Thaçi theksoi se ky buxhet ka për synim ruajtjen e qëndrueshmërisë makro-fiskale të vendit, duke siguruar të hyra buxhetore në vlerë prej 1,264.000.00 milion euro (një miliard e dyqind e gjashtëdhjetë e katër milion euro), të hyra këto 12% më të larta se të hyrat e vitit të kaluar.
Ndër të tjera, ai tha se kjo rritje e shpenzimeve në masë të madhe i atribuohet investimeve kapitale madhore siç është Autostrada “Ibrahim Rugova”, pastaj investimeve tjera infrastrukturore, siç janë rrugët Prishtinë–Pejë, Prishtinë–Mitrovicë, ndërtimi dhe mirëmbajtja e rrugëve, urave, ndërtimi dhe rehabilitimi i objekteve shkollore, spitaleve, qendrave të mjekësisë familjare dhe shumë projekteve tjera.
Mirëpo, Naser Osmani nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës pohoi se ky Projektbuxhet është i bazuar në interesa të ngushta politike, dhe pa interes zhvillimor.
Sipas tij, ky dokument nuk siguron qëndrueshmëri ekonomike.
Visar Ymeri, nga lëvizja Vetëvendosje vlerësoi se vendi ka mungesë të madhe të prodhimit. Duke theksuar gjendjen e rëndë ekonomike e sociale në vend, Ymeri tha se “ky mjerim është bërë kafshatë që nuk kapërdihet për qytetarët e Kosovës”.
Ymeri ka thënë më herët po ashtu se neni i 4-t i Ligjit për Buxhetin tenton ta kontrabandojë privatizimin e PTK-së pa kaluar nëpër diskutimin dhe miratimin apo mosmiratimin e privatizimit në Kuvend, siç e kërkon ligji.
Ndërkaq, Ardian Gjini nga Aleanca po ashtu ka kritikuar ashpër Qeverinë e Kosovës, duke thënë se flasin diçka tjetër, e bëjnë diçka tjetër. Ai tha se AAK-ja e mbështet projektbuxhetin nëse në leximin e dytë hiqet neni IV që ka të bëjë me privatizimin e PTK-së dhe nëse rishikohet ndarja e buxhetit nëpër komuna, pasi sipas tij nuk është i drejtë.
Edhe deputetë të tjerë nga radhët e opozitës kritikuan Projektbuxhetin, duke thënë se nuk siguron qëndrueshmëri ekonomike dhe duke kritikuar qeverinë për politika të papërgjegjshme.
Ndërkaq, për dallim nga opozita, Adem Grabovci nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës tha se Grupi parlamentar i këtij subjekti është pro projektbuxhetit, që sipas tij i hap rrugë zhvillimit ekonomik.
Edhe Ibrahim Makolli, nga Aleanca Kosova e Re që është në bashkëqeverisje me PDK-në tha se në parim e mbështesin Projektbuxhetin pasi përmban komponentë me rëndësi./telegrafi