e mërkurë, 13 prill 2011

Njeriu që parashikoi cunamin në Japoni

Një gjeolog japonez kishte parashikuar cunamin e marsit të shkuar, por askush nuk i kishte kushtuar rëndësi. 
”Nuk mund të mohojmë mundësinë që një cunami të ndodhë shumë shpejt në të ardhmen e afërt”, parashikonte në studimin e publikuar në gusht 2010, eksperti Masanobu Shishikura.

”Kasandra” e re e Japonisë pranonte në studim se e kishte të pamundur të parashikonte datën e saktë kur tragjedia do të ndodhte, por mbetet dyshimi se nëse do të ishin marrë masa shtesë parandaluese, përmasat e tragjedisë mund të ishin reduktuar.


Edhe më interesant fakti që në studimin e gjeologut, flitej me saktësi edhe për zonën ku cunami do të godiste.


Shishikura shkruante se çdo 450-800 vjet pllakat përplasen nën Oqeanin Paqësor, duke bërë që valë gjigante të ngrihen dhe të shkatërrojnë zonat përreth qytetit të Sendait, prefekturën e Mijagit dhe të gjithë Fukushimën.


Në fakt, historianët japonezë kanë arritur të zbulojnë cunami të tjerë tepër të fuqishëm në të shkuarën. Për herë të fundit, një cunami si ai i 11 marsit ishte ngritur nga një tërmet në vitet 1300-1600.


Ekzistojnë prova të tjera të sakta për një dallgë të tmerrshme që vrau me mijëra njerëz në vitin 899, por studimet flasin edhe për një tjetër cunami katastrofik 1 500 vjet para lindjes së Krishtit.
shko