e hënë, 14 mars 2011

Pacolli premton njohje nga Afrika dhe Lindja e Mesme

Kosovën së shpejti pritet ta njohin vende nga kontinente dhe rajone të ndryshme të botës. Ky premtim vjen nga presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, sipas të cilit, njohje të reja do të ketë nga shtete të Afrikës dhe Lindjes së Mesme.
Gjatë një takimi që pati të hënën me kryetaren e KQZ-së, Valdete Daka, Pacolli ka thënë se mungesa e njohjeve të reja gjatë kësaj kohe, ka qenë për shkak të një vakuumi institucional.


Por, pavarësisht kësaj, Pacolli ka vlerësuar se “edhe gjatë asaj kohe, ka pasur njohje të shtetësisë së Kosovës”, raportoi Zëri.
Pacolli ka thënë se me ministrin e Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, do të zbatohet një program që përshpejton procesin e njohjeve, ndërsa ka theksuar se ekipet e tij lobuese ende janë duke punuar në këtë drejtim, duke mos hezituar të përmend edhe kontinentet dhe rajonet prej nga pritet të vijnë njohjet e reja.


“Tani bashkë me ministrin e Punëve të Jashtme kemi biseduar, do të bisedojmë prapë për implementimin e një programit diplomatik, që e kemi në definim e sipër, program ky që do të jetë shumë inovativ dhe besoj se do të përshpejton arritjen e njohjeve”, ka thënë presidenti Pacolli./tg
shko