Shfaqja 'Çifti Martin' me regji të Bekim Lumit, produksion i Teatrit Kombëtar të Kosovës, ka tërhequr vëmendjen e publikut gjerman në edicionin e 20-të jubilar të Festivalit Teatror Kontemporan Europian “Euro – Scene”, i cili, prej 2 – 7 nëntor të këtij viti, u mbajt në Leipzig të Gjermanisë.
Duatrokitjet e publikut gjerman i kanë rikthyer ata në skenë disa herë.
Festivali “Euro – Scene” është një festival ndërkombëtar i teatrit kontemporan, i cili, me formatin, fizionominë dhe traditën e tij 20 vjeçare, zë një vend të rëndësishëm në hartën e festivaleve europiane.
Shfaqjet e këtij festivali, ashtu siç thuhet edhe në web faqen e tij, janë një përzgjedhje e veçantë e dorëshkrimit artistik të regjisorëve dhe koreografëve të rëndësishëm të Europës.
Ndërkaq, shfaqja 'Çifti Martin' dhe regjisori Bekim Lumi kanë tërhequr gjithashtu edhe vëmendjen e shtypit gjerman.
Në këtë kontekst, gazeta kryesore e Leipzig-ut 'Leipziger Volkszeitung', në një faqe të plotë saj, krahas informacionit dhe fotografive të shfaqjes, ka botuar edhe një intervistë të gjatë me regjisorin Bekim Lumi, në të cilën ai ka shprehur pikëpamjet e tij për gjendjen aktuale të teatrit në Kosovë dhe për idetë e tij krijuese në fushën e teatrit.