Këngëtarja e Eurovizionit, Anjeza Shahini, me sa duket, nuk do të mund të marrë pjesë në “Top Fest”, pasi grupi me të cilin do të këndonte, Zig Zag Orchestra, është ndarë krejt papritur për motive financiare. Kjo do të thotë që Anjeza dhe grupi nuk mund të këndojnë dot së bashku këngën “Ti dhe unë” në këtë festival, pasi kjo këngë është pronë e Zig Zag Orcherstra.“Për të qenë sërish në vëmendjen e medias dhe për t’i sjellë diçka të re publikut këtë herë kam zgjedhur skenën e “Top Fest”, të cilin më shumë se një festival do ta quaja manifestim të muzikës moderne. Ajo që mund të them për momentin, është se kënga është gati dhe që shumë shpejt do të bëjmë dhe prezantimin e parë. Këtë herë nuk do të jem vetëm, por me një grup tepër të mirë nga Kosova Zig Zag Orchestra”, – ka thënë pak ditë më parë Anjeza, duke shtuar se është shumë e lumtur për këtë bashkëpunim, ndërkohë që pret dhe uron që po kaq mirë të mirëpritet edhe nga publiku shqiptar. Ndërkaq, ditën e djeshme mësuar se grupi “Zig Zag Orchestra”, në një komunikatë në Facebook ka njoftuar se është ndarë për arsye të keqpërdorimeve të fondeve të përbashkëta nga ana e liderit të grupit, Dren Abazi.
“Pas disa parregullsive në menaxhimin e fondeve të përbashkëta, konkretisht për keqpërdorimin e të ardhurave prej projektit “Zig Zag” të mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, “Të hollat e Vizave”, pagesat nga dy projektet e Komunës së Prishtinës, si dhe një numri të tjera keqpërdorimesh nga lideri i Zig Zag Orchestra, Dren Abazi, me këtë rast anëtarët e tjerë Sezgin Curi, Ilir Livoreka, Ertan Iliyaz, Gramoz Goranci, Ilire Avdiu, Fitim Halimi, Ardit Pira, Drilon Ibrahimi, njoftojnë opinionin publik dhe adhuruesit e bendit se prej datës 2.3.2011, me vendim unanim nga anëtarët e lartpërmendur, Zig Zag Orchestra është shpërbërë”, – kanë njoftuar anëtarët e grupit të shtunën në faqen zyrtare në Facebook.
Përveç keqpërdorimit të një shume prej 3200 eurosh, nga ana e vokalit të bendit, Dren Abazi, të cilat para ishin derdhur në llogarinë personale të tij në kuadër të mbështetjes së projektit “Zig Zag” nga MKRS, anëtarët tjerë të bendit e kanë akuzuar liderin edhe për mosdorëzim për të 810 eurove të fituara në shoun Oxygen.