e martë, 7 dhjetor 2010

Përse Suedia kërkon të arrestojë Julian Assange?

Çështja e publikimit të materialeve diplomatike në “Wikileaks” është bërë edhe një çështje që ka prekur personalisht jetën vetjake të Juian Assange, shefit të sajtit dhe fytyrës së vetme publike të kësaj organizate.
Bëhet fjalë për akuzat e Prokurorisë suedeze ndaj Assange, për ngacmim seksual.
Të premten që lamë pas, kjo prokurori rilëshoi urdhrin ndërkombëtar të arrestit për 39-vjeçarin nga Australia, i cili mendohet se aktualisht strehohet në Britaninë e Madhe. Assange kërkohej fillimisht në shtator për t’u marrë në pyetje në lidhje me akuzat e dy grave në Suedi, të cilat pretendonin se ai kishte kryer me to marrëdhënie seksuale jo tërësisht onsensale.

Por, në atë kohë këto akuza u hodhën poshtë nga një prokuror suedez dhe Assange mund të konsiderohej i qetë. Por, kjo nuk zgjati shumë, sepse në nëntor, pikërisht ndërsa kishte nisur që të përflitej publikimi i materialeve të reja diplomatike në sajtin e “Wikileaks”, një tjetër prokuror suedez, këtë herë në një pozitë më të lartë se ai paraardhës, hartoi një urdhër arresti mbi akuzat e grave, të cilat duke i riparë, këtë herë i mori për bazë dhe parasysh.
Ndërkohë, Assange ka hedhur poshtë çdo lloj pretendimi të këtyre grave, dhe si pasojë edhe vetë akuzën. Ai u largua nga Suedia në fillim të verës dhe në nëntor ai kërkoi që ta apelonte vendimin e shkallës së parë për arrest, vendim i cili edhe në shkallën e apelit mbeti në fuqi, çka i bën prokurorët sërish të aftë që të kërkojnë arrestimin e tij.
Australiani që thuhet se aktualisht është strehuar në Britaninë e Madhe, i deklaroi gazetës britanike “The Guardian” të premten se, ai i druhej ndonjë komploti të mundshëm për vrasje, të autorizuar nga qeveri të ndryshme të interesuara për një gjë të tillë. Po sipas tij, akuzat që i bëhen janë politikisht të manipuluara.
Avokati i Assange në Britaninë e Madhe i është ankuar qeverisë suedeze në lidhje me arrestin, duke i thënë se një fletë-arresti ndërkombëtar nuk është e nevojshme në rastin e Assange, duke qenë se ai është i gatshëm që t’i përgjigjet të gjitha pyetjeve përmes video-konferencës, në një ambasadë suedeze jashtë vendit apo edhe përmes telefonit. Sipas shumë ekspertëve ligjorë, rasti i Assange është formuluar gabim në shumë pika të tij, dhe nga ana e prokurorëve suedezë janë bërë disa gabime.
shko