Rok-grupi i njohur kosovar “Troja”, të shtunën në Prishtinë ka mbajtur koncertin në shenjë proteste për mospërfshirjen e Kosovës në liberalizimin e vizave. Bujar Berisha, vokalist i këtij grupi, ka thënë se koncerti ka arritur të transmetojë porositë. Ndërkaq, qytetarët kanë thënë se janë solidarizuar me qasjen dhe porositë e rok-grupit “Troja”.
Rreth dy mijë spektatorë, mbrëmë në Prishtinë, kanë ndjekur koncertin e rok-grupit të njohur kosovar “Troja”, i cili është mbajtur me sloganin “Young ghettopians” apo “Të rinjtë e getos”.
Bujar Berisha, vokalist i rok-grupit “Troja”, ka thënë se mesazhet që shprehin mospajtimin dhe protestën në adresë të institucioneve të Kosovës dhe atyre evropiane, për mospërfshirjen e Kosovës në liberalizimin e vizave, janë përcjellë me gjuhën e artit dhe se publiku i shumtë është bashkuar rreth qëllimit të njëjtë.
“Ideja e ka bërë të veten, domethënë ideja i ka mbledhur, se tash jemi edhe para fushatës zgjedhore dhe partitë munden sadopak të ndikojnë e të mos i dërgojnë militantët e vet. Por, kjo i kalon krejt, kjo është diçka për krejt ne. Edhe siç po shihet është numër i madh i njerëzve që pajtohen. Dueht diçka jo në rregull që të pajtohet me atë që të të lënë në mes të Evropës në gropë të zezë dhe të izoluar krejtësisht, shprehet Berisha.