e hënë, 11 tetor 2010

Shkëlqimi dhe rrënimi i një tregtari armësh

Shkëlqimi dhe rrënimi i një tregtari armësh


Bout sigurisht që e ka ditur se ishte duke dhunuar embargot e vendosura nga OKB-ja me dërgesat që bënte në Liberi dhe Angola, sepse ai më parë sigurohej që pilotët e tij të bënin kujdes për t’u mos identifikuar.



Perandoria e Bout arriti zenitin e saj në momentin e ndërrimit të mijëvjeçarit, kur gazetari belg, Dick Draulans, u lejua që ta shoqëronte në zemrën e errët të Kongos. Bout ndodhej aty për të bërë biznes me Jean-Pierre Bemba, lideri i famshëm rebel (dhe më pas zëvendëspresident). Ai e furnizonte rebelin me helikopterë luftarakë. Por kjo nuk mjaftonte për rebelët, të cilët u ankuan se në ngarkesën e tyre kishte diçka që mungonte: alkooli. Bout, duke e ndier se situata mund të dilte jashtë kontrollit, i tha njërit prej pilotëve të tij, që të fluturonin në frontin armik përgjatë natës. Pas disa orësh, piloti më në fund solli me vete disa arka me birrë.


“Ishte një sjellje tipike e Bout”, thotë më pas Draulans, “një njeri i zgjuar, fleksibël, shumë i orientuar ndaj kërkesave të blerësve dhe i hareshëm”. Gazetari thotë se nuk ka parë kurrë ndonjë tjetër anë të Bout gjatë udhëtimeve së bashku. Por rusi vetë nuk pinte kurrë, ishte shumë besnik ndaj së shoqes dhe nuk e humbiste kurrë gjakftohtësinë. Ishte një biznesmen kokë e këmbë. Tre truprojat e tij ruse, vazhdon gazetari, ishin si personazhe të filmit “Rambo”. Vetëm një herë gazetari belg e pa Bout në një moment sentimental. Ai ishte duke zhvilluar një lloj plani Marshall për Afrikën dhe thoshte se kërkonte që të tërhiqte investitorë, të mbronte pyjet nga shpyllëzimi, si edhe elefantët nga gjuetia e pakriter. Viktor Bout deklaronte vazhdimisht se ishte i vendosur që të ndihmonte Afrikën. Ai thoshte se kishte arritur të bënte për vete investitorë të fuqishëm nga Dubai dhe Afrika Qendrore për të kontribuar në “ato peizazhe parajse ku dua të jetoj me gruan dhe vajzën time”. Por vetë gazetari belg nuk ishte i bindur për këtë dhe pjesërisht për faktin e natyrës aspak romantike të partnerëve me të cilët Bout bënte biznes. Tejlor dhe Bemba, të cilët konsideroheshin kriminelë lufte në atë kohë, dhe që tani janë pas hekurave të burgut, nuk mund të ishin aq romantikë.


Viti 2001 ishte edhe pika e kthesës për karrierën e Bout. Dy persona që punonin në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri i kishin vënë vetes qëllim që ta kapnin Bout. Një nga avionët e rusit, që ishte porositur për një ngarkesë nga një mision humanitar i OKB-së, ishte identifikuar si avioni i njëjtë me atë që ishte filmuar disa javë më parë, por këtë herë me një ngarkesë armësh. Një nga ndjekësit e Bout, Johan Peleman, është një person që e ka arritur gjithçka vetë në fushën e tregtisë së armëve. Në mesin e viteve ’90, Peleman, një ekspert i letërsisë mesjetare, punonte për një organizatë bamirëse me zyra në një manastir françeskan në Antverp. Ndërsa ishte duke punuar, ky njeri idealist nisi që të mblidhte edhe informacion për Bout dhe avionët e tij të cilët, çuditërisht, gjithnjë gjendeshin në zonat e luftërave. “Unë u trondita që politika, ideologjia apo konsideratat morale nuk luanin as rolin më të vogël në operacionet e Bout”, thotë Peleman. Bout u jepte armë të gjitha palëve në konflikt, si rebelëve kongolezë, ashtu edhe Presidentit të Zahiresë, Mobutu, i cili së fundi ka shkuar në mërgim”.


Këmbëngulja e Peleman arriti që të binte disa ekspertë të OKB-së, të cilëve ai u kishte dërguar një raport të detajuar në lidhje me të gjitha fluturimet dhe certifikatat e dyshimta të blerësve. Në vitin 1999, OKB-ja e punësoi Peleman si “kërkues”. Puna e re bëri që ai të shtinte në dorë shumë informacione të reja, pamje satelitore dhe llogari bankare. Në një raport për Angolën që Peleman e dorëzoi në Këshillin e Sigurimit të OKB-së në fund të vitit 2000, rusi përmendej për herë të parë për lidhje me trafikun e armëve.


Lee Wolosky nuk ishte shumë më ndryshe nga Peleman. Wolosky, një avokat amerikan dhe politikan karriere, ishte një person që operonte brenda sistemit. Nëse Peleman ishte shumë emocional në realizimin e qëllimit të tij dhe madje me një sens shumë të qartë dhe të hapur revolte, Wolosky ishte jashtëzakonisht gjakftohtë dhe i bënte të gjitha punët me një inteligjencë dhe mprehtësi të jashtëzakonshme. Ai ishte diplomuar në Harvard për çështjet e Rusisë. Kishte shërbyer në Shtëpinë e Bardhë si drejtor i kërcënimeve transnacionale dhe kishte qenë pjesë e stafit të sigurisë kombëtare.


Në vitin 2000, dosja e Bout, një informacion që ishte vetëm pak faqe i trashë, u vu mbi tryezën e Wolosky. Ishte një rast që e magjepsi amerikanin menjëherë. Më vonë ai do të thoshte: “Bout përfaqësonte një fenomen tipik të pas luftës së ftohtë, për të cilin nuk kishte një kuadër ligjor për ta ndaluar. Askush nuk po bënte diçka të ngjashme me të dhe nuk mund të vepronim”.


Ndërsa bënte kërkimet e tij për administratën e Bill Klintonit, Wolosky fokusohej tek Afrika dhe çka ishte më e rëndësishme tek Afganistani. Bout i furnizonte talebanët dhe përmes kësaj nisi që të kishte lidhje edhe me atë pjesë të botës. Shenjat e Bout ishin kudo ku kishte konflikte në botë. Por në mesin e vitit 2001, Bout nuk mund të fluturonte më në të gjitha cepat e botës. Shumë nga avionët dhe kompanitë e tij monitoroheshin dhe hapësira e tij e veprimit u reduktua ndjeshëm. Wolosky shpresonte që të merrte një fletë arresti ndërkombëtar për Bout, por mbështetësit e tij të vetëm ishin belgët, të cilët e kufizonin akuzën e tyre deri te pastrimi i parave. Bout kishte shkuar në Rusi dhe ky vend dukej që nuk kishte aspak dëshirë ta ekstradonte qytetarin e saj mbi këto akuza.


Prioritetet ndryshuan pas sulmit të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara. Wolosky, një demokrat, nuk ishte pro administratës së re republikane të Bushit dhe njësia e tij speciale u shpërbë. Në një shkrim të korrikut të vitit 2002 në gazetën “Los Anxhelos Times”, Wolosky kritikoi ashpër dështimin e Uashingtonit për të vepruar në rastin e Bout. Ai ishte gjithashtu kritik edhe ndaj Moskës, i cili i kishte dhënë Bout mbrojtje, edhe pse ishte i akuzuar. Wolosky vendosi që t’u kthehej në këto rrethana praktikave ligjore si avokat.


Por pikërisht atëherë ndodhi diçka që Woloski nuk e kishte imagjinuar edhe në ankthet e tij më të tmerrshme: qeveria amerikane nisi të bashkëpunonte me tregtarin e vdekjes dhe e punësoi atë që të furnizonte me armë luftën e amerikanëve në Irak. Deri më sot mbetet e paqartë nëse ky bashkëpunim ishte rezultat i një pune të pakujdesshme të disa zyrtarëve, apo Uashingtoni dinte gjithçka në lidhje me pronarin e “Irbis Air”, kompanisë së regjistruar në Kazakistan. Megjithatë është e qartë që avionët e Bout u subkontraktuan nga Komanda Ushtarake Ajrore Amerikane, si kontraktor i KBR-së, një kompani në pronësinë e konglomeratit të Halliburtonit deri në vitin 2000. Ish-presidenti i atëhershëm i Shteteve të Bashkuara, Çeni, ka qenë shefi i madh i Halliburtonit deri në vitin 2000. Është gjithashtu e qartë se fluturimet e subkontraktuara nga “Irbis Air” zbarkonin të gjitha në Bagdad dhe në bazën ajrore të Baladit, për të cilën të gjithë pilotëve u kërkohej një leje e posaçme, që nënkuptonte se ata duhet të kishin kaluar nëpër shumë filtra kontrolli.


Gazetarët Farah dhe Braun më pas zbuluan se “Irbis” kishte kryer të paktën 1000 fluturime në Itali në vitet 2003 dhe 2004. Ja çfarë shkruan ata: “Taksapaguesit amerikanë i kanë ‘dhuruar’ 60 milionë dollarë Viktor Bout”. Në atë kohë, ish-presidenti Bush po u kërkonte aleatëve të tij që ose të “bëheshin me Amerikën, ose të ishin kundër saj”, në një luftë kundër terrorizmit. Pikërisht në këtë moment tregtari rus i armëve ishte duke fituar miliona. Ai ishte njëherazi në kërkim dhe subkontraktor i Pentagonit.


Departamenti i Shtetit e vuri Bout në një listë të zezë vetëm në vitin 2005. Që nga ajo kohë e më pas ai shihej vetëm në Moskë në restorantet e shtrenjtë apo në baret e lokaleve të shtrenjta me 5 yje. Veç kësaj bënte vizita të rregullta edhe te kompania pjesërisht shtetërore “Isotrex”, e cila kishte të bënte me të gjitha fabrikat dhe uzinat e armatimeve në Rusi. Partia e ultranacionalistit Valdimir Zhirinovski i ofroi Bout një vend në listën e saj zgjedhore, që do t’i kishte garantuar atij një vend në Parlamentin rus, Duma. “Po çfarë do të bëj unë aty? Unë di t’i zgjidh vetë të gjitha problemet e mia”, iu përgjigj Bout.


Në vitin 2008 gjërat u qetësuan për Bout, i cili jetonte i qetë në një apartament shumë luksoz me bashkëshorten dhe të bijën. Një revistë amerikane “Newsweek” deklaroi se Bout ishte përfshirë në trafikun e armëve të Hezbollahëve në Liban, por nëse kjo do të dilte e vërtetë, ai duhej që të tregohej shumë i kujdesshëm. Dhe në fakt kështu po bënte. Ai nuk e la më Rusinë, me përjashtim të një udhëtimi misterioz në Kinë. Ishte koha kur shumë persona që shpresonin ta shihnin pas hekurave të burgut e humbën shpresën se një gjë e tillë do të ndodhte. Gazetari belg, Draulans, ishte ende duke raportuar nga Afrika, por tani ai i shmangte të gjitha luftërat civile dhe shpërndarësit e armëve, duke u përpjekur që ta harronte Bout. Hetuesi Peleman ende ishte i vendosur në idealizimin e tij dhe po koordinonte trupat paqeruajtëse në Kongo. Ish-eksperti i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Wolosky, ishte bërë partner në një firmë të madhe avokatie, ndër klientët e së cilës ishte edhe kompania e sigurimeve AIG, zotërit e së cilës, jo më të mirë se “zotërit e luftës”, thuajse e çuan në katastrofë ekonominë botërore.


Tani kishte mbetur vetëm një person që mund ta shkatërronte Viktor Bout: Bout vetë. Një gjë e tillë mund të ndodhte për shkak të idesë së tij të madhështisë për veten, pakujdesisë, apo të dyjave bashkë.


Diku aty nga nëntori i vitit 2007 duhet të jetë bërë një plan në Shtetet e Bashkuara për t’i ngritur Bout një kurth. Një njësi speciale e DEA-s kontaktoi Bout përmes një personi të tretë me emrin Andrew Smulian, i cili e dinte shumë mirë rusishten. Smulian i propozoi Bout një marrëveshje me shumë leverdi. Ai i tha tregtarit të armëve se guerilasit kolumbianë të FARC-ut donin që të blinin 20 milionë dollarë armatime: 700 raketa tokë-ajër, 5000 AK-47 pushkë, një sasi shumë të madhe municionesh dhe një sasi ende të paspecifikuar minash. Bout ishte shumë dyshues dhe u përpoq që të identifikonte anëtarët e FARC-ut, që thuhej se ishin të përfshirë në këtë marrëveshje. Ai kishte bërë biznes me FARC-un një dhjetëvjeçar më parë, kur kishte hedhur armatime në xhunglat e Amerikës së Jugut. Në momentin e fundit, Bout vendosi që të mos shkonte në takimin e lënë me këtë rast në Bukuresht. Agjentët e DEA-s, të zhgënjyer që pritën në aeroportin e kryeqytetit rumun, e mallkuan Bout për profesionalizmin e tij.


Agjentët megjithatë vendosën që të tentonin sërish, por këtë herë në vend të Bukureshtit zgjodhën Bangkokun.


Duket se këtë herë lakmia arriti që t’i mundte instinktet e Bout. Ai ishte i bindur se nuk kishte për t’i ndodhur gjë në Tajlandë, ndaj vendosi të fluturonte në Bangkok më 5 mars të vitit 2008 për “pushime”. Pasi mbërriti ai kërkoi një hotel me 5 yje, “Sofitel Silom”, në lagjen e biznesit të Bangkokut, ku rezervoi një suitë në katin e 15. Para se të varte jashtë derës tabelën: “Mos më shqetësoni”, Bout prenotoi një dhomë konferencash për në orën 15.00 dhe pas kësaj shkoi në shtrat.


Gjatë takimit ai kaloi dy orë duke negociuar me përfaqësuesit e rremë të FARC-ut. Ai diskutoi në lidhje me programin e tyre të armatimeve dhe ra dakord që t’u jepte të gjitha armatimet që i duheshin. Kur agjentët e fshehtë i shpjeguan se raketat duhet që të ishin të tilla që të qëllonin dhe rrëzonin avionët amerikanë, ai u tha se i mbështeste përpjekjet e tyre dhe se ishte në favor të qëllimit të amerikanëve. Pikërisht në këtë moment agjentët dolën hapur dhe Bout u dorëzua pa rezistencë.


Fillimisht ai u dërgua në burgun e famshëm për krimet e rënda, ku u fotografua me veshjen portokalli të burgut, me duart në pranga dhe në këmbë. Fillimisht Bout u fut në një qeli me vrasës, përdhunues fëmijësh. Sigurisht që ndër të burgosurit e tjerë kishte dhe provokatorë, të cilët e nxisnin Bout që të fliste. Por ai mbante distancë dhe më pas u dërgua në një qeli individuale.


“Qelia ime është 2 metra katrorë”, i tha ai së shoqes kur erdhi për ta vizituar. Ajo u lejua ta kontaktonte dhe të fliste me të shoqin vetëm përmes xhamit. Kushtet në burg ishin shumë të këqija. Ushqimi i tmerrshëm, nxehtësia e padurueshme dhe vendi shumë i papastër. Bout humbi kilet e tepërta dhe përfitoi nga 40 minutëshi i shëtitjes në oborr për t’u stërvitur dhe madje mësoi gjuhë të tjera të huaja nga të burgosurit e tjerë. Të shoqes i kërkoi fjalorë të gjuhës urdu, farsi dhe turqisht. Kohën e kalon me lexime dhe ka filluar që të pëlqejë shumë Paulo Coelho, autorin e “Manualit të luftëtarit të dritës”. Në mënyrë ironike biznesmeni i pamoralshëm është shndërruar në një tifoz të çmendur të autorit të famshëm, i cili predikoi tolerancë dhe sjellje civile.


Bout ka 2 vjet që ndodhet në burg. E shoqja Alla që nga ai moment është zhvendosur në Bangkok. Ajo nuk ka asgjë të përbashkët me gratë e pasanikëve të tjerë, që mund të quhen si “gra trofe”, të cilat shoqërojnë zakonisht biznesmenët e pasur rusë. Është një grua shtatshkurtër dhe flokëkuqe, që po lufton si një luaneshë për të shoqin, shpesh duke fjetur nëpër taksi përballë burgut. Ajo është e vendosur për t’i ndaluar amerikanët që ta ekstradojnë në Shtetet e Bashkuara, duke thënë: “Ata e shndërruan tim shoq në një monstër”.


Avokati i Bout thonë se amerikanët nuk kanë prova bindëse kundër Bout. Regjistrimet e bëra nën pretendime të rreme nuk përfshihen në prova. Edhe zyrtarë të lartë rusë ndajnë të njëjtin mendim. Ministri i Jashtëm rus, Lavrov, e ka cilësuar arrestimin e Bout “të motivuar politikisht” dhe është zotuar që të bëjë gjithçka në fuqinë e tij për ta sjellë në shtëpi qytetarin rus. Parlamenti rus, Duma, ka miratuar një rezolutë mbështetëse në favor të tij dhe shtypi rus proqeveritar e ka portretizuar Bout si një “martir”, i cili duhet që të mbrohet nga kthetrat e CIA-s. Është pamohueshme se në Bangkok ndodhën disa gjëra shumë të çuditshme. Sirichoke Sopha, një anëtar i Parlamentit dhe një këshilltar i afërt i Kryeministrit të vendit Abhisit Vejjajiva, i ka bërë vizitë të burgosurit në muajin prill, një ditë të diel. Sopha thuhet se i ka ofruar rusit një marrëveshje. Tajlandezët duan që ai të dëshmojë në lidhje me një avion që autoritetet e Bangkokut kanë kapur në dhjetor të vitit 2009 me 35 tonë armatime në bord, që ishte nisur nga Koreja e Veriut drejt Iranit dhe drejtohej nga një pilot të cilin Bout e njihte. Nëse anëtarët e opozitës tajlandeze janë për t’u besuar, marrëveshja e përfolur ka të bëjë edhe me ekstradimin e ish-kryeministrit tajlandez, Thaksin Shinawatra dhe akuzave për terrorizëm. Qeveria tajlandeze donte që Bout të dëshmonte për inkriminimin e ish-kryeministrit. Ata donin gjithashtu që Kremlini të kthejë politikanin, i cili aktualisht është duke e kaluar pjesën më të madhe të kohës në Malin e Zi dhe në Moskë. Vetëm nëse këto kushte do të plotësoheshin, Bout do të ishte i lirë të shkonte në Rusi. Akuzat e amerikanëve ndaj Bout bazohen tërësisht vetëm mbi ngjarjen e ndodhur në Bangkok. Akuzat kryesore janë: “konspiracion me qëllim vrasjen e amerikanëve” dhe “mbështetje të organizatave të huaja terroriste”. Ekspertët që i njohin procedurat e drejtësisë amerikane besojnë se i akuzuari, nëse nuk do të pranojë që të bashkëpunojë, do të kalojë pas hekurave të burgut 30 vjet. Përse vallë e kanë kufizuar amerikanët akuzën vetëm në atë që ndodhi në Bangkok? Mos vallë nuk kanë prova për përfshirje të tjera të paligjshme të Bout? A mos vallë Uashingtoni kërkon që, së paku përkohësisht, të mbrojë mbështetësit rusë të Bout? Apo mos vallë komuniteti amerikan i shërbimeve sekrete dhe Pentagoni janë duke i bllokuar prokurorët nga formulimi i akuzave të tjera me shpresën se do të shmangin bashkëpunimin e tyre të turpshëm me tregtarin e vdekjes?


Gjithsesi Bout duket se e ka marrë malli shumë për Moskën. “Moska është vendi i vetëm ku ndihem i sigurt”, i tha së shoqes, që nga ana tjetër është një shenjë për lidhjet e tij të ngushta me zyrtarët e lartë të qeverisë. Si tregtarët e armëve, ashtu edhe ata që hetojnë në lidhje me veprimtarinë e tyre, bëjnë një jetë shumë të rrezikshme në atë pjesë të botës. Ivan Safronov, një gazetar që ka shkruar për marrëveshje të tilla, gjeti vdekjen në Moskë në vitin 2007. Edhe pse gjithçka u stis si të ishte një vetëvrasje, ka prova që bëhej fjalë për një vrasje. Oleg Orlov, një tregtar armësh rus, është arrestuar në Kiev dhe menjëherë është vrarë në burg, në dukje nga një shok i burgut.


Edhe pse për vëllain, Viktor mbetet një optimist, ka fakte që flasin ndryshe. Në një letër të fundit të Viktorit nga burgu i Bangkokut, ai bën një deklaratë pesimiste në prag të një ekstradimi shumë të mundshëm në SHBA. “Amerikanët kanë mënyra për të bërë çdo kënd që të flasë. Ndoshta do të më torturojnë me substanca kimike, apo do të më çojnë në ndonjë kamp si Guantanamo. Gjithsesi unë nuk do të kem një gjyq të ndershëm në Shtetet e Bashkuara”. Dhe në fund të letrës shkruan: “Nëse do të vdes në burg, nuk do të jetë nga shkaqe natyrale”. 


(Vijon nga artikulli i djeshem)




Filmi i dedikuar Victor Bout - Lord of War
shko