e diel, 19 dhjetor 2010

Shtëpia e verdhë dhe Politika e verdhë

Tri aksidente politike, t’i quajmë, njëri pas tjetrit i ndodhën Kosovës gjatë kësaj jave që po e lëmë. Të rëndë, madje secili më i rëndë se tjetri. Edhe sipas kronologjisë. Humbja e Holbrooke-ut mund të ishte ogur për fatkeqësitë tjera që do të vinin. Por nëse vdekja e zoti Holbrooke erdhi papandehur, dy aksidentet e tjera ishin gati-gati të paralajmëruara. Secili po thuaj në mënyrën e vet.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë u bënë vërtet të jashtëzakonshme me, siç po thuhet tani, manipulimet më të mëdha në gjithë “historinë e zgjedhjeve demokratike të Kosovës”. 


Megjithëkëtë, mesazhi i keq që pa dyshim ia dërguam botës jo vetëm me ngazëllimin e ngutshëm të ngadhënjimtarëve por edhe me reagimet e zjarrta të humbësve, u mbulua shpejt nga një mesazh tjetër që kësaj radhe nga bota në erdhi si rrufe nga qielli. Mesazhi i Dick Marty-t. Nuk po them i njëfarë, sepse ai dhe mesazhi i tij në raportin për Kosovën për fat të keq ekziston dhe ka rrezik që ai të na rrijë gjatë sipër si shpatë Damokleut jo vetëm në konsolidimin e mëtejmë ndërkombëtar të Kosovës.


Nëse zgjedhjet i kishim shpikur e shpifur fët e fët dhe relativisht pa pritur, madje edhe me epilogun që po thuhet të jetë makinacion i partisë së vetme në pushtet, mesazhi i Dick Marty-t me raportin e tij për Kosovën ka qenë hataja politike i cili ka kohë, madje ka vite, që me peshën e tij të pamatur është vërtitur mbi Kosovën dhe mbi Shqipërinë. 


Madje është vërtitur mbi të gjithë shqiptarët. Sepse, ndoshta as më naivët nuk mund të mendojnë, e aq më pak të besojnë se ky raport i dedikohet vetëm Hashim Thaçit me shokët që i përmenden aty. Duhet të jetë e qartë për të gjithë, ky raport, përkatësisht hartimi i tij nga Dick Marty, dhe sidomos publikimi i tij në këtë kohë, është bërë me përllogaritje të sakta politike në kohë dhe në hapësirë. 


Por as kjo nuk mund të ndryshojë gjë në këtë perceptim. Siç nuk mund të ndryshojnë, ama me asgjë, në këtë raport dhe në këtë hije të keqe e të pakëndshme për shqiptarët as “dënimet më të rrepta” që po vijnë nga të gjitha nivelet politike gjithëkombëtare duke e quajtur atë “raport të shpifur” ose në “shërbim të kuzhinave antishqiptare”. Për shkak se këtij raporti duhet qasur me argumente të tjera e jo vetëm me akuzat se Dick Marty e Carla del Ponte janë tendenciozë, të çmendur, joobjektivë, pro-serbë etj.


Sepse duhet thënë, edhe pse ndoshta është vonë, se paralelisht me ngjarjet tërësisht të shpifura në të famshmen Shtëpi e Verdhë në raportin e Dick Marty-t, në Kosovë dhe në Shqipëri, ka ndodhur dhe është zhvilluar, le të më ndjehet për termin pak publicistik, një Politikë krejtësisht e Verdhë. 


Pra, një politikë egoiste totale e vetëkënaqësisë dhe e vetëmjaftimit, me të cilën mburreshin dhe gjithnjë lavdohen arritjet në reformat dhe në integrimet europiane si dhe arritjet pavarësiste e pas-pavarësisë. Kjo u vërejt sidomos para skenarëve për zgjedhje të jashtëzakonshme në Kosovë dhe para fillimit të liberalizmit të regjimit të vizave me BE-në në Shqipëri. 


Duke bërë kështu dhe duke e bërë vetëm veten personazh e madje edhe krye-personazh bashkë me partinë që e pandehin vetëm për të veten, harrohej, nuk them me qëllim krejtësisht Shtëpia e Verdhë dhe zërat që kishin dalë për të që nga paslufta. Dhe harrohej, para së gjithash, se raportuesi për këtë Shtëpi ishte nga një shtet që është pothuaj me shekuj neutral dhe i cili pati dhe ka shumë peshë jo vetëm në pavarësinë e vendit tonë. Dhe pavarësisht paragjykimeve, disponimeve dhe animeve që mund të ketë, ai ishte i ngarkuar i Këshillit të Europës për të raportuar në Komitetin për Çështje Ligjore dhe të të Drejtave të Njeriut. 


Pra, ishte i ngarkuar të raportonte në një fushë me të cilën Kosova në fillimet e rezistencës së vet kishte hyrë pothuaj në të gjitha zyrat e rëndësishme të botës si rast i vetëm në Europë ku Serbia nuk i respektonte fare këto çështje, pra ligjin dhe të drejtat e njeriut.


Tani që raporti ka gjasë të shndërrohet në Rezolutë, e përsëris, nuk është as koha dhe as vendi që për këtë ta fajësojmë vetëm Dick Marty-n. As Serbinë, e cila mezi e ka pritur këtë (nëse nuk e ka bashkësajuar që nuk është fare për t’u habitur as si dhe as pse gjë që po e tregojnë mediet e saj). Faji është edhe yni. Në Kosovë dhe në Shqipëri. Për shkak se as Kosova dhe as Shqipëria nuk kanë pse të frikësohen nga akuzat për krime lufte e keqpërdorime të ligjeve të saj. Sepse Kosova ka luftuar  për liri e Shqipëria ka përkrahur lirinë e saj. Sikur dhe gjithë bota që tash, pas zgjedhjeve dhe pas këtij raporti sesi po na vështron.


Kosova është e fundit që ka mundur të krimet për të cilat akuzon Marty. Sepse ajo nuk ka pasur struktura shtetërore siç ka pasur Serbia gjatë luftës. As pas luftës kur Kosovën në duar e kishte bashkësia ndërkombëtare. Megjithatë bota demokratike kërkon dëshmi e argumente rreth asaj që akuzon Marty dhe jo vetëm deklarime e deklamime atdhetare ose të përgjithësuara.
Që tregimi për Shtëpinë e Verdhë në Burrel të Shqipërisë dhe për implikimet ose jo të Kosovës në të marrë fund një herë e mirë. Bashkë me Politikën tonë të Verdhë që ka shumë më pak gjasa. Dhe që të gjithë të ndjehemi mirë./Binak Kelmendi
shko