e shtunë, 8 janar 2011

Behrami, sot prezantohet në Fiorentinë

Duket se skuadra e Romës do të mbetet me ‘gishta në gojë’ sa i përket blerjes së mesfushorit të Kosovës, Valon Behrami.
Në fakt, siç kanë njoftuar mediat italiane dhe ato angleze, mesfushori i West Hamit tashmë ka arritur marrëveshje me Fiorentinën, duke pranuar kontratën 4-vjeçare të ofruar nga drejtuesit e ‘Violas’. Siç kanë njoftuar mediat në Apenine, skuadra londineze dhe Fiorentina janë pajtuar për pagesën e dëmshpërblimit, e cila pritet të jetë më e vogël se 5 milionë euro. “Vetëm edhe disa orë e ndajnë Valon Behramin nga veshja e fanellës së Fiorentinës. Lojtari në fjalë ka arritur marrëveshje të shpejtë për t’u transferuar aty”, shkruhej në ‘calcioline.com’.

Në anën tjetër, ‘Sky Sports’ ka njoftuar se gjithçka është kryer sa i përket transferimit të Behramit te ‘Viola’, teksa prezantimi i mesfushorit mitrovicas me skuadrën e re pritet të ndodhë gjatë ditës së shtunë (sot). “Tashmë vetëm pritet zyrtarizmi i marrëveshjes së transferimit të Behramit te Fiorentina, pasi gjithçka ka përfunduar”, shkruante ‘Sky Sports’. Valon Behrami ishte pranë për t’u transferuar te Roma javën e kaluar, por protesta e tifozëve kundër transferimit të tij si dhe bllokada që i bëri Unicrediti për blerjen e mitrovicasit, bënë që marrëveshja të mos ndodhte.

Largimi i Mutus e konfirmon Behramin

Në anën tjetër, edhe largimi i Adrian Mutus në mënyrë indirekte paralajmëroi transferimin e Behramit te ‘Viola’. Kjo, pasi paga prej 3 milionë eurove që rumuni merrte në vit, mund të ndahet për përforcimet e reja, përfshirë Behramin dhe portierin brazilian, Neto, i cili gjithashtu thuhet se është transferuar te skuadra nga Firence.

Fiorentina e ‘serbëve’

Valon Behrami në Fiorentinë do t’i ketë për bashkëlojtarë dy futbollistë nga shteti fqinj i Kosovës, Serbia. Është portieri Vladan Avramov, si dhe talenti Adem Ljajiq. Në anën tjetër, trajner i ‘Violas’ është serbi Sinisha Mihajloviq./gs/
shko