Agron Llakaj |
Do të jetë kumbari i 50 mijë eurove, në një program ku të fitosh është më e rëndësishme se të qeshësh.
Po e përjeton si të gjitha ndarjet në jetë, sigurisht me keqardhje.
Por tashmë është një vendim i firmosur. Pas shtatë vitesh si moderator i spektaklit “Portokalli”, Agron Llakaj ka vendosur të largohet nga "Portokalli", për t’u rishfaqur në një tjetër ekran, me një tjetër format.
Bëhet fjalë për programin “Kush do bëhet milioner” , që nga janari do të drejtohet nga Agron Llakaj në “Tv Klan”. Në intervistë për “Panorama Plus”, Llakaj zbulon arsyen e këtij ndryshimi në karrierën e tij.
"Realisht ky projekt nuk lindi tani. Oferta m’u bë që në muajin mars, personalisht nga përfaqësesi i “Grand media” në Kosovë, që ka blerë patentën për 10 vite të formatit , “Kush do bëhet milioner”.
M’u ofrua me shumë kënaqësi që të isha unë drejtuesi i ri, duke u provuar nëpërmjet një testi. Është një show-kuiz tepër familjar, bazuar në konceptin që nëse dikush duhet të fitojë, ai mund të fitojë vetëm nëpërmjet dijeve. M’u duk si një dritare e ngrohtë familjare dhe që më duhej ta rrokja. Ndaj me të marrë ofertën, fillimisht e ofrova pranë institucionit “Top Channel”, por drejtuesit nuk e pranuan.
Në këtë aspekt unë gjithmonë i bëj pyetje vetes se nëse unë jam një nga ikonat e “Top Channel”, mendoj që ata duhet ta shikonin dhe ta pranonin këtë projekt që u ofrohej nga unë, pasi nisur nga çështjet financiare, për këtë program nuk do më paguante televizioni, por “Grand Media”.
Pasi nuk u realizua diçka në “Top Channel”, ata më kërkuan të isha patjetër unë prezantuesi dhe unë vendosa si kusht që të shfaqesha vetëm në televizion kombëtar dhe u vendos për “Tv Klan”. Deri tani unë s’kam asnjë komunikim me “Klan”-in, por vetëm me “Grand media”, deri në momentin e mbylljes së kontratës." - ka thënë Llakaj