e enjte, 10 mars 2011

Albërie Hadërgjonaj: “U martova që 15 vjeçe dhe u bëra nënë në moshën 15- vjeçare”


E njohur nga këngët magjepsëse të saj, kjo këngëtare gjeni me zë brilant dhe shpirt të madh, është edhe një grua e mrekullueshme dhe një nënë shumë e  zonja.  E adhuruar nga njerëzit e thjeshtë, por dhe
nga politikanët më të pushtetshëm në Shqipëri dhe në Kosovë , që nga ish Presidenti Rugova, Presidenti  Bexhet  Pacolli, Ramush Hajradinaj dhe shumë të tjerë,  të cilët e ftojnë vazhdimisht në çdo aktivitet  të rëndësishëm.
Albëria ka lindur në Deçan , aty ka  kaluar fëmijërinë,  një fëmijëri sa të bukur aq dhe tragjike, pasi kurrë nuk ka mundur ta njoh babanë e saj. Ka qenë 8 -muajshe në barkun e nënës së saj kur babai i saj ka vdekur në Gjermani. Në vitin 1988, e detyruar nga reprezaljet serbe emigron në Amerikë. Në Shqipëri ka ardhur në fillimet e demokracisë. Debutimin e parë në skenën  shqiptare e ka bërë  te spektakli “12 në Hollivud”. 
Ka kaluar një jetë  me plot suksese dhe aventura; është martuar në moshën 15- vjeçare. Në moshën 16- vjeçare është bërë nënë.  Në moshën 18-vjeçare është bërë përsëri me një vajzë tjetër. Historia dhe kontributi i saj në skenë dhe në jetë është aq i madh se nuk do ta nxinin jo dy faqe gazeta, por as disa libra të tërë.  Ajo merr aq shumë kërkesa për të kënduar, sa të gjitha uikendet i ka të zëna. Sapo ka nxjerrë në treg albumin “Kur nuk shkon, nuk shkon”. Albumi është publikuar nga Shtëpia e Produksionit “Alba Treid Muzik”. 
Ky album sjell  rryma të ndryshme. Kompozitorë  janë po ata që ajo ka punuar ndër vite, si, Luan Zhegu, Aleks Presheva, Florian Mumajezi, të cilët Albëria i përshëndet sinqerisht për punën e bukur që kanë bërë. Dy këngë të këtij albumi i ka bërë  vetë. Ky album dhe klipi i saj “Kur nuk shkon, nuk shkon”,  i publikuar para tre ditësh janë pritur shumë mirë nga publiku dhe kritika.  Këtë e tregojnë klikimet e shumta në internet.  
Albëria ka marrë shumë çmime gjatë karrierës së saj; çmime të dyta, të treta, të Parë në Festivalin Kombëtar në vitin 1998 me këngën “Mirësia dhe e Vërteta” , një krijim i Luan Zhegut dhe shkruar nga Arben Duka. Kënga “Lozonjarja”  u bë hit në vitin 1997, që edhe sot të rinjtë e këndojnë  nëpër karaoke.  Edhe  kënga “Jeta s’është lodër” dhe “Loçka jeme”, pati një sukses të madh.  Në vitin 1997 është  shpallur te “Kënga Magjike”  “Kantautorja më  e mirë e vitit”.  Ka dy vajza, Agnesën, 20 vjeçe  dhe Anxhelinën, 18 vjeçe. E para është në vit të tretë në gjimnazin “Drita e Diturisë”, dhe ka pasion këngën dhe arkitekturën, e dyta është në vit të dytë për drejtësi.
Vazhdoni të rrëzëlleni sërish si në rininë tuaj të artë? Mbani ndonjë dietë?
Njerëzit më ngatërrojnë me një fakt  të rëndësishëm. Mendojnë që jam më e madhe në moshë se sa jam. Kur këndova  në Shqipëri sapo kisha mbushur 19-të.  Tani kam hyrë për 36-të, kurse njerëzit mendojnë që jam më madhe.  Ndoshta s’kanë faj.  Jam martuar  15 vjeç, 16 vjeç linda fëmijën e parë, ndërsa 18 vjeç u bëra nënë me dy vajza njëra, 18, tjetra 20-të.
Në rini,  krahas bukurisë së zërit kishit dhe një bukuri të rrallë fizike. Komplimentet i keni marrë  vetëm për vokalin, apo dhe për ndonjë pjesë tjetër të trupit tuaj të bukur?
(Qesh). Shumë komplimente kam marrë ndër vite. Nuk di ç’të them. Se di. Disa më thonë: “ Keni një trup shumë të bukur”.
E ruani akoma në gardërobë vellon e nusërisë?
Ah! Të them të drejtën nuk u martova asnjëherë. Regjimi i Milosheviçit s’na la ta gëzonim  jetën siç duhej ta gëzonte një adoleshent. Mbetëm me trasta në krahë, sa në Kosovë, sa  në Amerikë gjë,  që nuk patëm mundësi të  bënim dasmë. Sigurisht  që e  kam veshur vellon e nusërisë, por e kam veshur në  aktivitete artistike. Fustani i bardhë është shumë delikat, është një gjë shumë e bukur (qesh).
Ku u njohët  me Mentorin, bashkëshortin tuaj?
Në momentin që emigrova në Amerikë kisha njohur Mentorin. Sapo u njohëm u martuam menjëherë. Pata fat sepse pata në krah atë dhe familjen e tij të mrekullueshme, të cilët  më ndihmuan me shkollën, më rritën dhe më kalitën, pasi kur fillova jetën bashkëshortore isha 15 vjeç.
Para tre vitesh u shpallët “Nderi i Kosovës”, ç’po bëni  për ta justifikuar këtë titull të madh?
Klicken für Bild in voller Größe
Si artistë kemi të drejtë morale  t’i kujtojmë figurat  dhe heronjtë e kombit . Shqiptarët kanë vuajtur, si në Shqipëri, si në Kosovë. Duhen vlerësuar ata që na dhanë lirinë. Për Presidentin Rugova gëzoj respekt  derisa të vdes. Ka qenë njeri model në politikë dhe në mençuri.  Ka punuar dhe luftuar me urtësi dhe largpamësi që të fitojmë e të jemi të lirë.
Si ka qenë fëmijëria juaj? E bukur apo e trishtuar?
Për fat të keq jam rritur pa baba. U aksidentua  kur nëna ime ishte  shtatzënë, 8 muajshe me mua. Kam qenë fëmija i tretë dhe pata fatin e keq që nuk arrita ta njoh kurrë tim atë.  Vdiq në vitin 1974. U rrita pa baba, por kam patur një nënë të mrekullueshme që na rriti me shumë përkushtim, me një kujdes të jashtëzakonshëm, duke mos na munguar asgjë. Nëna ime ka qenë një grua tipike kosovare. Babai ka qenë inxhinier dhe meqë  ka punuar në Gjermani  na la mirë ekonomikisht.  Nëna ime përfitoi një pension të shkëlqyer që na rriti pa na munguar asgjë ndaj e puth dhe e përshëndes  shumë. Nëna ime jeton me vëllain tim në Holandë.  Vjen shumë shpesh në Tiranë.
Keni qenë një fëmijë i mbarë apo i llastuar?
Kam qenë gjithmonë një fëmijë i mbarë Mentor, kështu më thotë mami im.
Po në rini për çfarë ëndërronit më shumë?
Kam qenë një fëmijë i privilegjuar që në bankat e shkollës fillore. U mora si shembull për vokalin tim. Që  në klasë të 5-të më zgjodhën kryetare të rinisë së shkollës, pasi  isha absolute në mësime. Filluan koncertet nga shkolla, pjesëmarrjet në evenimente dhe  televizione. Më pas u krijua shoqata kulturore artistike “Dukagjini” dhe “Deçani”. Isha gjithmonë pjesëmarrëse në koncerte dhe turne. Kur  isha 12 vjeç  këndova te  festivali “Zagrebi  i ri”.  Aty kuptova që kënga ishte ajo që mund ta bëja më mirë në jetë , që do më bënte të lumtur dhe do më mbushte me emocione.
Rinia ku të gjeti?
Ah, Rinia! Rinia! Sapo kisha filluar vitin e parë në gjimnaz. Ishte viti ’85. Filluan trazirat politike në Deçan dhe familjarisht  emigruam në Amerikë. Qëndruam 4 vjet.  Fillimi në Amerikë  nuk qe i lehtë. Pas shumë vështirësive u stabilizuam dhe filluam një jetë të re.
Ka tre ditë që ka dalë klipi juaj “Kur nuk shkon, nuk shkon”. Çfarë trajton?
Fabula e këngës flet për një dashuri që kur nuk shkon nuk shkon. Xhirimet i kam bërë në Tiranë, me  “Production Max”,  të cilin e falënderoj shumë. Sponsor është një kompani nga Kosova, miq të bashkëshortit tim, të cilët kanë  sponsorizuar gjithë albumet e mia. Tekstin e ka bërë Big Basta.
Në videoklip është bota juaj shpirtërore?
Është një temë që e kanë përjetuar shumë vajza. Shumica e individëve mund ta gjejnë veten te ky tekst.
Ju  e gjeni veten te ky tekst?
Shpeshherë njeriu ndeshet edhe me zhgënjime. Në rastin konkret në dashuri kam patur fat. Kam qenë e lumtur dhe vazhdoj të jem dhe sot  e lumtur me bashkëshortin tim.
Kënga “Lozonjarja” tashmë është një krye hit? Vazhdoni të jeni akoma lozonjare si te kënga?
Në vitin ‘97 kur e këndova pati një sukses të jashtëzakonshëm, pavarësisht se nuk mori çmim të parë. Njerëzit akoma më kujtojnë si lozonjarja, madje, ime bijë, Anxhelina thotë: “Mami do ta këndoj unë me një ritmikë ndryshe.
Nisur nga popullariteti  i madh që keni në Shqipëri dhe Kosovë, ju ka ftuar ndonjë parti e madhe politike për të kandiduar nën siglën e saj?
Më kanë ftuar,  por, e shoh veten më shumë te muzika se te politika. S’mund ta lë muzikën. Është  njësoj sikur të lë një nga vajzat e mia. Jam  marrë me muzikë që fëmijë, ndaj e kam të pandashme nga jeta. Njëherë  pata menduar që me aftësitë e mia të punoj dhe të kontribuoj për popullin tim në Kosovë, por nuk isha e gatshme.  Në të ardhmen nuk i dihet.
Nisur nga eksperienca e martesës suaj në një moshë kaq të re, si e gjykon këtë martesë, kur ju tashmë keni dy vajza  gati sa gjysma e moshës suaj dhe që të duken si shoqe?
Nuk është e drejtë që një vajzë adoleshente të jetë nënë. Është ngarkesë e madhe.  Secila duhet ta  gëzojë moshën e vet. Të  vijë çdo gjë në kohën e duhur dhe kur ti të jesh e përgatitur. Mbaj mend që vajzën e madhe ma ka rritur nëna dhe vajzën  e vogël vjehrra se, nuk dija me i rritë. Isha  fëmijë për vete. Isha  16 vjeç kur u bëra nënë.
Në koncerte partiake keni marrë pjesë?
Po. Vjet këndova për elektoratin e  Bexhet Pacollit, të cilin e kam mik dhe e përshëndes  përmes gazetës “Telegraf”. E përgëzoj për postin që e mori dhe që e meriton.  Por kam kënduar dhe për LDK-në, për AKR-në, partinë e Ramush Haradinajt, që edhe atë e kam mik.
Nga kjo pjesëmarrje dhe simpati ka pasur ndonjë reagim nga publiku?
Po. Meqë kisha kënduar këngën e Rugovës, shumë njerëz më thonin; “Uh rugovistja”. Shiko, unë jam artiste, artistët nuk duhen paragjykuar politikisht në asnjë rrethanë. Në fund të fundit artistët punojnë për të mbijetuar. Unë këndoj me kënaqësi për çdo parti që më fton.
Po nga kryeministri  Berisha, keni marrë ndonjë ofertë për të kënduar gjatë fushatave të tij?
Ndoshta ka harruar, ose nuk e di si ka qenë puna. Më saktë s’ kanë patur numrin tim të  kontaktit.
Cila  është mosha më e mirë për t’ u martuar një vajzë?
Mosha  25 -26 vjeçe. Ndoshta  mund njihet me dikë dhe të  bashkëjetojnë  disa vite. Martesa duhet të jetë finalizim i një dashurie perfekte./yp
shko