Drejtori ekzekutiv i BE-së për Ballkanin, Miroslav Lajcak ka thënë se Brukseli i sheh udhëheqësit e rinj të Kosovës si partnerë të besueshëm, që janë zgjedhur në mënyrë demokratike, pavarësisht akuzave të bëra së fundi ndaj kryeministrit Hashim Thaçi.
“Tani presim që institucionet e reja të përfshihen me shpejtësi maksimale për të përmbushur kriteret evropiane dhe dëshirojmë të shohim fillimin sa më të shpejtë të dialogut Prishtinë-Beograd”, ka thënë Lajcak për agjencinë e lajmeve Reuters.
Sipas tij, Kroacia, Serbia dhe Mali i Zi i kanë mundësitë që gjatë këtij viti të shënojnë përparim drejt integrimit evropian, por disa nga vendet e Ballkanit Perëndimor së pari duhet të zgjidhin problemet e brendshme politike.
Ai ka thënë se Shqipëria duhet të kalojë ngërçin politik. “Në disa raste mund të flasim për krizë politike, e këtu në vend të parë është Shqipëria”, ka thënë zyrtari i BE-së.
Sipas tij, Shqipëria duhet të zgjedhë, pasi BE-ja ia ka bërë të qarta kushtet që duhet të përmbushen për të marrë statusin e vendit kandidat në fund të vitit 2011. “Kjo gjeneratë e udhëheqësve politikë ka dy opsione, të jetë ajo që do ta bëjë realitet të ardhmen evropiane të Shqipërisë ose që ta shkatërrojë atë”, theksoi diplomati evropian.
Ish-ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Lajcak, aktualisht është pjesë e strukturave të shërbimit diplomatik të BE-së. Pas 21 janarit ai e ka vizituar disa herë Shqipërinë në përpjekje për të zgjidhur krizën./zhurnal