në Ludwigsburg, njofton RTL të mërkurën. Përballja eliminatore për titull të botës në peshën e rëndë mes Krasniqit dhe Banksit ishte paraparë të zhvillohet më 26 shkurt, por për shkak të një ftohjeje të thellë dhe pezmatimit të sinuseve të boksierit junikas, ajo u anulua.
"Ne dëshirojmë që përballjen ta mbajmë në Ludwigsburg, siç ishte paraparë. Data e 16 prillit është një termin i mundshëm dhe jemi duke e shqyrtuar mundësinë për ta mbajtur duelin në këtë datë. Kjo datë do t'u shkonte për shtati të dy boksierëve", ka thënë përfaqësuesi medial i "Klitschko Management Group", Klaus-Peter Dittrich.
Të gjitha biletat për duelin mes Krasniqit dhe Banksit ishin shitur. Mirëpo, ato bileta do të jenë të vlefshme për datën e re. Një problem për 16 prill është se një natë më herët do të zhvillohet ndeshja e Bundesligës në basketboll mes EnBW Ludwigsburgut dhe Braunschweigut. Mirëpo, kjo përballje mund të shtyhet.
"Për personat që nuk do të jenë në gjendje të vijnë në terminin e ri, do të ketë mundësi që të kthejnë biletat", ka thënë Dittrich.
Fituesi i përballjes mes Krasniqit dhe Banksit do të ketë mundësinë që të sfidojë njërin nga vëllezërit Klitschko. Vitaly Klitschko është kampion bote në versionin WBC, ndërsa Vladimir është pronar i titujve IBF, WBO dhe IBO.
Krasniqi 39-vjeçar në ringun profesionist ka 30 fitore (14 KO), katër humbje dhe një barazim. Përballjen e tij të fundit e ka zhvilluar më 15 nëntor të vitit 2008, kur u mposht me nokaut në raundin e tretë nga ukrainasi Alexander Dimitrenko. Amerikani Banks që është 28 vjeç ka bilanc prej 25 fitoreve (17 KO), një humbjeje dhe një barazimi.