e mërkurë, 30 mars 2011

Makolli: Siguruam nënshkrimet për rikandidimin e Pacollit

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të AKR-së, Ibrahim Makolli, ka thënë për Kosovapress se koalicioni qeverisës PDK-AKR dhe minoritetet kanë vendosur që sërish të dalin me Behxhet Pacollin
si kandidat për president të Kosovës dhe se tashmë kanë mbledhur numrin e nënshkrimeve të nevojshme për një gjë të tillë. 

Gjykata Kushtetuese e Kosovës të mërkurën ka publikuar aktgjykimin lidhur me kërkesën e LDK-së rreth zgjedhjes së Behgjet Pacollit për president të Kosovës. Në aktgjykimin, i cili iu është dorëzuar Presidencës, LDK-së dhe Sekretarisë së Kuvendit të Kosovës thuhet se zgjedhja e presidentit nuk ishte kushtetuese. 

Zyrtarë të AKR-së kanë deklaruar se pas gjendjes së krijuar janë siguruar nënshkrimet e nevojshme sipas Kushtetutës për kandidimin e Behgjet Pacollit për president dhe sipas tyre procedimi i zgjedhjes së presidentit do të bëhet së shpejti. 

Sipas Makollit, çështja e nënshkrimeve nuk ka qenë asnjëherë problem dhe se tashmë janë siguruar nënshkrimet e nevojshme sipas Kushtetutës, ku parashihen që për nominim e një kandidati për president duhet të jenë më së paku 30 nënshkrime të deputetëve. 

Makolli ka thënë se Kosova ka nevojë për një zgjidhje të shpejtë, pasi që afati kushtetues për një ushtrues detyre të presidentit ka kaluar para dy ditësh, kështu që sipas tij procedimi i zgjedhjes së presidentit do të bëhet së shpejti./io/
shko