Takimi i parë i zhvilluar në Giuseppe Meazza kishte përfunduar me fitore minimale të Bayernit, ndërsa pas takimit në Allianz Arena, me rezultat të përgjithshëm prej 3-3, Interi vazhdon garën falë golave të shënuar në terren mysafir.
Zikaltrit e filluan furishëm takimin dhe krijuan epërsi të hershme (4’), kur pas një pasimi të Goran Pandev, Samuel Eto’o mposhti portierin Kraft, ndërsa përkundër pozitës jashtë loje, arbitri e pranoi golin.
Pas goditjes së Arjen Robben nga distanca, portieri Julio Cesar e bëri të njëjtin gabim sikur ne Meazza duke mos e kapur topin të cilin në mënyrë të mrekullueshme e plasoi në rrjet Mario Gomez për të barazuar shifrat (21’).
Robben ishte i përfshirë edhe në golin e dytë të Bayernit pasi ai ishte asistues te Thomas Mueller, i cili me mjeshtri kaloi vendasit në epërsi (31’).
Pa u mbyllur pjesa e parë, bavarezët kanë mundur të shënojnë së paku edhe dy gola, mirëpo për fat të Interit, goditjet e Gomez dhe Robben nuk përfunduan në rrjet.
Humbja e rasteve i kushtoi Bayernit, pasi që pas një kombinimi të Coutinho dhe Eto’o, me një supergoditje nga distanca, Wesley Sneijder barazoi rezultatin (63’).
Kampioni në fuqi i kësaj gare tentoi deri në fund të ndeshjes të shënojë golin që e dërgonte në çerekfinale, dhe këtë e arriti përmes një goli të jashtëzakonshëm të maqedonasit Goran Pandev (88’).