EULEX-i është rikthyer me aksione në rastin e hetimeve në Ministrinë e Transportit dhe Postë- Telekomunikacionit. Policia e misionit të BE-së ka bastisur disa kompani në rajonin e
Prishtinës, Pejës dhe të Prizrenit që kanë qenë përfituese të tenderëve të MTPT-së. Burime të gazetës kanë bërë të ditur se bastisjet në këto tri komuna janë bërë në kompani që kanë përfituar nga tenderët e ndërtimit të rrugës nga Fushë-Kosova në drejtim të Pejës. EULEX-i ka bastisur të martën edhe në Gjilan, por jo për tenderë të MTPT-së. Kompanitë e rrugëve “Tali” dhe ajo “Magjistralja” janë bastisur për shkak të hetimeve rreth një tenderi të Komunës së Gjilanit, të lëshuar në vitin 2007.Origjina e problemit edhe për tenderin e Komunës së Gjilanit ka të bëjë me ankesën e të ndjerit Mehmet Shkodra. I ndjeri, pronar i kompanisë “Inter-Kosova”, ia pati shkruar një letër të gjatë EULEX-it, ku pati akuzuar MTPT-në për ryshfet dhe favorizim të disa kompanive të tjera. Të njëjtat akuza, Shkodra i pati bërë edhe për tenderin në fjalë të Komunës së Gjilanit. Dëshmia e Mehmet Shkodrës, biznesmenit që ka pësuar aksident komunikacioni muaj më vonë, të paktën zyrtarisht, është prezantuar si bazë për kryerjen e bastisjeve nga EULEX-i në MTPT.
Burime të gazetës kanë bërë të ditur se hetimet rreth rastit të MTPT-së dhe të të gjithë tenderëve të përfolur nuk janë ndalur asnjëherë, ndërkaq që tashmë EULEX-i po mundohet t`i ofrohet përfundimit të rastit.
Zëdhënësja e EULEX-it, Karin Limdal, ka konfirmuar për gazetën se bastisjet e së martës janë vazhdim i bastisjeve që EULEX-i i pati bërë në Ministrinë e Limajt.
EULEX-i nuk ka komentuar zyrtarisht nëse do të ketë apo jo aktakuzë në këtë rast. Ata janë mjaftuar me një komunikatë për media.
“Departamenti ekzekutiv i Policisë së EULEX-it ka bastisur katër kompani nëpër vende të ndryshme në Kosovë; Prishtinë, rajon të Pejës dhe në Prizren, në lidhje me një hetim për një tender të dyshimtë ku është e përfshirë Ministria e Transportit dhe Postë- Telekomunikacionit. Bastisjet janë autorizuar nga gjykatësi i EULEX-it i procedurës paraprake në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë”, thuhet në komunikatën e EULEX-it.
“Në një hetim tjetër për tenderë të dyshimtë në Komunën e Gjilanit, Departamenti ekzekutiv i Policisë së EULEX-it ka kryer bastisje në dy kompani në Gjilan. Bastisjet janë autorizuar nga gjykatësi i EULEX-it i procedurës paraprake në Gjykatën e Qarkut në Gjilan. Dy hetimet e lartcekura për korrupsion janë nën mbikëqyrjen e Prokurorisë Speciale të Kosovës”, thuhet më tej në komunikatë.
Hetimet rreth tenderëve të rrugëve patën bërë që EULEX-i të bastiste Ministrinë e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, si dhe pronat e ministrit Limaj. Misioni pati bastisur edhe shefin e prokurimit në këtë ministri, ndërkaq pati arrestuar një zyrtar të teknologjisë IT, për dëmtim të të dhënave në serverin e Ministrisë.
Të dyshuar zyrtarë deri më tash janë vetëm ministri Limaj dhe shefi i prokurimit të MTPT-së, Nexhat Krasniqi. Ata akuzohen për pastrim parash, krim të organizuar, përvetësim gjatë ushtrimit të detyrës, mashtrim në detyrë dhe marrje të ryshfetit.
Sipas fakteve, në bazë të të cilave po heton EULEX-i, dy të dyshuarit kryesorë, në këtë rast Limaj dhe Krasniqi, kanë kërkuar ryshfet nga fituesit e të paktën gjashtë tenderëve në Kosovë.
Në një urdhër për bastisje në Komunën e Gjilanit të lëshuar nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë, qenë dhënë detaje të arsyes së hetimeve, ndërkaq vërtetohej se dëshmitari kryesor i EULEX-it në rastin Limaj tashmë ka vdekur./koha