e shtunë, 8 janar 2011

Historia e purove kubaneze dhe pse ato janë unikale

Shpesh herë kur flasim për Kubën, ose siç e thërasin ndryshe “Ishulli i Lirisë”, togfjalëshat e parë me të cilat nisin pothuajse të gjitha bisedat tona kanë të bëjnë me Fidel Kastron dhe pushtetin e tij.


Kuba nuk është thjesht një vend me një sistem politik ndryshe, por është shumë më shumë se aq, ai është një vënd i mrekullueshëm dhe mjaft i bukur, një destinacion mjaftë i preferuar për miliona turistë nga mbarë bota, të cilët duan të prekin, të shijojnë dhe të mësojnë diçka më shumë mbi temperamentin, shpirtin e pasur dhe thjeshtësinë me të cilën jetojnë vëndasit. Kuba është vëndi i rumit, i salsës dhe i purove të famshme kubaneze. 


Traditat në Kubë zënë një pjesë të rëndësishme në mënyrën e jetesës të kubanezëve, ato vlerësohen dhe ruhen me xhelozi nga ata. Një nga këto tradita është edhe prodhimi i purove, zanat i cili trashëgohet brez pas brezi. 


Një fakt që nuk mund të kundërshtohet, është se shteti ishull është një ndër prodhuesit dhe eksportuesit më të mëdhenjë të purove në botë. Gjithçka fillon në luginën Vuelta Abajo, aty ku ndodhen plantacionet më të mëdhaja të duhanit, kjo kulturë bujqësore me të cilën “Republica de Cuba” krenohet para botës.


Historia 
Para 500 vjetësh Kristofor Kolombi preku me duart e tij gjethet e duhanit, me të cilat pjestarët e fisit indian “Tainos” mbushnin çibuqet e tyre dhe tymosnin duhanin që ata e quanin “cohiba”. 


Ata besonin se në këtë mënyrë tërhiqnin në anën e tyre shpirtrat e mirë. Spanjollët erdhën në ishull me Kolombin dhe me një lehtësi e përqafuan këtë traditë të vëndasve. 


Dy marinarë nga ekuipazhi i anijes së Kolombit, në vitin 1492, Rodrigo de Jerez dhe Luis De Tores kanë qënë dy evropianët e parë që provuan duhanin kubanez. Admirali spanjoll në atë kohë, nuk ishte në dijeni për vlerën tregëtare që do të sillte ne kontinentin e vjetër, në Evropë.


Gjatë 1700 – ës purot zënë vëndin e parë në eksportin e madhrave kubaneze. Sot puroja kubaneze është shëndruar në shënjë të pamohueshme të mirëqënies. 


Ajo është një produkt autentik i një cilësie të lartë, shija, aroma, ngjyra dhe forma e së cilës janë arritur me punën e stërmundimshme të duarve të mjeshtërve, të cilët kanë shkrirë talentin dhe shpirtin e tyre në krijimin e kësaj vepre arti. Kënaqësinë nga puroja e pakrahasueshme kubane mund ta shijojë çdo kush që i kushton asaj kujdesin dhe vëmëndjen e merituar.

shko