sërish të bëjnë para të madhe. Kjo pjesërisht edhe falë paketave të ndihmës nga qeveria. Si për ironi, ato po përfitojnë nga kriza në shpërthimin e së cilës kontribuuan me sa mundën. E ndërsa fitimet shtohen, në të njëjtin përpjesëtim rriten edhe rrogat e punonjësve bankarë dhe sidomos të ekzekutivëve të lartë, vetëm se këtë herë, e gjitha kjo po bëhet tërësisht në kurriz të parave të taksapaguesve 


Anshu Jain, 46 vjeç, dëgjoi me shumë vëmendje, në mënyrë stoike dhe në qetësi vërejtjet e aksionerëve në mbledhjen e përvitshme të “Deutsche Bank” në fund të muajit maj. Shumë prej tyre qenë përfshirë nga shqetësimi se banka sapo kishte raportuar humbjen e saj më të madhe gjatë vitit 2008, me vlerë 3.9 miliardë euro. Për këtë humbje Jain, si bankieri kryesor, ishte plotësisht përgjegjës. “Deutsche Bank”, si të gjitha bankat e mëdha të investimeve, ndërmori risqe të mëdha në vitet e bumit ekonomik, duke spekuluar me ato që sot kanë marrë emrin “asete toksike” për shkak se “helmuan” bilancin e bankave. Por ndërkohë që aksionerët, në mbledhjen e tyre vjetore, u morën me debatet e diskutimet për krizën dhe shkaktarët e saj, e politikanët në të gjithë globin po haheshin me njëri-tjetrin për të futur në sistem rregulla më strikte ndaj aktiviteteve bankare me risqe të mëdha, Jain po shihte një tjetër aspekt të krizës. Ai po e konsideronte atë si një oportunitet të ri. Hapi i parë ishte rifutja e llogarive të konsumatorëve sërish në lojë. Kjo do të pasohej nga investimet spekulative në tregtinë e pasurive të paluajtshme. “Ajo çka do të shohim shumë shpejt do të jetë përvijimi i 5-6 lojtarëve globalë tepër të fuqishëm në sektorin e investimit bankar. Shitjet dhe tregtia do të vazhdojnë të sigurojnë pjesën e luanit për këta lojtarë”, deklaroi bankieri në një media britanike. Zakonisht ai njihej për një person shumë të rezervuar.


Në dukje spekulimi kishte funksionuar për “Deutsche Bank”. Falë shkathtësisë dhe kapjes së situatës në kohën e duhur nga ana e Jain, shefi ekzekutiv i bankës, Josef Ackerman njoftoi një shifër fitimesh disa milionëshe. Dhe jo vetëm kaq, por banka, me sa duket ia ka dalë që të heqë mënjanë disa rezerva në miliarda dollarë, që do të shpërndahen në formë bonusesh për bankierët. Tashmë është e qartë që kazinoja u hap sërish në mbarë botën. Një numër i madh bankash investimesh po deklarojnë sërish përfitime të mëdha, përmes ndërmarrjes së risqeve dhe thithjes së individëve të talentuar të paguar me paga të majme. Kolapsi i sistemit financiar u parandalua, por kjo vetëm falë shpenzimeve të stërmëdha publike. Qeveritë i furnizuan bankat “e sëmura” me kredi të garantuara dhe bankat qendrore injektuan në tregje miliarda euro dhe dollarë. Por tani, që më e keqja duket se është hedhur pas shpine, bankat që e kanë marrë veten i janë rikthyer së njëjtës mënyrë funksionimi që i futi në telashe. Madje më keq se kaq. Falë garancinë që kanë nga qeveritë për sektorin financiar dhe paratë e lira nga bankat qendrore, për bankat e investimeve bërja e parave nuk ka qenë kurrë më e lehtë se sot.


Mundësitë për fitime në mesin e krizës
“Ata që po vazhdojnë të humbasin në këtë okazion janë taksapaguesit”, deklaron shefi i operacioneve dhe i transaksioneve ndërkombëtare i Bankës së Investimeve. Sipas tij qeveria dha garanci për disa banka, figuracionet e të cilave aktualisht po tregtohen në treg me një zbritje të madhe të çmimit. Bankat e Investimeve ka blerë siguracione me paratë që ua morën hua bankave qendrore me një përqindje qesharake. Sipas një shefi banke, që qëndron në kushtet e anonimitetit, bankat e investimeve, fondet e investimeve dhe investitorët më të mëdhenj, ishin të bindur se qeveritë, pas shpalljes së falimentit të “Lehman Brothers” në shtator, do t’i shpëtonin nga kolapsi. Në fat përqindjet për bonot bankare kanë nisur të rriten dhe lojtarët e parë agresivë në treg kanë arritur që të kenë përfitime të jashtëzakonshme. “Fatkeqësisht, bonot ‘e këqija’ të kandidatëve për falimentim aktualisht po rishiten”, thotë ekzekutivi i bankës. Përfituesja më e madhe e “bamirësisë” së taksapaguesve ka qenë banka e investimeve “Goldman Sachs”, që njoftoi një fitim rekord prej 9.7 miliardë eurosh, në tremujorin e dytë të këtij viti. Ajo përdori paratë që mori nga ndihma qeveritare dhe Rezerva Federale për të bërë spekulime, duke vepruar sikur të mos ishte bankë, por një fond investimesh gjigand. Përfitimet nga tregtimi i pasurive të paluajtshme thuajse janë dyfishuar në krahasim me një vit më parë, ndërkohë që të ardhurat janë shtuar me 186%. Dhe oreksi i shefit të “Goldman Sachs”, Lloyd Blankfein, për rreziqe, është gjithnjë e në rritje. Fakti që kjo bankë u ul në pozicionin e një banke të zakonshme investimesh gjatë krizës, duke humbur kësisoj një numër të madh privilegjesh të pozicionit të mëparshëm, duket se nuk ka ndikuar te drejtuesit e saj, pasi ata vazhdojnë sot të operojnë me të njëjtin mentalitet që i futi në krizë. Me të “korrur” fitimet e para, shefat nxituan që të heqin mënjanë miliarda dollarë për bonuset e fundvitit. Nobelisti i famshëm, Paul Krugman, ka shkruar së fundmi tek “New York Times” se “ajo që është e mirë për ‘Goldman Sachs’ është e keqe për Amerikën” dhe se “zakonet e këqija të ‘Wall Street’ nuk janë zhdukur.” Edhe gazeta pro-biznes, “Wall Street Journal” kritikoi bankën. Ajo çka është më alarmuese është se bankat e investimeve të formës klasike, po tregojnë shumë pak vëmendje ndaj gjësë më kryesore të një banke: huadhënies. Arsyeja është e qatë: risqet janë më të larta në sektorin e huadhënies, ndërkohë që shkalla e përfitimit është shumë më e ulët.


Duke qenë se bankat nuk mund të detyrohen për të dhënë kredi, kompanitë janë detyruar që të gjejnë mënyra të tjera për të marrë para. Si për ironi të fatit, kriza aktuale, e cila nisi në tregjet e kapitaleve, aktualisht po i forcon  këto tregje. Kompanitë po detyrohen që të marrin bono për të përfituar para. Lëshimi i bonove nga bankat është për to një operacion pa rrezik. Ajo që vihet re tani në masë është emetimi i vazhdueshëm i bonove. Vetëm në Europën Kontinentale, kompanitë, përveç bankave, kanë marrë hua 318 miliardë dollarë në gjashtë muajt e parë të këtij viti. Kjo përfaqëson një rritje prej 50% në krahasim me mesataren e tre viteve të fundit. Bumi në tregtinë e bonove, i përmasave të tilla, nuk është parë që nga vitet ‘80. Kriza e ka bërë tregun e bonove sërish joshës, duke shkaktuar rritjen e çmimeve për shkak të shtimit të kërkesës. Por jo të gjitha bankat janë të afta që të bëhen pjesë e kësaj loje të madhe e fitimprurëse. Shumë banka ende po vuajnë në mbushjen e “vrimave” të bilanceve të tyre. Punonjësit e këtyre bankave janë të pamotivuar dhe në pritje që të marrin oferta nga vende të tjera pune. Por pjesës më të madhe të këtyre njerëzve do t’u duhet që të presin gjatë, sepse fituesit e kësaj krize, banka si “Goldman Sachs”, “JP Morgan Chase” dhe “Deutsche Bank”, përmes huave të mëdha që i morën shtetit, kanë para vetëm për elitën, trurin e bankave. Duket se edhe në mesin e krizës, ata më të shkathëtit dhe të zgjuarit ia kanë dalë të bëjnë shumë para, ndërkohë që pjesa më e madhe ende nuk po e kupton se cilat janë rregullat e reja të lojës. Bankat që japin kredi janë të humbura në konfiguracionin e ri. Por bankat e investimeve, që janë të specializuara në tregtimin e kredive ekzistuese, kanë më shumë shanse fitimi. Pjesa më e madhe e bankave që ishin shumë aktive në kreditim ndaj kompanive në të shkuarën, ndodhen nën presion nga rregullatorët bankarë për të reduktuar portofolat e tyre të kreditimit. Për sa i përket bankave të investimit, ato i janë kthyer tashmë edhe atyre transaksioneve që luajtën rol parësor në përmbysjen e sistemit. “JP Morgan”, për shembull, ka nisur në raportojë sërish fitime rekord. Në vitin 1999, grupi financiar njujorkez, u mor me tregtimin e disa lloj siguracionesh që rezultuan shkatërrimtare në ekonominë botërore, një vit më parë. Megjithatë, në mars, “JP Mprgan”, rifilloi zakonin e vjetër duke u shndërruar sërish në një lojtar kryesor në treg. Por jo të gjitha bankat e investimeve janë të suksesshme. “Bank of America”, kompania më e madhe financiare në Shtetet e Bashkuara, raportoi rënie 24% në të ardhurat e 3-mujorit të dytë të vitit. Po ashtu edhe “Morgan Stanley”, ndërkohë që në ato ujëra ndodhet “Citigroup”. Me pak fjalë, ditët e “turpit” kanë marrë fund dhe tashmë ka dalë motoja e re: “Ne jemi sërish dikushi”. Ata që i kanë mbijetuar krizës e panë atë si një mundësi historike për të bërë para dhe po përpiqen me të gjitha mënyrat që të përfitojnë sa më shumë që të jetë e mundur. Shefat e “Goldman” janë ndër të vetmit që po i lejojnë vetes këtë vit pushime. “Deutsche Bank” gjithashtu është bërë pjesë e rrethit të ngushtë të bankave të fuqishme të investimeve.


Pasurimi në kurriz të taksapaguesve
Në Gjermani, “Commerzbank” është nga ato banka që nuk mund të konsiderohet më konkurruese, e kjo në shumë aspekte bankare. Deri-diku, ky rezultat ishte i qëllimshëm. Pasi bleu “Dresddner Bank” në fillim të vitit, banka në mënyrë sistematike ka reduktuar risqet. Por “Commerzbank” është banka e dytë më e madhe e vendit dhe çdo ditë e më tepër, po humbet specialistët që i duhen për arritjen e maksimumit në biznese të ndryshme. Kjo ndodh sepse pagesat e punonjësve dhe ekzekutivëve janë ulur. Në vende të tjera, rrogat po rriten me shpejtësi sërish. Madje edhe në ato banka që u shpëtuan tërësisht me paratë e taksapaguesve, ka nisur dhënia e bonuseve. I tillë është rasti i “Citigrouop”, që ka planifikuar një rritje pagash prej 50% këtë vit. Kjo pavarësisht faktit se është shpëtuar nga paratë e njerëzve. Banka të tjera përfshi UBS dhe “Morgan Stanley” kanë filluar t’u japin nëpunësve të tyre bonuse, rritje pagash që variojnë nga 30 deri në 60%. Sipas një vlerësimi të fundit, rrogat në të gjithë industrinë bankare pritet të rriten 20-30% gjatë këtij viti. Bankierët në “Goldman” janë më të fituarit. Nëse gjithçka do të shkojë mbarë, ata pritet të marrin një të ardhur prej 770,000 dollarë për kokë, që do të ishte edhe kompensimi më i madh vjetor në historinë e bankës. Vetëm pak muaj më parë, shefat ekzekutivë të “Wall Street” ndodheshin kokulur e të heshtur në komisionet e kongresit, duke duruar sharjet dhe inatin e politikanëve. Por tani bankierët, pasi kanë fituar sërish vetëbesim, në mënyrë të paskrupullt po bëjnë fushatë kundër planeve të qeverisë për futjen e sistemeve të rreptë rregullatorë e mbikëqyrës në industrinë bankare. Në këto pozita të riforcuara, njerëzit e “Wall Street” nuk mendojnë në realizimin e masave specifike të qeverisë. Ata nuk janë aspak të përgatitur për të toleruar një sistem rregullator të fortë. Për këtë qëllim, “JP Morgan” dhe “Goldman Sachs” kanë formuar një grup lobistësh për të parandaluar ndërhyrjet vendimtare të qeverisë në sistemin e kontrollit të veprimtarive të tyre. Imazhi i bankierëve të “Wall Street: nuk ka të ngjarë të ndryshojë. Nuk është e mundur që nga lakmitarë e të pangopur ata të shndërrohen sa hap e mbyll sytë në persona të përgjegjshëm. Disa vjet më parë, bankat e investimeve u pasuruan me paratë e konsumatorëve. Kur ai burim fitimi u bë i papërfillshëm, atëherë ata nisën të thithnin paratë e aksionerëve. Së fundi ia dolën që të përfitojnë nga sasia më e madhe e parave që kanë pasur ndonjëherë: paratë e taksapaguesve.
shko