e diel, 16 janar 2011

AAK e ndarë në dy rryma

Ka kohë që po flitet, por edhe po “shihet” se AAK-ja nuk është më unike, siç ishte kur atë e menaxhonte drejtpërdrejt lideri Haradinaj. Jo uniteti partiak u shfaq sidomos pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të 12 dhjetorit dhe nisjes së
kalkulimeve për koalicione të mundshme për qeverisjen e pritshme të Kosovës.

Më konkretisht. Tashmë në AAK nuk mund të fshehën ithtarët e  koalicionit me Thaçin për të qeverisur Kosovën dhe kundërshtarët e këtij opsioni, të cilët këmbëngulin për të qëndruar në opozitë dhe të mos jenë bashkëpunëtorë të Thaçit.

Lajmi i raportuar nga Indeksonline se Burim Ramadani, Ardian Gjini, Besnik Tahiri dhe Avni Arifi po qëndrojnë në Hagë. Ata janë atje në një “vizitë private”, tek kreu i partisë, Ramush Haradinaj, vetëm sa i bën më të besueshme “llafet” se tashmë në AAK janë bërë dy “rryma”, të cilat praktikisht veprojnë ndaras dhe kanë pikëpamje relativisht të ndryshueshme njëra nga tjetra për shumë çështje dhe ecuri politike në Kosovë.

Këta të fundit, që aktualisht janë në vizitë të Haradinaj, janë të njohur si përfaqësues të rrymës që kundërshton pa u hamendur dhe me çdo kusht koalicionin me Thaçin. Këtë pikëpamje tashmë më shumë herë e kanë shfaqur publikisht Ardian Gjini, Burim Ramadani, Avni Arifi.
Dhe kjo vizitë e tyre në Hagë vjen në kohën që janë intensifikuar llogaritë për koalicionin e ri qeveritar, dhe kur tashmë janë bërë publik edhe zërat nga kjo parti që janë pro koalicionit..

Mirëpo, siç dihet, në fillim të këtij muaji, më saktësisht më 3 janar në Hagë ishte edhe Blerim Shala, nënkryetari i parë i kësaj partie, i cili tashmë botërisht dihet se është pro koalicionit me PDK-në e Thaçit. Por, po ashtu, dihet, se Shala nuk është i vetëm në ngulmimin për ta zbatuar këtë pikëpamje në ditët në vijim. Atë e përkrah Jahja Lluka, Naim Maloku, i cili u prononcua edhe publikisht për këtë etj.

Se cila rrymë do të triumfojë në AAK mbetet të shihet. Gjithsesi, fjala përfundimtare e liderit do të jetë e domosdoshme, mbase edhe vendimtare,  për t’i dhënë fund kësaj çështjeje, pasi që po shihet se lënia në vullnetin e këtyre taborreve, tashmë të ndara, për të vendosur pro, apo kundër koalicionit, siç u deklarua kohë më parë, është një mision i pamundur
shko