Qazimi është një prej
personave që nuk nguron të na tregojë se ka kryer vetëm tri klasë dhe sot nuk mban mend as alfabetin e gjuhës shqipe.“Nuk di as të shkruaj dhe as të lexoj. Në jetën time nuk kam lexuar kurrë një libër. Dikur mësuesja na detyronte që të lexonim vjersha në shtëpi, por sot unë nuk mbaj mend asgjë prej tyre. Di të shkruaj vetëm emrin tim”, thotë Qazimi.
Nevoja për të siguruar jetesën e familjes dhe mungesa e parave për të blerë librat e detyruan Qazimin të heqë dorë nga shkolla. Ai ka punuar në fabrikë, ka mbledhur kanaçe dhe sot në një cep të rrugës llustron këpucë për të fituar disa qindarka.
“Punoj si këpucar, fitoj lekë aq sa për të jetuar, por jetoj në një dhomë 3 me 3 në kushte të vështira”, shton Qazimi.
Si rasti i Qazimit në rrugët e kryeqytetit ndeshesh me shumë persona, të cilët në më të shumtën e rasteve ngurojnë ta pranojnë analfabetizmin e tyre para objektivit të kameras. Por, një 18-vjeçare tregon se nuk ka qenë kurrë e regjistruar në shkollë. Gjithçka që ajo di të bëjë janë disa zhgarravina në bllokun e bardhë paemër.
“Nuk di as të shkruaj dhe as të lexoj. Prindërit nuk më kanë cuar në shkollë. As emrin tim nuk di ta shkruaj”, tregon vajza.
Mjerisht, analfabetizmi është një sëmundje e trashëgueshme. Kjo nënë e re ka dy fëmijë që nuk i çon në kopësht sepse nuk mundet t’i siguojë as kushtet më minimale të një vogëlushi, që duhet të frekuentojë rregullisht shkollën: “E di që ligji më dënon, por unë jetoj në një barake dhe nuk mundem as t’i mbaj me bukë, jo më t’i çoj në shkollë.”
Nëse dikur vinte në lojë prestigjin e vet dhe i detyronte të gjithë të mësonin shkrim e këndim, gjithçka që ndodh sot janë disa klasa të shansit të dytë, ku frekuentimi është sipas dëshirës.
“Disa nga arsyet kryesore të mosfrekuentimit janë: varfëria dhe edukata familjare. Megjithatë për këta fëmijë janë krijuar klasa të shansit të dytë”, sqaron Fatmir Vejsiu, Drejtori i Ministrisë së Arsimit.
Pavarësisht realitetit në terren, shifrat zyrtare si përherë janë optimiste. Sipas Ministrisë së Arsimit, Shqipëria po korr fitore të njëpasnjëshme në luftën kundër analfabetizmit.
Pavarësisht pamundësisë së disa familjeve për të arsimuar fëmijët e tyre, ligji është i barabartë për të gjithë. Arsim 9-vjeçar i detyrueshëm! Drejtori i Ministrisë së Arsimit, Fatmir Vejsiu, përmend disa nga sanksionet e parashikuara në ligj për arsimin e detyrueshëm parauniversitar: “Ligjji parashikon që personat që nuk kryejnë arsimin e detyrueshëm parauniversitar dënohen me gjobë, por ka raste kur njerezit sensibilizohen dhe nuk i penalizojnë familjet me ndihmë ekonomike sociale”
Por të kthehemi sërish tek analfabetët. Megjithëse me statusin e të paarsimuarit, ata janë të sjellshëm dhe kanë dëshira.
Por institucionet shtetërore, nuk ofrojnë shifra dhe përqindje për nivelin e shkatërrimit të së ardhmes të sa e sa njerëzve si këta./tch