e premte, 25 mars 2011

Presidenti në mjerim. Më dhimbset!

Për të aplikuar për një punë, sot në botën moderne, lypet një CV, për nivelin e përgatitjes arsimore, por aplikuesi testohet edhe për njohuritë, preferencat kulturore, logjikën, përgjegjësinë, punën nën stres etj.
Presidenti i Kosovës nuk ka CV impresive, por ka thasë me pare, madje ai si i vetëm me partinë e tij dyshohet se do ta kalonte testin themelor të pragut zgjedhor. Askush ende nuk e di mendësinë, botëkuptimin dhe filozofinë e tij politike, sepse ai nuk i është nënshtruar asnjë interviste për vendin e punës që e mban.


Ia nisi me akuza ndaj shtypit të lirë. Dështoi.
Hodhi në publik ide për një “komb multietnik”.
Nuk e mbrojti këtë ide, sepse nuk diti çfarë ka dashur vetë si autor me atë fjali. Dështoi.
Nuk pati asnjë përgjigje për akuzat që ia bëri ish-guerilja UÇK, edhe pse gjithnjë në secilën pyetje të shtruar duhet të ketë një përgjigje. Dështoi.
Vajti në Tiranë dhe pa marrë erë në protokollin shtetëror, u pështoll përreth trupit dhe këmbëve të presidentit shqiptar, Bamir Topi. Dështoi.
Por ai, pas shumë peripecive gjeti këndin nga ku do të përkulej para flamurit të shtetit shqiptar dhe atij të shtetit të Kosovës nën ritualin e Gardës Kombëtare të Shqipërisë, vajti në një konferencë shtypi dhe tha se “Tirana është edhe kryeqyteti i Kosovës dhe i tërë kombit.”
Këtë herë jo që dështoi, por u turpërua!
Të jetë Tirana kryeqytet i Kosovës? 
Që s’është, këtë e dinë edhe filloristët diku në thellësi të Alaskës. E të mos flasim për filloristët e Marecit ose të Gmicës.
Të jetë Tirana kryeqytet shpirtëror i Kosovës, them hapur JO!
Është Prekazi!
Të jetë Tirana kryeqytet i tërë kombit. Hëmmm???
Këtu nis dhe përfundon çdo debat për teoritë e shtetit dhe kombit. Shtetet dhe kombet shfaqen dhe zhduken si entitete politike, pra janë kategori variable. Etnia është konstante...
Nejse. Ky debat nuk përkon me nivelin arsimor dhe kulturor të presidentit, sepse ai ka dëshirë ta cilësojë vetën ndërtimtar, pra s’është politikolog dhe për këtë s’ia zë kush për të madhe.
Për debatuesit andej dhe këndej Bjeshkëve të Namuna, e që i kanë lexuar vetëm tre-katër libra për krijimin e shteteve dhe kombeve ky debat edhe ka kuptim, qoftë edhe kur humbet rrugën në projektim dëshirash, qoftë edhe kur mbytet në qasje emotive dhe joracionale.
Por ka kuptim ky debat edhe për secilin qytetar lokal, në Prishtinë dhe në Tiranë.
Patrick J. Geary në librin “Miti i kombeve” thotë se “kombi unik shqiptar është vetëm prononcim politik.”
Për secilin qytetar që flet vetëm në emrin e vet personal, ka kuptim edhe dëshira, edhe ndjenja, madje edhe injoranca.
Mund të thuhet se ky është vetëm një konfuzionim identitar, por i parrezikshëm.
Madje shumë fisnik, pra ndjenjësor.
Por, për një president të një shteti evropian, liria dhe shtetndërtimi i të cilit është sponsorizuar nga bota e lirë demokratike, kjo është jo vetëm gafë diplomatike dhe politike, por edhe marre, të cilën nuk e sanksionon asnjë ligj; Shteti që rastësisht e drejton Behgjet Pacolli është streha e një “kombi të ri të krijuar nga konflikti” (Marc Weller), i cili është produkt i dy momenteve kruciale të raporteve ndërkombëtare: 1. Përmes intervenimit humanitar të NATO-s për ta shmangur katastrofën humanitare dhe për ta penguar gjenocidin serb; 2.) Përmes verdiktit të GjND-së, se shpallja e Pavarësisë më 17 shkurt 2008 dhe njohjet ndërkombëtare të shtetit të ri, nuk ishin në kolizion me të drejtën ndërkombëtare, verdikt ky që ruan frymën e ligjeve (Karta e OKB-së) për të përligjur edhe në të ardhmen idenë e intervenimit ushtarak humanitar (rasti i Libisë së Gaddafit aktualisht.)
Por askush normal dhe as unë nuk do të kërkonte nga presidenti aktual që të dijë historinë e shtetndërtimit, sepse ai rëndom rrethohet me njerëz që dinë, e që këtë herë doli se s’kanë haber. Pse e bëri?
Natyrisht duke qenë nën presion (nuk është mësuar të punojë dhe të mendojë shpejt e nën presion) të momentumit, kur në atdhe është i diskutueshëm për vetë mënyrën e zgjedhjes si president, por edhe për kredibilitetin e tij intelektual dhe qytetar, ai u bë pre e sulmeve të ish - pjesëtarëve të UÇK-së, të cilët ja që nuk duan ta njohin për të tillë, pa e testuar me pak pyetje. Por presidenti nuk diti të përgjigjet dhe u kurthue për t’u shpëlarë para tyre dhe pikërisht e gjeti vendin ku ta thotë këtë, në Shqipërinë e ’13-s, për t’ua qetësuar shpirtrat ish- luftëtarëve. Por ai rrëshqiti thellë në humnerën e mosdijes, nga ku, vështirë se do të këndellet ndonjëherë.
Dhe, sinqerisht, duke e parë vullnetin e tij të mirë, paçka edhe nëse po lufton të jetë shqiptar i sinqertë, më dhimbset fort ky njeri, si person. Por nuk kam ndjenjë dhembshurie fare për të si bartës i funksionit politik, të shefit të shtetit.
Unë si autor i kolumneve në “Kohën Ditore” mund ta shpreh dëshirën që Tirana të jetë kryeqytet i Kosovës dhe i tërë kombit, por kurrsesi nuk mund ta thotë presidenti i shtetit, të cilin e shpall sakaq të “paqenë”. “Të paqenë”, sepse presidenti tutet ta pranojë vetë shtetin e tij (ose e ka tutë dikush) dhe me një fjalë goje varrosi historinë gati 100-vjeçare të ndërtimit si entitet politik deri në pavarësi të plotë të vendit që e kanë njohur 75 kombe të botës, timonin e të cilit e mban ky njeri i urtë.
Dhe sërish them se presidenti i Kosovës më dhimbset, sepse atij s’ka kush i flet, janë të padijshëm, ose frikacakë, ose u mungon guximi qytetar për me qenë në krye të një shteti, në Presidencën e atdheut të kosovarëve.
Më dhimbset, sepse vetëm dy-tri ditë më parë, në Prishtinë erdhi me detyrë zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm shqiptar, Edmond Haxhinasto, dhe ua bëri me dije politikanëve këtu se integrimet në BE janë interes madhor kombëtar për të dyja shtetet, kurse idetë për bashkim kombëtar apo shkëmbim territoresh, sipas tij, e dëmtojnë edhe vetë Shqipërinë edhe shtetin e ri në agjendat e tyre, të parën me marrjen e statusit të vendit kandidat për BE, e të dytën me afirmimin e pavarësisë kombëtare në OKB.
Por presidenti i Kosovës dhe “shpura” e tij, për këso lloj fjalie diplomatike nuk kanë vesh.
Shtetet dhe kombet krijohen, ndahen e bashkohen me vullnetin e tyre, madje edhe në raportet Shqipëri - Kosovë mund të ndodhë edhe bashkimi, por në rrethana krejtësisht të tjera ndërkombëtare dhe rajonale (po të thoshin  p.sh. SHBA-ja, BE-ja, Rusia, Serbia, Maqedonia, Greqia, Mali i Zi OK: Kjo s’na pengon!?) dhe natyrisht me referendum, kur do të pyeteshin qytetarët e të dyja shteteve.
Sidoqoftë presidenti është garant i Kushtetutës dhe e shkel vetë, pra ai është garant i unitetit të popullit e jo aktivist i lëvizjes “Vetëvendosje.”
Kjo e fundit e ka program politik ta bëjë Tiranën kryeqytet.
Pse jo?
Por ata duan referendum, së paku, prandaj është e drejtë e tyre.
Por këto gjëra nuk bëhen me një fjalë goje, të pavend dhe të parend.
Winston Churchill, anglezi i pashmangshëm thoshte diçka që vlen për të gjithë, e në veçanti për Presidentin e Kosovës: “I mençuri, nuk i bën të gjitha gabimet vet. Ai u jep shans edhe të tjerëve”!
E ka të lehtë presidenti i Kosovës të lexojë pak fjalë të biografisë së Barack Obamas. Gjyshërit e tij janë kenianë të lindur e të vdekur në Kenia, por Obaman nuk e lejon Kushtetuta amerikane (natyrisht as formati i tij politik dhe intelektual) të deklarojë në atdheun e të parëve të tij se Nayrobi është edhe kryeqytet i SHBA-së, përkatësisht i tërë kombit amerikan...
Tërë Amerika do të qeshnin, ose do ta shpallnin presidentin të luajtur mendsh.
A duhet aq shumë dije për këtë? Jo!
Pse po e lënë presidentin në këtë konfuzion?
Mjerim.
Nuk e di./kn
shko