e mërkurë, 13 prill 2011

Italianët këtë vit favorizojnë bregdetin shqiptar

Ndërsa të gjitha familjet, çiftet apo grupet shoqërore, kudo në botë, po mendojnë seriozisht për vendin ku do t’i kalojnë pushimet verore, duket se ata që janë më të çorientuar në këtë pikë, janë italianët. Këtë e pohon një artikull relativisht i gjatë i botuar dje, në sajtin zyrtar të gazetës më të njohur italiane, “La stampa”, në të cilën thuhet se italianët janë ende në “hall” për vendin ku do të kalojnë pushimet verore për këtë vit, transmeton Shqip.

Kjo për shkak se për vite me radhë, ndër vendet e tyre më të preferuara listohej Tunizia, Egjipti apo Libia, për shkak të afërsisë gjeografike, por edhe si pasojë e çmimeve të ulëta që ofronin këto shtete për ta.

Për pasojë, pushimet verore të këtij viti për italianët do të jenë me më shumë alternativa se kurrë. Kjo pasi, përballë dhunës së evidentuar së fundmi në Afrikën Veriore dhe frikës nga rrezatimet nukleare, operatorët turistikë italianë po rishikojnë mundësitë për të “sajuar” pushimet veriore për miliona italianë. Ajo që vlen të theksohet është fakti se agjencitë e udhëtimeve po diskutojnë mbi pushime të mundshme në bregdetin shqiptar, bullgar apo ukrainas.

Shqipëria, ndonëse e listuar si një alternativë e mundshme për t’u vizituar gjatë muajve të verës nga italianët, agjencitë e udhëtimeve në shtetin fqinj e konsiderojnë këtë destinacion si të “çuditshëm”, sepse është fare pak i njohur për ta.

“Ndër plazhet më të frekuentuara apo më të njohurat përtej kufijve të saj është ai i Durrësit, Vlorës, apo ato rreth ishullit të Sazanit (ish-bazë ushtarake e Enver Hoxhës), apo qetësinë që të ofron liqeni i Ohrit në kufi me Maqedoninë.

Askush nuk mund ta vërë në dyshim bukurinë e sajteve, por struktura e ofertave është shpesh naive: Realisht në Shqipëri mund të shpenzosh pak para, por e rëndësishme është që të argëtohesh”, shkruhet në gazetën italiane “La Stampa”.

I nxitur nga ky artikull, Sadik Malaj, kryetari i Unionit të Operatorëve Turistikë Shqiptarë, tha se zhvillimet e fundit gjeopolitike në Rajonin e Mesdheut, kanë bërë që të ndryshojë edhe gjeografia e lëvizjeve dhe e destinacioneve turistike botërore.

“Lëvizjet demokratike në vendet arabe, në veçanti në Egjipt, Tunizi e Libi, si destinacionet turistike më të mëdha botërore, për sa i përket turizmit të rërës dhe detit, por edhe të ekskursioneve më të kërkuara turistike, kanë bërë që të frenohet vizitueshmëria ndaj këtyre vendeve nga klientela e vendeve perëndimore dhe nga tour-operatorët më të mëdhenj europianë e botërorë. Ky fenomen po vërehet në mënyrë masive edhe nga tregu turistik italian, i cili ka qenë dominant kryesisht në Tunizi dhe në Libi si pasojë e lidhjeve të tyre historike e afërsisë gjeografike”, tha Malaj.

Ai shtoi se gjatë kësaj periudhe, tregu turistik italian po i hedh sytë gjithnjë e më shumë nga bregu tjetër i Adriatikut, në veçanti nga bregdeti shqiptar dhe destiancionet e tjera turistike shqiptare.

Sipas tij, orientimin e tregut turistik italian drejt Shqipërisë e vërejtën edhe gjatë Panairit Turistik Ndërkombëtar të Milanos BIT, i zhvilluar në muajin shkurt të këtij viti.

“Në këtë panair turistik, krahas Agjencisë Kombëtare të Turizmit Shqiptar (AKT) si organ shtetëror promovues i turizmit shqiptar, ishin prezentë edhe 8 tourë-operatorë të rëndësishëm shqiptarë të turizmit ‘incoming’, të cilët në bashkëpunim prezantimin e ofertave dhe paketave turistike në një mënyrë sa më joshëse për tregun italian”, sqaroi kryetari i Unionit të Operatorëve Turistikë në Shqipëri.

Mësohet se nga prezantimi në këtë panair ajo që binte në sy ishte interesi në rritje i agjencive turistike dhe vizitorëve italianë, aq sa ditën e fundit të panairit kishin mbaruar të gjitha materialet promocionale të pjesëmarrësve turistikë shqiptarë në këtë panair.

“Tendencat që klientela italiane kishte ndaj destinacioneve turistike shqiptare konvergonte rreth 25% drejt plazheve shqiptare me disa ditë qëndrimi, rreth 30% për turizëm me autokampera, ku Shqipëria mund të zinte dy apo tre net fjetje, në kuadër të programeve të tyre rajonale, rreth 25% të kërkesave ishte për turizëm aktiv, si për shembull turizëm me biçikleta, motoçikleta, zhytje nënujore, turizëm me varka me vela, apo për gjueti, si dhe rreth 20% kishte kërkesa për turizëm malor, treiking, hyaking, agroturizëm apo ekoturizëm”, theksoi Malaj.

Ai pohoi se ka rritje të prenotimeve direkte të grupeve turistike apo të kërkesave individuale apo familjare në hotelet bregdetare shqiptare, kryesisht të Vlorës e Sarandës nga klientela turistike italiane, e cila po shfrytëzon edhe lidhjet me emigracionin shqiptar për këto rezervime./knn
shko