e martë, 7 dhjetor 2010

Ja kush fshihet pas Wikileaks dhe vendstrehimi i serverëve

E gjithë bota flet për personin, i cili publikoi dokumentet e klasifikuara te Departamentit Amerikan të Shtetit. Editori i faqes së internetit Wikileaks.org, Julian Assange është një gazetar, programues kompjuteri dhe haker australian.Ekipi vullnetar i Assange, prej katër vitesh publikon në internet çdo lloj dokumenti të fshehtë. Pas publikimit të dokumenteve në lidhje me luftën në Irak dhe Afganistan, ai hodhi në rrjetin global edhe 250 mijë dokumente të klasifikuara te SHBA-ve. 


Vendstrehimi 
Thuhet se vendstrehimi i Wikileaks nuk dihet nga SHBA-ja e as nga shtetet e tjera. Por  diçka është e sigurt:  qendra e Wikileaks është në  një shpellë që i reziston edhe bombave bërthamore. Uebsajti funksionon nëpërmjet Suedisë. Dokumentet që vijnë kalojnë në duart e pesë specialistëve. Menjëherë pas konfirmimit së vërtetësisë së tyre, dokumentet hidhen në internet. Për faqen e internetit Wikileaks punojnë 800 persona, pjesa më e madhe e të cilëve vullnetarë. Wikileaks.org shpenzon rreth 200 mijë euro në vit. Themeluesi i faqes, Julian Assange, duke qenë se është dënuar për përdhunim si dhe frikësohet nga agjentët e CIA-s, jeton në arrati në Zvicër.

Assange
Mendohet se e kaluara e Julian Assange, personit që i del në ëndërr çdo qeverie,  është një sekret më i madh se dokumentet e publikuara. Assange ka lindur në Townsville të Australisë në vitin 1971. Duke qenë se është fëmijë i dy prindërve, të cilët aktrojnë në teatro lëvizëse, Assange thuhet se ka shkuar në shkollë mbi moshën 30-vjeçare. Me synimin që të mos mësohet me autoritetin, familja i ka dhënë mësim në shtëpi. Asange ka filluar studimet në Universitetin e Melburnit për fizikë dhe matematikë, por nuk ka arritur të marrë diplomën. Pas vendosjes në Melbourne në vitet '80, Julian Assange krijoi një grup hakerash, teksa në vitin 1989 pas hyrjes në kompjuterat e NASA-s thuhet se pengoi ngritjen e anijes kozmike “Atlantis”. Nën akuzën e krijimit të grupit të hakerave, në vitin 1991 u arrestua. Para hetuesve u mbrojt duke thënë se “nuk kam bërë diçka të keqe, dhe nuk i kam bërë keq njeriu”. U akuzua se ka hakuar 30 kompjutera, 24 prej të cilëve i pranoi, dhe u lirua me kusht. Në vitin 1994 filloi punën si programues i lirë kompjuterash, teksa në vitin 2006 themeloi Wikileaksin me qëllim që të publikojë dokumentet që kanë në duar gazetarët anekënd botës. Duke pasur parasysh misionin e ndjeshëm të faqes së tij, Assange lëviz në fshehtësi me kujdes, pothuajse në kufijtë e paranojës. Sipas një punonjësi të vjetër të Wikileaks, Assange të gjithë gjerat e tij i mban në një çantë shpine. Assange dhe Wikileaks qëndrojnë në këmbë në saje të ndihmave dhe dhuratave. Assange, i cili për një periudhë në vitin 2010 jetoi në Amerikë, gjatë muajit prill publikoi vrasjen e një fotografi të Rojtersit dhe të dy civilëve nga ana e ushtarëve amerikanë. Ndërsa pas hedhjes në rrjet të 77 mijë dokumenteve lidhur me luftën në Afganistanin, ai iku nga Amerika nga frika e arrestimit të mundshëm. Assange pretendon se është kërcënuar nga një zëdhënës i Pentagonit me fjalët “ose fshiji dokumentet e publikuara, ose ne do të gjejmë një rrugë tjetër”. Por ai nuk u përmbajt, fillimisht publikoi rreth 400 mijë dokumente që kanë lidhje me luftën në Irak, ndërsa tani nxori në dritë rreth 250 mijë dokumente të klasifikuara amerikane.

Çfarë janë Wikileaks dhe çfarë janë dokumentet e zbuluara?
Po dalin hollësi të tjera pas botimit të mijëra copëzave të mesazheve diplomatike amerikane nga faqja e internetit Wikileaks. Midis mesazheve të publikuara është një njoftim se Mbreti Abdullah i Arabisë Saudite i kishte kërkuar Shteteve të Bashkuara të sulmonte dhe shkatërronte instalimet bërthamore të Iranit. Dokumentat e publikuara nga Wikileaks përmbajnë gjithashtu vlerësime jo shumë të favorshme për udhëheqës të ndryshëm botërorë. Ditët e ardhshme pritet të publikohen edhe rreth 30 mijë mesazhe të tjera. Në to bëhen referenca për Lindjen e Mesme, udhëheqës botërorë.

Çfarë janë dokumentet e zbuluara?
Kjo është shumë dëmtuese dhe në të vërtetë është plotësisht e papërgjegjshme nga kushdo që është përfshirë. Ato mund të ndahen në tre grupe kryesore. Një kategori përfshin marrëdhëniet midis vendeve. Njoftimi se Mbreti Abdullah i Arabisë Saudite i ka bërë thirrje Uashingtonit të shkatërrojë instalimet bërthamore të Iranit, futet në këtë kategori. Ka gjithashtu korrespondencë ku Izraeli u thotë zyrtarëve amerikanë se është konsultuar me Egjiptin dhe Autoritetin Palestinez para inkursionit në Gaza në vitin 2008.
Disa nga mesazhet flasin për operacionet amerikane të spiunazhit ndaj zyrtarëve të OKB-së. Në një grup tjetër futen referenca lidhur me qëndrimin e Kinës ndaj SHBA-së dhe në veçanti ndërhyrjet në rrjetet e internetit. Një grup tjetër mesazhesh përfshin komente të pakujdesshme lidhur me udhëheqës politikë botërore. Për shembull, presidenti afgan Hamid Karzai thuhet se është paranojak. Dhe kancelarja gjermane Angela Markel përshkruhet si një person që shmang rreziqet dhe që rrallë herë është krijuese.
Rusia përshkruhet si praktikisht një shtet mafioz. Një diplomat amerikan vë në dukje gjithashtu se koloneli Muammar Gaddafi i Libisë gjithnjë udhëton i shoqëruar nga një infermiere ndjellëse ukrainase.

Sa dëmtuese?
Një ish-ambasador britanik në Arabinë Saudite, Sir Andrew Green, thotë se këto dokumente të publikuara nuk duket se zbulojnë shumë gjera që nuk kanë qenë të ditura deri tani. "Frika dhe dyshimet e sauditëve ndaj Iranit nuk janë diçka për t'u çuditur, dhe kjo është një pikëpamje që dihet gjerësisht në Gji nga pala arabe, por që është shtuar, sigurisht, nga rënia e Irakut që ishte kundërpesha në rajon, pra, frika e tyre është edhe më e madhe se sa ishte më parë," thotë ambasadori Green. "Për t'u çuditur, ndoshta, është se ndërsa Mbreti Abdullah është i prirur për një sulm ushtarak amerikan, vihet re se ministri i tij i Jashtëm, Saud Al-Faisal, në të njëjtin telegram duket se është shumë më i rezervuar lidhur me këtë," shtoi ai.
Megjithatë, analistë paralajmërojnë se duhet pasur parasysh se këto janë mesazhe nga diplomatët që shpesh raportojnë ato që thonë njerëzit e tjerë, pra në një farë mase tregohet se çfarë thuhet e dëgjohet përreth. Por, nga ana tjetër, këto mesazhe vijnë nga një burim me shumë autoritetet dhe ndonjëherë ka edhe njoftime për takime zyrtare.

Çfarë thotë themeluesi i Wikileaks?
Wikileaks është themeluar nga Julian Assange. Duke folur me një grup gazetarësh arabë nëpërmjet një lidhjeje videofonike, ai vuri në dukje një ndryshim shqetësues të administratës së presidentit Obama drejt asaj që ai e quajti "një regjim që nuk beson në lirinë e shtypit."  "Ai (Departamenti i Shtetit) e kupton se ne jemi një organizatë e përgjegjshme, kështu që po përpiqet ta bëjë sa më të vështirë që të jetë e mundur për ne që të botojmë gjera në mënyrë të përgjegjshme me shpresën që të na bëjë ne që të mos botojmë asgjë, sepse po të mos botosh gjë do të thotë të mos botosh abuzimet nga ajo organizatë," thotë zoti Assange.

Reagimet
Departamenti i Shtetit e ka dënuar publikimin e mesazheve konfidenciale duke e quajtur veprim "të papërgjegjshëm". Kongresmeni amerikan Peter King ka bërë thirrje që Wikileaks të shpallet si organizatë terroriste. Sipas tij, zbulimi i këtyre dokumentave po vë në rrezik jetë amerikanësh. Megjithatë një ish-zyrtar i Departamentit amerikan të Shtetit, Aaron David Miller, i tha BBC-së se nuk mendonte se mesazhet e publikuara do të ndikonin në marrëdhëniet e SHBA-së me aleatët e tyre. "Asnjë dokument nga Wikileak nuk do të ndryshojë thelbësisht apo diametralisht marrdhëniet që SHBA ka me aleatët në Lindjen e Mesme apo gjetkë," thotë ish-zyrtari amerikan. "Megjithatë, këtu ka zbulime të procesit diplomatik, vëzhgimeve nga ambasadorët, të gjithë strukturës së raportimit si dhe zbulime të bisedave konfidenciale me një numër udhëheqësish, që do të krijojnë vështirësi dhe turp," thotë zoti Miller.
Në një reagim tjetër, prokurori i përgjithshëm i Australisë, Robert McClelland, thotë se do të hetojë për të parë nëse këto dokumenta përbëjnë shkelje të ligjit australian. "Publikimi i këtij informacioni mund të paragjykojë sigurinë e njerëzve të përmendur në dokumenta dhe mund të jetë në fakt në dëm të interesave të sigurisë kombëtare të SHBA-së dhe aleatëve të tyre, përshirë Australinë," thotë zoti McClelland.Disa të tjerë mendojnë se këto zbulime janë në fakt faji i vetë Uashingtonit. Ish-ambasadori amerikan në Irak, Christopher Hill, thotë se disa nga këto informacione as nuk duhet të ishin shkruar fare në një telegram diplomatik. "Duket një budallallëk i madh po të kihet parasysh fakti se të gjitha këto mesazhe janë dekonspiruar," thotë zoti Hill. "Duhet të them se si ambasador do të shmangia futjen e një pjese të këtyre informacioneve në një mesazh të shkruar," thotë ai. "Kjo është shumë dëmtuese dhe në të vërtetë është plotësisht e papërgjegjshme nga kushdo që është përfshirë."Iraku tha se këto dokumenta të zbuluara nuk ndihmojnë aspak, përkundrazi. Pakistani kritikoi shprehjen e shqetësimeve amerikane se uraniumi shumë i pasuruar mund të përdoret për të ndërtuar armë dëmtuese. Por një zëdhënës izraelit tha se vendi i tij "kishte dalë shumë mirë" nga dokumentat.
shko