Por, Dell nuk ka lënë asnjë dilemë duke thënë se të gjithë zyrtarët që janë dënuar ndonjë herë nga ndonjë gjykatë, që kanë aktakuzë ose që kanë përjetuar ndonjë aksion të EULEX-it, si
bastisje ose marrje në pyetje, nuk duhet të jenë pjesë e qeverisë së ardhshme, shkruan sot gazeta Express.
Rasti i Fatmir Limajt, që është njeriu i dytë për nga votat në PDK dhe që është edhe nën hetime të EULEX-it, mund t’i shkaktojë më së shumti kokëçarje Thaçit dhe PDK-së.
Sipas kritereve të ambasadorit Dell, Limaj që ka udhëhequr deri më tani Ministrinë e Transportit, nuk do duhet të ishte pjesë e qeverisë së re. Porosi të ngjashme ka çuar edhe shefi i ICO-së, Pieter Feith.
Sipas analistëve politikë, “receta” e Dellit do të zbatohet kur të krijohet qeveria. Analisti Baton Haxhiu vlerëson se askush nuk do të provojë t’i kontestojë ose t’u rezistojë kushteve të Dellit. “Nuk mendoj se do të ketë kurrfarë rezistence në këtë drejtim. Këto janë kritere që i kanë vendosur BE dhe SHBA. Kriteri i parë është që qeveria, e cila pritet të miratohet - ose ta zbusim pak këtë - të jetë e njohur nga SHBA-të dhe BE.
Kriteri i dytë është që të mos ketë qeveri nën hetime pra asnjëri prej anëtarëve të qeverisë mos të jetë nën hetime as mos të jetë i dënuar. Kriteri i tretë është që të ketë qeveri kredibile, profesionale dhe funksionale në raport me zhvillimin ekonomik dhe në raport me integrimet evropiane, duke përfshirë edhe dialogun me Serbinë”, ka thënë Haxhiu për Express.
Një kusht tjetër, sipas Haxhiut, është mandati i qeverisë së ardhshme. “Kriteri i katërt është që qeveria duhet të zgjasë më së paku 3 vjet për shkak të zhvillimit ekonomik dhe për shkak të dialogut me Serbinë që mund të zgjasë deri në 2 vjet dhe për shkak të privatizimit të kapaciteteve të rëndësishme”. Haxhiu nuk pret probleme as kur është fjala për Fatmir Limajn. “Fatmir Limaj është politikan i vetëdijshëm për shkak se kur bashkësia ndërkombëtare ka vendosur kritere të tilla, do të jetë ai që do të tërhiqet nga një eeveri e tillë, derisa të sqarohet në tërësi rasti i tij”, ka vlerësuar Haxhiu.
Analisti Shkëlzen Maliqi, po ashtu, konsideron se partitë politike do t’i marrinë parasysh kriteret e Dellit. “Nuk mund t’i anashkalojmë fuqitë e mëdha ose sugjerimet e tyre për shkak se Kosovës ende i duhet ndihma në këto procese të rëndësishme siç janë njohjet dhe dialogu me Serbinë”, ka thënë ai.
Maliqi parashikon pak rezistencë. “Do të ketë ndoshta pak rezistencë ose probleme brenda partive, por besoj se në fund të ditës do të krijohet qeveria dhe megjithatë do të kemi një qeveri vërtet me duar të pastra, siç po thonë ata, me njerëz që nuk dyshohen ose nuk kanë qenë të dënuar”. Sipas Maliqit, kjo çështje mund të jetë objekt i negociatave. Ai konsideron se në qeveri do duhej të ishin njerëz me duar të pastra, pavarësisht problemeve që mund të shfaqen. /Telegrafi