"Federata e Futbollit të Kosovës ka kërkuar autorizimin për të luajtur ndeshje miqësore ndërkombëtare si në nivel të klubeve ashtu edhe në nivel të përfaqësueseve. Është pajtuar që kjo kërkesë duhet t'i dërgohet UEFA-s", thuhet në njoftimin e FIFA-s.
FIFA në vitin 2008 ia kishte ndaluar Kosovës që të zhvillonte ndeshje miqësore me përfaqësuese të huaja. Nga ajo kohë Kosova ka luajtur vetëm miqësore me klube të ndryshme.
Dy ditë më parë kërkesa e FFK-së për lejimin e ndeshjeve miqësore ndërkombëtare është shqyrtuar edhe nga Asociacioni i Federatave të FIFA-s. Pjesë e këtij organi është edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i cili edhe e ka hapur diskutimin për kërkesën e FFK-së. Në Asociacionin e Federatave nuk ka pasur asnjë kundërshtim për kërkesën e FFK-së.
Ndërkohë kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri, ka thënë se Komiteti Ekzekutiv i FIFA-s ka autorizuar Komitetin e Federatave të FIFA-s që të merret me rastin e Kosovës.
"Komiteti i Federatave të FIFA-s është autorizuar të merret me Kosovën. Kryetari i këtij komiteti, Geoff Thompson, do të paraqesë fillimisht rastin e Kosovës në UEFA", ka thënë Vokrri.
Ndërkohë sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, ka thënë se UEFA nuk do të merret me rastin e Kosovës para mbajtjes së zgjedhjeve në Federatën Evropiane. Kongresi i UEFA-s mbahet më 22 mars.
"UEFA do të studiojë rastin e Kosovës. Por kjo nuk pritet të ndodhë para zgjedhjeve të kësaj federate që janë më 22 mars. Pas zgjedhjes së organeve të reja pritet të merret ndonjë vendim", ka thënë Salihu./kn
