Sipas disa përllogaritjeve, ekonomia e Kinës mund t’ia kalojë asaj amerikane brenda vitit 2030. Disa politikanë dhe ekonomistë amerikanë argumentojnë se rritja ekonomike e Kinës ka ardhur në kurriz të rritjes ekonomike dhe humbjes së
vendeve të punës në SHBA. Por ndërsa Presidenti Barak Obama përgatitet të takohet në Washington me presidentin kinez Hu Gjintao, disa studjues thonë në përpjekjet për zhvillim ekonomik nuk ka përse të ketë fitues dhe humbës.
Marrëdhëniet ekonomike mes SHBA dhe Kinës
Marrëdhëniet ekonomike mes SHBA dhe Kinës janë tensionuar shpesh nga një sërë çështjesh të debatueshme, si kursi i shkëmbimit të juanit, akuzat për pirateri intelektuale në Kinë dhe protekstonizmi tregtar i të dyja palëve.
Ndërsa presidenti Barak Obama dhe presidenti Hu Gjintao përgatiten për t’u takuar në Washington, në SHBA po shtohet trysnia politike për të ushtruar presion ndaj Kinës për këto çështje. Megjithatë, fuqizimi i mëtejshëm i Kinës mund të sjellë përplasje të tjera në të ardhmen. Jukon Huang, ekonomist dhe ekspert për Kinën në Institutin Karnegi për Paqen në Botë, me seli në Washington, thotë se historikisht, toni i përdorur nga Washingtoni nuk ka ndihmuar në lehtësimin e mosmarrëveshjeve mes të dyja palëve.
“Mesazhi që ka dominuar mediat dhe komentet e vëzhguesve për Kinën në Perëndim ka qenë i tillë, që është perceptuar nga autoritetet kineze si një marrëdhënie, ku mes palëve ka humbës dhe fitimtarë. Ky mesazh pak a shumë thotë se, që SHBA të fitojnë, ose të fuqizohen, Kina do të pësojë të kundërtën, ajo duhet të humbasë, ose do të dobësohet. Për kinezët kjo është e papranueshme”. Kur politikanët dhe ekonomistët amerikanë argumentojnë se juani është i nënvlerësuar, ata kërkojnë forcim të monedhës kinezë në mënyrë që çmimet e produkteve amerikane të bien në tregun kinez dhe çmimet produkteve kineze në SHBA të rriten.
Kjo, shpresojnë ata, do të rrisë eksportet amerikane në Kinë dhe do të ulë importimin e mallrave kineze në Amerikë. Por Kina druhet se pakësimi i eksporteve do të thotë rritje më e vogël ekonomike dhe papunësi më e lartë. Pekini e ka bërë të qartë këtë, duke thënë se forcimi i monedhës së saj duhet të jetë gradual, për të shmangur destabilizimin e ekonomisë.
Parashikimet
Shumë ekonomistë dhe zyrtarë kinezë mendojnë se ekonomia e Kinës duhet të ketë një rritje prej 8 për qind, në mënyrë që të gjenerojë vende pune. Pekini, po ashtu hedh poshtë argumentin se kursi i shkëmbimit është arsyeja e deficitit të madh tregtar të Amerikës. Simos Tay, autor i librit “Azia vetëm: marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Azisë pas krizës”, dhe Drejtor i Institutit të Marrëdhënieve me Jashtë në Singapor, thotë se marrëdhëniet dypalëshe tani janë duke ndryshuar.
“Në fund të fundit, të dyja palët po e kuptojnë se nuk mund ta diktojnë tjetrën. Natyrisht, që Amerika është përpara përsa i përket zhvillimit makroekonomik, por ajo nuk mund ta bëjë gjithçka përnjëherësh, t’i bjerë me grusht tavolinës dhe t’ia imponojë Kinës t’i shkojë nga prapa. Mendoj se ky është viti që duhet pranuar kjo gjë”.
Shumë ekonomistë dhe udhëheqës aziatikë bëjnë thirrje për bashkëpunim ekonomik mes dy gjigantëve, në mënyrë që të dy vendet të kenë begati. Kryeministri i Singaporit Li Hsien Long tha në fillim të muajit se marrëdhënia mes të dy vendeve është marrëdhënie që ka ndikimin më të madh në botë dhe se të dyja palët, si Kina, edhe SHBA, duhet të mësojnë të kenë besim tek njëra tjetra. Por si zoti Hu, edhe zoti Obama ndeshen me probleme brenda vendit, të cilat mund të ndikojnë tek rezultatet e takimit të tyre.
Presidenti Hu pritet të largohet nga pushteti vitin e ardhshëm dhe Kina po përpiqet ta ndryshojë modelin e zhvillimit ekonomik, që nxitet nga eksporti, drejt një modeli të bazuar tek konsumi. Ndërsa Presidentit Obama i duhet të përgatitet për fushatë për mandat tjetër në 2012, duke patur si fokus rimëkëmbjen ekonomike të vendit.
Ankesa e SHBA-së
Kompanitë e huaja e shohin Kinën si një mundësi mjaft e madhe për fitime, por shumë shqetësohen për nivelin e lartë të vjedhjes intelektuale. Kompanitë kineze akuzohen se kopjojnë ilegalisht gjithçka, që nga makinat e huaja, e deri tek ilaçet.
SHBA po ashtu ankohen për pengesat tregtare të Kinës, si subvencionet qeveritare ndaj disa industrive brenda vendit. Qeveria kineze, po ashtu ndjek një politikë në prokurimet publike, e cila favorizon kompanitë kineze, një politikë për të cilën SHBA thonë se i përjashton kompanitë e huaja në Kinë. Pekini thotë se rregullat e tij tregtare janë të drejta dhe të ndershme dhe është i pakënaqur që Washingtoni ka bërë ankesa në Organizatën Botërore të Tregtisë.
Monedha kineze është fuqizuar thuajse 4 për qind që nga qershori i kaluar, kur Pekini e shkëputi varësinë e juanit nga dollari. Suficiti tregtare i Kinës në vitin 2010 ra me 7 për qind, në shifrën 183 miliardë dollarë. Disa ekonomistë thonë se këto shifra mund të ndihmojnë në zbutjen e retorikës lidhur me juanin dhe tregtinë mes të dy vendeve, në takimin mes Presidentit amerikan Barak Obama dhe atij kinez Hu Gjintao.