Burime të gazetës brenda partisë, kanë njoftuar, që në një takim të zhvilluar të shtunën është arritur ujdia që kryetari i deritashëm, Fatmir Sejdiu, të tërhiqet dhe kryetari i ri i LDK-së të zgjidhet me aklamacion.
Kjo marrëveshje është arritur në parim mes zyrtarëve të lartë të partisë që kanë marrë pjesë në këtë takim dhe Fatmir Sejdiut e Isa Mustafës.
Megjithatë, zyrtari që ka folur në kusht anonimiteti, ka thënë që askush në parti nuk mund të jetë plotësisht i sigurt që Sejdiu në momentin e fundit nuk do ta ndërrojë mendjen.
Fatmir Sejdiu, nën udhëheqjen e të cilit Lidhja Demokratike e Kosovës për herë të parë ka humbur statusin e partisë më të madhe në vend, deri më tani asnjëherë nuk ka pranuar të heqë dorë nga synimi për ta drejtuar këtë parti edhe në një mandat.
Kompromisi që ka ofruar pas presionit publik për të mos kandiduar, ka që të mos i prijë listës së kandidatëve për deputetë të LDK-së, me të cilën do të garohet në zgjedhjet e 12 dhjetorit.
Para takimit të së shtunës ku burimet kanë thënë se është arritur marrëveshja për tërheqje nga kandidatura, Sekretari i përgjithshëm i LDK-së, Ramë Manaj, ka insistuar që Sejdiu do të jetë njëri nga pretendentët për kryetar të partisë.
“Besoj se qind për qind po”, ka qenë përgjigjja e tij.