Krahas shumë qytetarëve, edhe kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa, ka qenë kureshtar për ta parë atë.
Instalacioni artistik “Dielli,” vepër e Alketa Xhafa-Mripës, të mërkurën pasdite ka zënë vend të përhershëm para Pallatit të Rinisë dhe Sporteve. Në fakt “Dielli” ka zbritur për herë të parë në Prishtinë më 1 qershor të vitit të kaluar, në Ditën e Fëmijëve, kur këta të fundit kanë shkelur mbi të duke lënë gjurmët e tyre shumëngjyrëshe. Fqinji i “Diellit” është obelisku “Newborn”. Që të dyja janë plot ngjyra.
Madje kureshtja e të parit të kryeqendrës kosovare ka shkuar deri në atë masë saqë edhe i është afruar për ta prekur. I lumtur që nuk e përcëlloi ai, e cilësoi veprën “simpatike dhe cilësore”.
“Falënderoj autorët dhe iniciatorët që ia dhuruan Prishtinës këtë vepër arti”, ka thënë Mustafa. Ai shtoi se i pëlqen kjo vepër për disa arsye.
“Ka simbolikë të veçantë, sepse ka fëmijët tanë, ka diellin që qëndron para vendit ku rri rinia dhe ka Prishtinë si ardhmëri”, ka thënë i pari i kryeqytetit, i cili u vonua për gjysmë ore në inaugurimin e veprës, hapjen e së cilës e ka bërë kryetari i “Rotary Club Prishtina”, Erold Belegu. Sipas tij, “Dielli” është një vepër arti që i dhurohet Prishtinës me simbolin e rinisë.
“Elementi i teknikës është futur që nëpërmjet rrezeve të diellit do të japë dritë, ndërsa shputat e fëmijëve japin shpresë dhe ardhmëri”, ka thënë Belegu.
“Dielli” nuk ka lënë pa komente as qytetarët e rastit. Shumë nga ta kanë shuar kureshtjen duke iu afruar atij. Njëri nga ta, Blend Zhegrova (21), ka thënë se i vjen mirë që një vepër moderne po zë vend në Prishtinën e mbushur me shtatore.
“Interesante. Diçka me frymë të re afër një vepre tjetër moderne sikur ‘Newborn’. Por do të ishte mirë që të kishte më shumë këso veprash, sepse na është zënë fryma nga shtatoret”, ka thënë Zhegrova, student i dizajnit.
Edhe për Anila Hajdinin, një e re nga Prishtina, kjo vepër është e qëlluar. Por asaj ia ka gjetur një behane.
“Ndoshta është dashur të vihet diku tjetër, sepse në këtë hapësirë është edhe një vepër tjetër moderne”, ka thënë Hajdini. Për të shqetësuese është edhe frika se “Diellit” mund t’i ndodhë ajo çfarë i ka ndodhur “Newborn”.
“Shpresoj që nuk do ta përdhosin sikur komshiun e kësaj vepre”, ka thënë ajo.
Por ish-drejtori i “Rotary Club Prishtina”, Ardian Hoxha, ka thënë se vepra do të jetë e siguruar 24 orë nga sigurimi që mbikëqyr hapësirën e Shkollës Amerikane të Kosovës.
“Kemi menduar që ta vendosnim në sheshin ‘Nëna Terezë’, mirëpo kemi menduar se këtu do të jetë më e sigurt”, ka thënë Hoxha. Duke treguar se autorja Xhafa-Mripa e ka pasur të pamundur të vinte në Prishtinë, Hoxha ka treguar arsyet se përse është vendosur kjo vepër.
“Ideja e përzgjedhur i jep ngjyrë, dritë dhe energji Prishtinës”, ka thënë Hoxha.
Instalacioni është projekt i “Rotary Club Prishtina”, që funksionon nga viti 2005, që numëron 20 vullnetarë, liderë të profileve të ndryshme./kn/