Dikur dhe tradicionalisht na është përcjellë si mesazh nga më të moçmit dhe më të diturit se në dashuri dhe për dashurinë nuk mund dhe nuk duhet që të nxitohesh.
Në vitet ’70 kishte shumë këngë dhe këngëtarë të grupeve të ndryshme që përcollën përmes muzikës së tyre mesazhin se: Për dashurinë e vërtetë të duhet që të presësh”. Thelbi është se dashuria nuk vjen lehtësisht, edhe pse ndonjëherë vjen atëherë kur nuk e pret. Pikërisht këto fjalë të mençura gjejnë zbatim edhe sot dhe veçanërisht nëse qëllon që të jeni nga ata që nuk lodhen së kërkuari shpirtin binjak në internet nëpër sajtet e pafund që ofrojnë partnerë dhe partnere.
Po t’i keni vënë re reklamat e sajteve të tilla shfaqin gjithmonë çifte të bukura e të reja shumë të kënaqur dhe me buzët vesh më vesh që tregojnë se sa të efektshme kanë qenë klikimet e vazhdueshme në faqet e takimeve. Shpesh fotot kanë edhe fëmijë që do të thotë se çiftet edhe janë martuar dhe trashëguar me fëmijë po aq të bukur dhe të lumtur sa vetë prindërit. Disa nga këto sajte preferojnë që t’u mëshojnë shifrave të personave të çiftëzuar dhe të martuar prej tyre. Kështu eHarmony, një shërbim interneti për gjetjen e shpirtit binjak sipas shifrave të publikuara prej tij bën të ditur se çdo ditë martohen prej lidhjeve me anë të internetit 236 çifte. Bëhet fjalë për të dhëna të vitit 2008.
Një tjetër sajt mblesërish Mathch.com ka bërë një sondazh një vit më parë dhe sipas tij doli se 58500 persona kanë gjetur një partner të qëndrueshëm nga sajti gjatë një periudhe 12-mujore dhe madje ka shumë sajte që ofrojnë një periudhë maksimale prej 6 muajsh për çiftëzimin e atyre që kërkojnë partner. Sigurisht që pjesa më e madhe, në mos të gjitha këto sajte janë me pagesë dhe një biznes shumë fitimprurës për ata që i krijojnë dhe i menaxhojnë. Ndërkohë, abonime falas në sajte të tilla ofrohen edhe nga gazeta të ndryshme si shpërblime për blerjen e gazetës, apo të revistës përkatëse. Përse ka kaq interesante vallë për këto sajte? Pyetja ka një përgjigje shumë të thjeshtë që ne të gjithë e dimë: sepse ne të gjithë duam që të na duan dhe të dashurojmë.
Por ndërsa rastet e lidhjeve të suksesshme dhe afatgjata trumpetohen me të madhe nga agjencitë dhe madje edhe nga media të caktuara, shumë më të rralla janë për shembull lajmet për ata që nuk kanë mundur, edhe pas kërkimesh të shumta, që të gjejnë një partner online. Në këtë rast bëhet fjalë për një ushtri shumë të madhe njerëzish të zhgënjyer që pasi kanë kërkuar dhe klikuar vazhdimisht dhe kanë kontaktuar me shumë subjekte të mundshme e kanë ndalur kërkimin të zhgënjyer nga mundësitë “e pamundura” të këtyre sajteve. Kështu, nëse do të flasim në gjuhën e shifrave 58 500 fatlumët që kanë dalë të çiftëzuar nga sajti Match.com krahasuar me 286 000 të pafatët e zhgënjyer dhe të dashuruar, përbëjnë një shifër tepër të vogël. E pavarësisht kësaj shifre ideja, ose më mirë nami i suksesit të këtyre sajteve është shumë i madh dhe njerëzit vazhdojnë që të besojnë se ata bëjnë mrekulli me jetët e tyre, mjafton që të kesh durim dhe këmbëngulje dhe të mos heqësh dorë shpesh. Në fund të fundit a nuk thotë këtë edhe tradita? Por ajo çka nuk dihet, ose më mirë ajo për të cilën nuk flitet është dëmi që i bëhet stimës që ka njeriu për veten, dhe dëshirës e shpresës për të gjetur partnerin e duhur nga këto sajte. Kjo sepse ata kanë kërkuar edhe në “rezervën” e fundit dhe kanë hequr dorë me dështim dhe ndoshta u është bërë një dëm i pariparueshëm. Njerëzit gjithnjë e më tepër po e kuptojnë se cila është mënyra ndonjëherë e mirë, por shpesh shkatërruese me të cilën luajnë sajtet e njohjeve online. Thelbi i gjithçkaje janë emocionet, të cilat janë të vetmet që fitojnë ose humbin, por në rastin e humbjes çmimi për t’u paguar është i madh. Njerëzit që shkojnë në sajte të tilla janë njerëz të zakonshëm që shpesh nuk është se nuk kanë sukses në gjetjen e partnerëve, por nuk kanë kohë. Janë njerëz që nuk kanë probleme të mëdha në të shkuarën dhe të tashmen e tyre dhe që mendojnë se do të gjejnë dikë që t’i përputhet moshës, shkollimit dhe paraqitjes së jashtme. Janë njerëz që pikërisht për shkak të mungesës së kohës edhe dashurisë duan që ta gjejnë përmes shërbimeve të posaçme të ofruara me pagesë pikërisht nga sajtet që arkivojnë dhe kanë shumë të dhëna dhe persona që duan të lidhen me njëri-tjetrin për arsye nga më të ndryshmet. Dhe këta persona të zakonshëm mund të qëllojë që kanë edhe pjesë të jashtëzakonshme të tyre si bukurinë, zgjuarsinë, apo pasurinë. Të gjithë kanë zgjedhur internetin me nderimin më të madh për këto shërbime dhe me idenë se do të gjejnë shpejt dhe pa humbur kohë partnerin e duhur. Të gjithë ata janë të joshur nga premtimet e një romance të paharrueshme që do të zgjasë tërë jetën. Në fakt, të gjithë ne jemi në kërkim të atij, apo asaj që nuk na është shfaqur ende dhe këto sajte të premtojnë se do të ta ofrojnë këtë gjë. Kërkimi i dashurisë në fakt është gjithmonë një lloj lotarie. Cilat janë në fakt shanset që në këtë botë të madhe të mbushur me njerëz të takohen pikërisht dy gjysmat e së tërës, pra dy njerëz që kanë një përputhje totale me njëri-tjetrin? Interneti të premton se përmes mënyrës së tij të përllogaritjeve të gjen një njeri që më së shumti i shkon për shtat modelit tënd. Dhe në disa raste edhe mund të funksionojë, por për një gjë të tillë duhet durim. Dhe kur durimi është e vetmja gjë që të thuhet edhe pas shumë kohësh kërkimi, atëherë ka shumë nga kërkuesit që bien në një gjendje depresive dhe humbasin konsideratën për veten e tyre. Ajo çka të bën përshtypje është se pothuajse të gjitha karakteristikat janë pozitive dhe flasin për njerëz që kanë shumë cilësi të mira dhe janë të shoqërueshëm dhe ajo çka është paradoksale është fakti që këta njerëz na del se pavarësisht cilësive janë të vetmuar. A e dini që ekziston një biznes jashtëzakonisht i madh i ngritur pikërisht mbi nevojën e njerëzve për të gjetur gjysmën tjetër, sigurisht nga shërbime për të cilat të duhet të paguash para? Kështu, veç të tjerash, për të qenë të efektshëm në gjendjen e partnerit online janë botuar dhe shitur me një sukses të admirueshëm shumë libra të cilët të këshillojnë për mënyrën se si duhet të hartosh profilin tënd, për të qenë joshës dhe sa më i suksesshëm që në fazën e parë të aplikimeve. Ka njerëz që janë aq të fiksuar në këto gjëra sa janë shndërruar në përpirës të vërtetë manualesh dhe në kërkesa të suksesit të madh. Por jo rrallë këta janë edhe ata që zhgënjehen më shumë dhe marrin goditjen më të madhe për sa i përket vetësigurisë dhe vetëvlerësimit. Nëse vazhdimisht refuzohesh ose lidhesh me partnerë që janë nën nivelin tënd, pra që nuk të falin kënaqësi, ndodh që nis e bindesh se je njeri pa sharm e vlera dhe që nuk ke asnjë shpresë. Kjo mund të bllokojë shumë individë dhe t’i çojë edhe në dëshpërim. Por të rralla janë ato shkrime gazetash, apo ata psikologë që merren me këtë aspekt të të kërkuarit të dashurisë në internet, apo më mirë të pasojave të dështimit nga ky kërkim.
Njëri nga shkaqet e këtyre dështimeve të shumta është fakti se shpesh për të joshur dikë ne shënojmë në profilet tona të dhëna që nuk janë të vërteta dhe kur këto përplasen me realitetin, pra me personin tjetër dhe del se kanë qenë të gënjeshtërta goditja është e madhe. Në internet synojmë që t’i zbukurojmë gjërat dhe kjo mund të funksionojë për sa kohë që lidhja është ende virtuale, por në momentin që ajo konkretizohet realiteti virtual shkërmoqet dhe zhbëhet. Kërkimi i një partneri online ngjan me kërkimin për një produkt të zakonshëm në internet. Kompjuterët e sajteve të takimeve bëjnë një përllogaritje të dhënash për të gjetur personat me më shumë shanse dhe përputhje për të qenë bashkë. Por shpesh siç ndodh me kompjuterët që nuk kanë ndjenja, dhe kur bëhet fjala për ndjenja llogaritë nuk hynë në punë fare. Biznesi i takimeve mbetet thjesht një biznes në të cilin zemra ndihet gjithnjë e më jashtë dhe e përjashtuar. Të shumtë janë ata që janë zhgënjyer dhe janë dëmtuar moralisht, por ka edhe nga ata të tjerë që e kanë kuptuar se problemi nuk qëndron tek ata, por te zgjedhja që ata kanë bërë për të kërkuar dhe gjetur dashurinë e jetës së tyre.