e mërkurë, 9 mars 2011

Mali i Zi, shteti që përdor më shumë celularin në Evropë

Sipas të dhënave të Institutit Evropian të Statistikave, 1000 persona nga Mali i Zi përdorin 1600 celularë.

Teksa në shtetet e tjera si Kroacia dhe Serbia, 1000 personave u takojnë 1400 celularë, në Bashkimin Evropian kjo shifër bie afërsisht në 1250 celularë. Media serbe e ka cilësuar Malin e Zi, i cili ka një popullsi prej 620 mijë banorësh, si ''Kampion të Evropës për numrin e madh  të telefonave celularë''/


Sipas lajmit të publikuar në gazetën ''Blic'', duke parë të dhënat e publikuara nga Eurostat në muajin shkurt, bëhet e ditur se përqindja e të ardhurave për person në Malin e Zi është më e ulët se mesatarja evropiae, por numri i madh i celularëve e ka cilësuar atë si ''Kampionin e vetëm të Evropës''.


Nga ana tjetër theksohet se mesatarja e papunësisë në Malin e Zi për vitin 2009 është afërsisht 20% duke arritur kështu dyfishin e shifrave të Evropës. Në lajmin ku cilësohet se mesatarja e papunësisë në Kosovë është 45%, në Bosnjë Hercegovinë 40% dhe në Maqedoni 32% bëhet e ditur se Mali i Zi është një nga vendet më të zhvilluara në rajon për sa i përket kësaj çështjeje.


E ndarë nga Serbia me një referendum të organizuar në vittin 2006 dhe me një sipërfaqe prej 13  mijë e 800 km2, Mali i Zi ka një popullsi prej 620 mijë banorësh./topLajm
shko