Në një deklaratë të kryeministrit thuhet se bazuar në vlerësimet e gjithanshme, të bëra deri tash nga misionet e ndryshme të vëzhguesve vendorë dhe ndërkombëtarë, përfshirë këtu edhe deklaratën zyrtare të Bashkimit Evropian nga zyra e baroneshes Katerinë Ashton dhe të komisionerit të BE-së për zgjerim, Stefan Fule, procesi zgjedhor është vlerësuar shumë i qetë, i përgatitur mirë dhe pa deformime serioze teknike, që do të mund të vënin në dyshim rezultatin zgjedhor.
“Prandaj, përfitoj nga rasti që të falënderoj qytetarët e Republikës së Kosovës për maturinë e treguar dhe për pjesëmarrjen shumë të kënaqshme në procesin e votimit.
Gjithashtu, dua të uroj edhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për përgatitjen e këtyre zgjedhjeve në këtë afat të shkurtër zgjedhor.
Për me tepër, sot është obligim ligjor i KQZ-së dhe i panelit për Ankesa dhe Parashtresa që të adresojnë të gjitha ankesat e mundshme, që me profesionalizëm t’i adresojnë të gjitha vërejtjet e mundshme dhe me vendimet e tyre ta përmirësojnë ndonjë parregullsi të mundshme.
Këto veprime janë të domosdoshme për të siguruar se vullneti i shprehur i qytetarëve të Republikës së Kosovës, i shprehur përmes votës së lirë, të respektohet dhe të implementohet në tërësi.
Në të njëjtën kohë, falënderoj të gjitha partitë politike të Kosovës për kontributin e tyre në mbarëvajtjen e këtij procesi zgjedhor.
Tani është jetike që të tregohet pjekuri politike, andaj apeloj tek të gjitha partitë politike që të angazhohen për t’ia mundësuar organeve kompetente kushtetuese që ta japin vlerësimin e tyre përfundimtar për mbarë procesin zgjedhor.
Cilido që të jetë vendimi përfundimtar i KQZ-së dhe panelit për Ankesa dhe Parashtresa, ai duhet të respektohet nga të gjitha partitë politike”, thuhet në deklaratën e kryeministrit në largim, Hashim Thaçi./kosovapress